MЁNYRA E ABDESIT

 
Thirrje pėr ty - o lėnės i namazit! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Omer Bajrami   
e diel. 05 shkurt 2012
 O lënës i namazit, a e di që urdhëruesi yt për namaz është Allahu? A e di që namazi është i vetmi adhurim që është bërë obligim në qiell, për të treguar madhështinë dhe rëndësinë e këtij adhurimi?




Vërtet njeriu në këtë jetë preokupohet me brenga dhe probleme të ndryshme. Ai has në këtë jetë sprova dhe sakrifica të mëdha dhe të llojllojta. Por, sprova më e madhe që mund ta godet atë është sprova në fenë dhe imanin e tij. Kjo është sprova më e madhe, që nuk ka sprovë mbi të. Nëse njeriut i rrezikohet besimi dhe feja e tij, çfarë sprove tjetër e kësaj bote mund të krahasohet me këtë sprovë?! Kadi Shurejh ka thënë: Kur më godet ndonjë sprovë, e falënderoj Allahun për tri gjëra: për shkak se ajo ka pasur mundësi të jetë më e madhe se sa më ka goditur, se Allahu më ka dhënë durim që ta përballoj atë, dhe se sprova është në dynjanë time e nuk është në fenë time.

Hatim ibn Esam ka thënë: Kur më ka vdekur vajza ime, më kanë ardhur mijëra njerëz të më ngushëllojnë; ndërsa kur më ka ikur një namaz me xhemat, nuk ka ardhur të më ngushëllon askush; andaj edhe e kam kuptuar se sprova në fe është shumë më e madhe se sprova në dynja.

Për atë edhe Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) bënte dua edhe thoshte:
“O Zot, mos e bën sprovën tonë në fenë tonë”. Ngase sprova në fe është sprova më e madhe që mund ta godet njeriun.

O lënës i namazit, vërtet ti je në një sprovë të madhe. Vërtet ti je në një humbje të madhe. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. (El-Asr, 1-3)

A je ti prej atyre që bën punë të mira? A je ti prej atyre që kënaqesh me adhurim ndaj Allahut?
 Imam ibn Xheuzij ka thënë: Një njeri prej Beni Israilëve tha: “O Zot, sa shumë mëkate që bëj, e Ti nuk më dënon!” Atëherë Allahu e dërgoi një melek dhe i tha: “A nuk ta ka marrë Allahu kënaqësinë e adhurimeve?” Tha: “Po.” Tha: “Allahu është duke të dënuar, por ti ende nuk je duke e kuptuar atë.”

O lënës i namazit, a e di që urdhëruesi yt për namaz është Allahu? A e di që nuk ka urdhër më të madh se urdhri i Tij? A e di që namazi është i vetmi adhurim që është bërë obligim në qiell, për të treguar madhështinë dhe rëndësinë e këtij adhurimi? A e di që Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) para se të ndahet prej kësaj bote të ka lënë një testament dhe të ka porositur që ta ruash namazin? A e di që Iblisi ka dalë prej mëshirës së Allahut, vetëm pse ka refuzuar një sexhde? A e di që dallimi ndërmjet muslimanit dhe jomuslimanit është namazi? A e di që pyetja e parë që do të parashtrohet ty, është pyetja për namazin tënd?

O lënës i namazit, cila është arsyeja që ti nuk i bjen në sexhde Allahut? Mos ndoshta do të arsyetohesh se ke punë dhe je i zënë? Se namazi sikur është bërë obligim vetëm për të papunët, ndërsa ata që punojnë... Deri kur fjala e firmës dhe e shefit tënd, do të jetë më me rëndësi se fjala dhe urdhri i Krijuesit tënd? Je në gjendje të kujdesesh për punën tënde, për shëndetin tënd, për familjen tënde, për fëmijët e tu, për shtëpinë dhe pasurinë tënde, për të gjitha që i sheh të nevojshme në jetën tënde, ndërsa për të vetmen gjë e cila është më me rëndësi se të gjitha këto që u përmendën, nuk je në gjendje të kujdesesh për të? Nuk je në gjendje të kujdesesh për imanin tënd? E nëse e humb atë, më thuaj çka mund të fitosh?!

