MЁNYRA E ABDESIT

 
E magjepsur nga thirrja pėr namaz PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ...   
e martė. 18 tetor 2011
 As miliona fjalë nuk mjaftojnë për ta përshkruar si duhet dashurinë time për Zotin. Është ndjenjë e thellë, e sinqertë që vjen nga thellësia e zemrës sime dhe lëviz nëpër çdo pjesë të trupit tim gjer në majat e gishtërinjve, kur flas me Zotin në namaz.


As miliona fjalë nuk mjaftojnë për ta përshkruar si duhet dashurinë time për Zotin. Është ndjenjë e thellë, e sinqertë që vjen nga thellësia e zemrës sime dhe lëviz nëpër çdo pjesë të trupit tim gjer në majat e gishtërinjve, kur flas me Zotin në namaz.

I jam shumë falënderuese Zotit për dhuratën e Tij, që më bëri mua myslimane. Gjatë gjithë jetës do ta lavdërojë dhe do t’i falënderohem Atij.

Udhëtimi në Islam filloi thjesht dhe pa rënë në sy. Gjithmonë më qeshet kur më kujtohet fillimi. Më pëlqenin udhëtimet me prindërit. Ne vizitonim vende të ndryshme muslimane. Egjipti ishte vendi i fundit dhe kultura e gjithçka në të tërhoqi vëmendjen time. Ishte hera e parë që isha pranë xhamisë, por nuk kam hyrë brenda derisa sa nuk e dija se a bën të hyj si jomyslimane.

Kurdo që e dëgjoja thirrjen për namaz, zemra më dridhej dhe hyja në një lloj transi dhe nuk dëgjoja diç tjetër përveç zërit nga minaret. Isha plotësisht e magjepsur prej tij. Solidariteti midis njerëzve të mbledhur në xhami dhe lutja e tyre së bashku më magjepsën dhe kanë mbetur në kujtesën time deri sot.

Kur u ktheva, ndjeja se kisha lënë diçka shumë të afërt me mua. Në atë kohë dija shumë pak për Islamin, pothuajse asgjë në krahasim me atë që di tani.

Kur erdha në shtëpi kisha një dëshirë të madhe ta mësoja arabishten sepse ishte magjepsëse për mua. Më ishte bërë njëra prej gjuhëve më të bukura në botë. Por në qytetin tim nuk kishte kurse të gjuhës arabe. Kishte vetëm kurse të gjuhës angleze dhe gjermane. Ata pothuajse arritën të kenë kurs të arabishtes, por u anulua madje para se të fillonte. Kjo ishte pak para se të fillonte muaji ramazan pasi mësuesi përgatitej për të shkuar në shtëpi. Ngacmimi im u zëvendësua me zhgënjim.

Kaloi një kohë dhe unë fillova t’i qasem Islamit gradualisht. Lexoja për Islam në ueb-faqe të ndryshme dhe shikoja të gjitha llojet e programeve televizive rreth Islamit dhe myslimanëve. E ndoqa një diskutim në një forum të grave myslimane në internet ku gjeja çdoherë më shumë njohuri. Në mesin e tyre ishin edhe disa gra sllovake. Njëherë një motër nga Kosica shkroi se atje kishte mësime të Kuranit dhe gjuhës arabe. Emri i saj më ishte i njohur pasi e kisha parë në një shfaqje duke diskutuar me disa gra tjera myslimane para një muaji. Menjëherë ia dërgova një email asaj dhe i thashë se dëshiroja të ndiqja këto mësime dhe ajo ma ktheu atë. U takuam pas një jave. Ajo ishte e këndshme dhe e mirë dhe kisha një bindje shumë të mirë për të. Kisha ndjenjën e qetësisë dhe sigurisë kur rrija me të.

Nuk kisha paragjykime për askënd dhe për asgjë, kështu që nuk ishte e vështirë për mua të mësoja diçka të re. Mësonim së bashku dhe njiheshim me vajza dhe gra tjera gjithashtu. I ndiqja mësimet rregullisht dhe më së shumti më pëlqenin mësimet e Kuranit. I mësuam disa sure dhe pavarësisht se unë nuk isha myslimane, secila ishte e durueshme me mua dhe më respektonte.

Mësimet e arabishtes përfunduan pas disa muajsh, por ne të gjitha takoheshim edhe pas kësaj. Bisedonim me orë të tëra. Për mua kjo do të thoshte shumë sepse mund të isha me to dhe të shihja nga afër jetën e tyre.

Nuk ishte e qartë për mua se a dëshiroja të bëhem myslimane. Nuk e dija se si por e dija se do të ndodhte. Nuk e konsideroja vendimtare ndërrimin e fesë. Gjëja e rëndësishme për mua ishte të mësoj për Zotin dhe ta dua Atë.

