MЁNYRA E ABDESIT

 
Vlera e muajit muharrem dhe agjėrimi i ditės sė ashures PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ...   
e diel. 10 nėntor 2013

Sa jemi nevojtarë për këto ditë të begatshme që të na falen gjynahet, andaj të jemi robër falënderues ndaj Allahut dhe më të kujdesshëm në shfrytëzimin e tyre duke e përkujtuar njëri-tjetrin me agjërim dhe adhurim.




Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të dërguarin sal-lallahu alejhi ve sel-lem.

 

Muaji muharrem me të vërtetë është një muaj madhështor dhe i begatuar te Allahu xhel-le she’nuhu, është muaji i parë i vitit hixhrij (hënor) dhe njëri prej katër muajve të ndaluar dhe të shenjtë. Allahu thotë:

 

"Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, ashtu siç është në librin e Allahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë dhe mos e dëmtoni veten tuaj (me mëkate) në ata..." (Eteube, 36).

 

Transmetohet se i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Viti i ka dymbëdhjetë muaj, katër nga ata janë të ndaluar, tre janë varg: Dhul ka’de, Dhul hixhxhe dhe Muharrem kurse muaji Rexheb është mes Xhumadej dhe Shaban” [Transmeton Buhariu nr.2958].

 

Vetë fjala Muharrem në gjuhën arabe d.m.th “e ndaluar”. Në ajetin e sipërmendur ku ka thënë Allahu “dhe mos e dëmtoni veten tuaj në ata“, nënkuptohen muajt e ndaluar sepse mëkati është më i madh në këta muaj sesa në të tjerët.

 

Kurse Abdullah ibn Abasi ka thënë për këtë ajet: mos e dëmto veten tënde në çdo muaj, e më pas Allahu i ka veçuar këta katër muaj, i ka bërë të ndaluar dhe e ka madhëruar shenjtërinë e tyre, ku mëkatimin edhe shpërblimin i ka shumëfishuar në këta muaj.

 

VLERA E AGJËRIMIT TË MUAJIT MUHARREM

 

Transmetohet nga Ebu Hurejre r.a. se i dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharrem.” [ Transmeton Muslimi nr.1982].

 

I dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, këtë e quajti muaj i Allahut për shkak të vlerës dhe madhërisë. Është vërtetuar se i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem nuk e ka agjëruar asnjë muaj tërësisht përpos muajit të Ramazanit, kështu që nga ky hadith nënkuptojmë vlerën e agjërimit sa më shumë të ditëve të këtij muaji të bekuar.

 

DITA E ASHURES NË HISTORI

 

Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi i cili ka thënë: ”Erdhi i dërguari Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem në Medinë dhe i pa çifutët duke agjëruar ditën e Ashures dhe tha: ç’është kjo? I thanë: Kjo është ditë e mirë, në këtë ditë Allahu i shpëtoi beni Israilët nga armiku i tyre dhe e ka agjëruar këtë ditë Musai alejhi selam.Tha: Unë jam më meritor për Musain alejhi selam sesa ju, dhe e agjëroi këtë ditë dhe ka urdhëruar që ta agjërojnë”. [Transmeton Buhariu nr.1865]

 

Në transmetimin e Muslimit është përmendur në hadith: ”Kjo është një ditë e madhe, në këtë ditë Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam dhe popullin e tij, dhe e fundosi Faraonin dhe popullin e tij, dhe e ka agjëruar Musa alejhi selam në shenjë falënderimi ndaj Allahut andaj edhe ne e agjërojmë këtë ditë”.

 

Kurse në transmetimin e imam Ahmedit është përmendur kështu: ”...dhe kjo është dita kur është ndalur anija (e Nuhit a.s.) në kodrën Xhudij dhe e ka agjëruar këtë ditë Nuhi a.s. në shenjë falënderimi ndaj Allahut”.

 

Poashtu transmetohet nga Buhariu se i dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, u ka thënë shokëve të tij: ”Ju jeni më meritor për Musain alejhi selam sesa ata (çifutët), andaj agjëroni këtë ditë”.