Apo ndoshta ke mendjemadhësi dhe mendon se nuk të takon ty t'i përulesh dhe t’i bësh sexhde Allahut? Apo Allahu nuk e meriton që ti të përulesh ndaj Tij? Ndërsa njerëzit të cilët së paku një të mirë që ta bëjnë ty, mundohesh që t’ua kthesh atë me të mirë. E sa të mira i ke prej Allahut? Allahu i Lartësuar thotë:
“Në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni ato. Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe përbuzës“. (Ibrahim, 34)

O lënës i namazit, si do të ishte gjendja jote sikur nëpër xhamia njerëzit të shpërndanin të holla? Nëse për çdo namaz do të fitoje vetëm nga pesë euro, do të mungoje në xhami? Do ta lije namazin? Jo sigurisht, sepse për një ditë do të fitoje njëzet e pesë euro, ndërsa rrogën në muaj do e kishe shtatëqind e pesëdhjetë euro! Do të mungoje? Do të ishe i zënë? Do të thoje le të falen ata mëkatarët? Do të thoje se mjafton që ta kesh zemrën e pastër? Apo do të ishe prej të parëve në xhami? Do të ishe më i “devotshmi“ i namazfalësve... E kjo bëhet kur imani yt është në të holla. Kur namazi për ty nuk vlen as sa pesë euro. Kur xheneti për ty nuk vlen as sa një rrogë në muaj. Kështu që ti je shndërruar në një rob të pasurisë dhe të kësaj bote, i cili ka harruar Krijuesin dhe të mirat e Ahiretit.

Apo do të thuash se nuk është aq me rëndësi namazi. Me rëndësi është që ta kesh zemrën e bardhë dhe të pastër dhe mos t’i bësh dëm askujt. Subhanallah! A mund të ketë ndonjë njeri i cili ka zemër të pastër dhe e urren Allahun? Dhe nuk e don takimin me Të? Dhe bëhet rob i pasurisë dhe të mirave të kësaj bote? Assesi. Përkundrazi, zemra jote është nxirë prej katranit të mëkatit dhe shfrenimit të kësaj bote, e cila ka harruar adhurimin dhe pendimin ndaj Allahut të Lartësuar.
Por, ja edhe nëse pranojmë se zemra jote është e pastër, kush të ka thënë se namazi nuk është obligim për ata që kanë zemër të pastër? A nuk ishte zemra më e pastër e mbarë njerëzimit zemra e Muhamedit (salallahu alejhi ve selem)?! Por megjithatë ai është falur natën dhe ditën, derisa i janë enjtur këmbët e tij duke qëndruar në namaz, ndërsa zemra jote “e pastër“ ku është?!

O lënës i namazit, është për t’u habitur me ty se si ka mundësi të mos falesh. A e di që nuk ka asnjë krijesë në këtë botë, që nuk i bën ibadet Allahut? Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk e di për Allahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe yjet, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz. Por shumë (njerëz) janë që e meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. Allahu vepron atë që dëshiron“. (El-Haxh, 18)

O lënës i namazit, deri kur nuk do të falesh? Deri kur të dalësh në pension? Deri kur të plakesh? Deri kur të lirohesh nga obligimet dhe problemet e kësaj bote? Deri kur...?! Apo pret që të thotë imami për ty, sikur që tha për dikë para teje: "E falim sot, atë që vendosi të falet prej nesër!"

O lënës i namazit, falu! Falu, para se të vjen momenti që të thahet pështyma, të ngjitet fyti, të ngushtohet gjoksi, dhe nuk të pranohet besimi as pendimi. Falu para se të vjen meleku i vdekjes dhe të thotë: „Dil o shpirt i fëlliqur, te Zoti yt i hidhëruar dhe i pakënaqur me ty. Falu, para se të thuash: “Ah i mjeri unë, sikur të isha parapërgatitur për jetën time!“. (El-Fexhr, 24) Falu para se të thuash: “...Ah mjer për mua, sikur të isha bërë dhe“. (En-Nebe‘, 40)

Allahu i Lartësuar thotë:
O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet Allahu i falë të gjitha mëkatet. Ai është që falë shumë dhe është Mëshirues”. (Ez-Zumer, 53)
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.