I pyeta shoqet se si mund ta gjeja rrugën e vërtetë. Ato më thanë se një ditë do të merrja një shenjë nga Zoti, një ndjenjë të veçantë që nuk do të ngatërrohej me asgjë. Kështu që prisja...

Familja ime është krishtere, por askush nuk më udhëzoi në religjion. Nëna ime më thoshte se isha e lirë në këtë gjë. Ajo nuk më detyroi të besoja apo të mos besoja. Ne nuk shkonim në kishë por të gjithë besonim në Zot. Por, gjithmonë e ndjeja se unë isha më afër Atij se të gjithë anëtarët e familjes sime.

Koha kaloi dhe çdo gjë u qetësua. Ishte një mungesë afatshkurtër e interesit. Sikur mënyra e mëparshme e jetës u kthye prapa. Dëshiroja të takoja gra myslimane. Në shtëpi nuk mund të mësoja aq. Për këtë arsye e luta me çiltërsi Zotin, aq sa munda, dhe e luta të më jep një shenjë dhe të më bënte myslimane nëse ishte dëshira e Tij.

Në verë kalova pak kohë te gjyshërit e mi dhe kur u ktheva në shtëpi nga pushimi, ishte një kthim në zemrën time dhe e ndjeva atë ndjenjën e veçantë, thirrjen që e dëgjoja aq shumë por kurrë nuk e kisha provuar. Më erdhi papritur.

Më kujtohen fjalët e shoqeve: “Do ta ndjesh atë. Zoti do të jap një shenjë. ”Kurrë nuk do ta harroj atë ndjenjën e asaj kohe. Ishte sikur fëmija i dëshpëruar kur dëshiron diçka. Ndjeja një dëshirë të madhe të bëhesha myslimane. Ndjeja se Zoti përcillte çdo mendim timin, çdo dëshirë timen dhe unë dëshiroja të isha më afër Tij.

Besoja në të vërtetën dhe fuqinë që e kishte sjellë Ai te ne përmes të dërguarit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të). Papritmas nuk kisha më dyshim. E dija që zgjedhja ime ishte e drejtë për mua. Dhe nëse më pyesni pse, nuk mund t’ua shpjegoj. Ju thjesht e dini.

I shkrova shoqes sime të dashur, myslimanes së parë që e takova dhe e cila më ndihmoi më shumë se çdokush tjetër. Po atë ditë e deklarova shehadetin në praninë e saj dhe disa grave tjera myslimane.

Kur më përqafoi ajo, ndihesha si një person i ri. E lindur përsëri, e pastruar prej çdo gjëje më parë dhe e gatshme për jetën në përputhje me Kuranin dhe sunetin e të Dërguarit.

Nëse dikush do të më thoshte para disa vitesh se çka do të bëhesha dhe çfarë drejtimi do të merrte jeta ime, sigurisht që nuk do t’i besoja. Nuk do të mund ta imagjinoja jetën si myslimane. Dhe tani nuk mund të imagjinoj një jetë tjetër...

Në fillim e ndjeja se kishte shumë gjëra që nuk i dija. Kur e vëzhgoja jetën e myslimanëve si jomyslimane, nuk e imagjinoja se sa shumë dinin ata. Kjo sepse unë i konsideroja ata si të ishin një.

Por pas bisedës sime kisha shumë pyetje. Dëshiroja të dija gjithçka prej fillimit. Kisha një dëshirë të fuqishme për të mësuar e studiuar. Islami e zgjoi jetën në mua. Dëshiroja të merrja informacione, mësime, të njihja historinë e këtij religjioni të madh dhe t’ua përcjellë dijen time të tjerëve.

Përpjeka ime e parë për t’u falur ishte shumë amatore, por sinqerisht vinte nga shpirti im sepse kisha dëshirë të madhe për ta mësuar atë. Në fillim e shkrova të gjithë procedurën e faljes në një letër dhe i lexoja suret prej aty.
Gjithmonë e lusja Zotin për të më ndihmuar për t’u përmirësuar. Rreth tri javë më vonë mund të falesha pa letër.

Islami është i bukur sepse në të ne mësojmë gjithçka për jetën tonë. Nuk mund ta arrijmë kurrë përsosmërinë sepse Zoti na mësoi se vetëm Ai është i përsosur. Por është detyrë e jona të jemi shpirtërisht afër Tij, të jetojmë duke u bazuar në urdhrat e Tij, të largohemi nga ajo çka na ndaloi Ai dhe të bëhemi shembull për të tjerët rreth nesh. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i tregojmë Atij dashurinë tonë të madhe dhe devotshmërinë.


Nga anglishtja: Fexhrie Kaçiu

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.