 

Agjërimi i ditës së ashures ka qenë traditë e njohur edhe në periudhën e injorancës (para shpalljes së Muhamedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem) dhe transmetohet se Aisheja r.a. ka thënë: “Populli i injorancës e agjëronin këtë ditë”.

 

Imam el-Kurtubiu ka thënë: “Me siguri kurejshëve u ka mbetur kjo traditë nga feja e Ibrahimit a.s. dhe është vërtetuar se i dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka agjëruar këtë ditë edhe në Mekë para se të shpërngulej në Medinë, pastaj ka hasur se çifutët e festonin këtë ditë, gratë e tyre u stolisnin me rroba të bukura, dhe për t’u dalluar besimtarët nga jobesimtarët i dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, nuk iu lejoi myslimanëve kremtimin e kësaj dite por i urdhëroi besimtarët me agjërim.

 

VLERA E AGJËRIMIT TË DITËS SË ASHURES

 

Transmetohet nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë: Asnjë herë nuk e kam parë të dërguarin sal-lallahu alejhi ve sel-lem më të kujdesshëm në agjërim sesa për agjërimin e ditës së Ashures dhe muajit të Ramazanit. [Buhariu nr.1867].

 

Poashtu i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: ”Me agjërimin e ditës së Ashures shpresoj tek Allahu të m’i falë mëkatet e vitit të kaluar”. [Muslimi 1976].

 

Pra kjo është dhuntia e Allahut xhele shanuhu dhe mëshira e Tij ndaj besimtarëve ku për një ditë të agjërimit vullnetar i shlyen gjynahet e një viti. Andaj të jemi sa më të kujdesshëm që të mos na kalojë kjo datë pa e agjëruar.

 

CILA DITË ËSHTË ASHURA?

 

Vet fjala “Ashura” në gjuhën arabe d.m.th. “e dhjeta” pra dita e dhjetë e muajit Muharrem.

 

ËSHTË SUNNET QË TË AGJËROHET DITA E NËNTË DHE E DHJETË E KËTIJ MUAJI

 

Transmetohet nga Abdullah ibni Abbas: Kur agjëroi i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ditën e dhjetë dhe urdhëroi për të agjëruar , shokët i thanë atij: Këtë ditë e madhërojnë çifutët dhe të krishterët o i dërguar i Allahut! Ai ua ktheu duke thënë: ”Kur të vjen viti i ardhshëm inshaAllah e agjërojmë edhe ditën e nëntë”,dhe nuk e përjetoi i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem vitin e ardhshëm dhe vdiq. [Muslimi nr.1916].

 

Megjithatë agjërimi i ditës se nëntë mbetet sunet i të dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem për ummetin e tij edhe pse nuk e ka përjetuar këtë ditë të agjërimit, sepse po të ishte gjallë ai do ta kishte agjëruar këtë ditë.

 

Shejhul islam ibnu Tejmijjeh ka thënë: “Kuptohet qartë nga ky hadith se qëllimi i agjërimit të ditës së nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem është të dalluarit nga ithtarët e librit (çifutët dhe të krishterët) dhe mos përngjarja me ta”.

 

CILAT MËKATE FALEN ME AGJËRIMIN E DITËS SЁ ASHURAS

 

Imam Neveviu ka thenë: “Me agjërimin e ditës së ashures falen të gjitha mëkatet e vogla përpos mëkateve të mëdha”.

 

Poashtu Ibn Tejmije ka thënë: “Abdesi, namazi, agjërimi i muajit të ramazanit, ditës së arafatit dhe ditës së ashures i shlyen vetëm mëkatet e vogla”.

 

Ndërsa sa i përket mëkateve të mëdha duhet penduar me kushtet e pendimit.

 

RISITЁ  (BIDATET) E DITËS SË ASHURES

 

Është pyetur shejhul-islam Ibnu Tejmije [Allahu e mëshiroftë!] për veprimet që veprojnë njerëzit në ditën e ashures, si: p.sh. lyerja e duarve me kanë, larja e trupit, përshëndetjet, zierja e farave (grurit), kremtimet etj., se a janë të bazuara këto veprime në Kur’an dhe sunet apo jo?

