MЁNYRA E ABDESIT

 
Hixhabi (Mbulesa) - Pasqyrime nga gra muslimane PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Sumayyah Joan   
e mėrkurė. 15 shkurt 2012

 Udhëtimi im drejt lirisë
Që nga agimi i qytetërimit, veshjet e gjata dhe shamitë kanë qenë gjithmonë të lidhura me devotshmërinë dhe me ndërgjegjshmërinë ndaj Zotit.






Bëhen tre vjet qëkur qëndrova para dy motrave muslimane dhe deklarova hapur besimin tim në Zot (Allahun) dhe në të Dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të, duke e çliruar kështu veten nga skllavëria e vetë-imponuar. Me kalimin tim nga errësira e mosbesimit në dritën e Islamit, është për të qeshur fakti se kam gjetur liri në gjënë që më së shumti më mbante larg Islamit -hixhabin.

Edhe përkundër spektrit të gjerë të shikimeve të çuditshme nga njerëzit, shënjimeve e komenteve, kjo mbulesë më bën të ndjehem e nderuar, e sigurt dhe e gëzuar.

Fjala Hixhab vjen nga fjala arabe haxhebe, që nënkupton: për të fshehur diçka nga të parët ose për të maskuar. Gratë të cilat nuk e zbulojnë bukurinë e tyre në këtë shoqëri dhe nuk i nënshtrohen këtij sistemi shtypës, konsiderohen si të pavërejtura, pa seksualitet dhe të prapambetura.

Pasiqë shpesh njerëzit më ngatërrojnë me murgeshë, apo terroriste, them se për shumicën e femrave, reagimet e njerëzve rreth hixhabit, janë testi më i vërtetë i të qenit muslimane.

Por në realitet, hixhabi është i lehtë!

Në udhëzimin që ne të veshim hixhabin, Allahu, nga urdhrat dhe obligimet e Tij, i ka dhënë grave muslimane atë çfarë ato mund ta durojnë. Allahu thotë:

“Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësive të tij; te Ne është Libri që flet të vërtetën dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (Kuran, 23:62)

Për fat të keq, shejtani dhe shoqëria e tij, e thërrasin gruan muslimane të bëhet rob ndaj krijesave, dhe të harrojë robërinë ndaj Krijuesit të saj. Pastërtia, modestia dhe devotshmëria, në mënyrë mashtruese llogariten si pranga të lirisë personale.

Allahu i paralajmëron besimtarët që të ruhen nga mashtrimet e shejtanit, sikur që i mashtroi prindërit e tyre, Ademin dhe Havën. Nëpërmjet mashtrimit të modës, kulturës dhe modernizmit, shejtani ka arritur dhe po vazhdon që ta drejtojë gruan muslimane, dhe të gjitha gratë tjera, drejt jomodestisë.

Pas propagandave të mëdha të lëvizjes feministe, ka pasur rritje të shqyrtimeve kritike ndaj petkut dhe statusit të grave muslimane.

Sipas këtyre grave “të lira”, hixhabi nuk e mbulon vetëm kokën, por e mbulon edhe mendjen dhe intelektin. Ato thonë se mënyra jonë e veshjes është e vjetëruar dhe shtypëse, dhe na ndalon neve nga të qenit njerëz produktiv. Ato flasin nga injoranca kur thonë se hixhabi ynë nuk i përket këtyre kohëve moderne, sepse për shkak të rënieve të vazhdueshme të vlerave morale në mbarë botën sot, rrethanat e bëjnë hixhabin edhe më të nevojshëm.

Që nga agimi i qytetërimit, veshjet e gjata dhe shamitë kanë qenë gjithmonë të lidhura me devotshmërinë dhe me ndërgjegjshmërinë ndaj Zotit. Madje edhe përfaqësimi krishter pikturesk i profetëve të mëparshëm dhe grave të tyre, kanë ngjashmëri më veshjen e përshkruar për burra dhe gra muslimane (p.sh. Maria). Kjo traditë modestie është e pasqyruar në Kuran, ku Allahu thotë:

O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri.” (Kuran 7:26)

Allahu urdhëroi hixhabin për gruan Muslimane, për ta mbrojtur atë nga dëmi.

Ai i njeh krijesat e Tij, dhe e di se kur gratë zbulojnë marramendësisht veten e tyre, me rroba jomodeste, trupa të parfumuar dhe fytyra të grimosura, shërben në rritjen e devijimit seksual të shoqërisë në përgjithësi. Shumë prej atyre që janë të humbur sidoqoftë, dëshirojnë që ne të mendojmë se hixhabi është burg i lëvizshëm që kufizon mendjet, jetët dhe zemrat tona. Hixhabi nuk është asnjëra nga këto gjëra, dhe në mënyrë që të mos biem viktimë në kurthet e tyre, ne duhet të kuptojmë se çfarë në të vërtetë është hixhabi: burim i lirisë, dinjitetit dhe mbrojtjes.

Hixhabi është...

• Është vepër bindjeje ndaj Krijuesit.
• Është vepër nderi dhe dinjiteti.
• Është vepër besimi dhe mbështetjeje.
• Është vepër modestie.
• Është vepër pastërtie.
• Është vepër turpi nga modestia.
• Është vepër drejtësie.
• Është mburojë.

Hixhabi nuk është...

NUK është diçka e re. Gratë muslimane ndjekin shembullin e grave besimtare të së kaluarës; si shembullin e Marisë (Merjemes), nënës së Jezusit (Isait alejhi selam).
NUK është simbol i shtypjes.
NUK është e nevojshme në vendet jopublike, ku ka vetëm femra ose meshkuj të afërm.
NUK është mjet që kufizon lirinë e gruas për të shprehur pikëpamjet dhe mendimin e saj, ose për të pasur arsimim dhe karrierë.
NUK është vepër kundërshtimi, konfrontimi ose protestë ndaj jomuslimaneve.
NUK është burg i lëvizshëm.

Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” (Kuran, 33:35)

Burimi: www.iisna.com
Përktheu: Driton Ajdin Xhezairi
(vazhdon)
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.