 

Përgjigjja: Falënderimi i takon vetëm Allahut të Madhëruar, për asnjë vepër të tillë nuk është transmetuar ndonjë hadith nga i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem, as nga shokët e tij, e as që e ka pëlqyer dikush prej dijetarëve islamë apo dikush nga katër imamët ose dikush tjetër, as që është transmetuar ndonjë argument i saktë apo i pasaktë për gjëra të tilla në librat më me famë islame nga i dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem apo sahabët apo tabiinët.

 

Më pas Ibn Tejmije tregon ngjarjet dhe sprovat që kanë ndodhur në fillimin e këtij umeti, si vrasjen e Husejnit r.a., dhe çka kanë shpikur sektet dhe grupacionet më pas, në vazhdim thotë:

 

Kanë dalë grupe njerëzish injorantë dhe dëmbërës dhe janë të ndarë në dy sekte:

 

1. Shtrembëruese së të vërtetës, hipokritë, ose

 

2. Të humbur e të degjeneruar të cilët pretendojnë dashurinë e të dërguarit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe familjes së tij, e shëndrrojnë ditën e ashures në ditë të pikëllimit dhe vajtimit, ku demonstrojnë simbole të injorancës, si: rrahja e vetes, shkoqja e rrobave, brohoritja me ngushëllime të injorancës, recitime të poezive pikëlluese si dhe transmetimin e tregimeve të rrejshme e të trilluara dhe nuk ka në të asgjë të vërtetë përpos ripërtëritjes së pikëllimit, radikalizmit, revoltimit të urrejtjes, luftës dhe shpikjes së fitneve në mesin e myslimanëve dhe gradualisht arrijnë deri tek sharja e sahibëve... Sherrin dhe dëmin e këtyre ndaj Islamit dhe myslimanëve nuk mund t’i numërojë as njeriu i cili është më orator në gjuhën e tij.

 

Pra të cilët kanë rënë në këtë besëtytni ose janë radikalët dhe ekstremistët ndaj Husejnit r.a. (shiat me grupet e tyre), ose i takojnë grupit të injorantëve të cilët të keqes iu kanë përgjigjur me të keqe dhe gënjeshtrës me gënjeshtër dhe bidatit me bidat, kanë shpikur tradita që simbolizojnë gëzimin dhe kremtimin e ditës së ashures me lyerjen e kanës, harxhimet brenda familjes me zierjen e ushqimeve (ëmbëlsirave) të dalluara nga ditët e zakonshme, e gjëra të ndryshme sikur që bëhen në ditët e bajrameve dhe gëzimeve, pra këta e konsiderojnë ditën e ashures ditë të bajramit dhe të gëzimit, kurse ata të parët e konsiderojnë ditë zie dhe pikëllimi dhe që të dyja grupet janë jashtë sunetit të Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem. [El-Fetavel Kubra- Ibnu Tejmijjeh].

 

Lexues të nderuar!

Sa jemi nevojtarë për këto ditë të begatshme të Allahut, që të na falen gabimet dhe gjynahet tona dhe të jemi robër falënderues të Madhit Allah, andaj së bashku të jemi më të kujdesshëm në shfrytëzimin e këtyre ditëve duke e përkujtuar njëri-tjetrin me agjërim dhe adhurim.

 

E lusim Allahun e Madhëruar të na bëj prej pasuesve të sunnetit të Muhammedit sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe të na gjallërojë me Islam dhe të vdesim me iman.

 

E lusim Allahun të na ndihmojë në përmendjen, falënderimin dhe adhurimin ndaj Tij, e lusim të na i pranojë lutjet tona dhe të na bëj të devotshëm.

 

Paqja dhe mëshira Allahut qoftë mbi Muhammedin sal-lallahu alejhi ve sel-lem dhe mbi familjen dhe shokët e tij. Amin!

 

Përktheu dhe përshtati: Hadith Miftari

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.