MЁNYRA E ABDESIT

 
O Zoti im! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e enjte. 14 korrik 2011
 Gjithnjë kur bëj një padrejtësi më ngushtohet kraharori, e ndiej një siklet të brendshëm! Pastaj, të gjej Ty, o Zoti im, duke pritur me mallëngjim pendimin dhe kthimin tim tek Ti! Vetëm Ti je i Lartë dhe i Patëmeta, i Pastër dhe i Butë.




Sytë po i mbulon një shtresë e lehtë, e ëmbël, e lëngët. Dua të më rrëqethet lëkura kur përmend emrin Tënd, pa të Cilin nuk mund të mbijetoj. Provoj dëshpërimin, e sa i ftohtë është ai. Më jep mësimin e çmuar se nuk mund të mëshirohem përveç prej Teje.

Në Ty më pushon dhe më prehet e tërë qenia. Edhe atëherë kur jepem pas stolive të kësaj bote, kur epshi dhe lakmia sikur duan të më pushtojnë, duke u tërhequr i zemëruar dhe i hidhëruar, zemra ime shkon zvarrë për toke.

Sa i padrejtë është njeriu! Unë jam njeri...
Jam harrestar. Vazhdoj të harroj, gjithnjë kur bëj një padrejtësi më ngushtohet kraharori, e ndiej një siklet të brendshëm!
Pikëllohem, mërzitem e rrëzohem. Vazhdoj duke kërkuar atje ku thatësia ka prekur gjithçka, e gjithçka ka prekur, ka tretur! Duke lënë në harresë një emër të madh, një emër që çdo krijesë ka nevojë për Të! Një Zot që dëgjon, vështron e mbikëqyr krijesat e Tij me durim e dashuri!

Më ngatërrohen mendimet dhe ndjenjat. Nuk di më çfarë dua dhe për ku jam nisur. Pastaj, të gjej Ty, o Zoti im, duke pritur me mallëngjim pendimin dhe kthimin tim tek Ti! E kush tjetër mund të më falë, kur falja kërkon durim, butësi, mëshirë e dhembshuri të pandalshme!

Vetëm Ti je i lartë dhe i patëmeta, i Pastër dhe i Butë. Ty nuk të prek ajo që prek krijesat e Tua. Kur më prek pikëllimi, dhembja, trishtimi, harroj madje edhe vetveten. E si mund të kujtoj të tjerët, e si mund të duroj kur ndaj vetes bëhem i padurueshëm! E si mund të falë, kur as veten nuk mund ta falë!

Vërtet, Ti je Falës i Madh, më fal mua dhe të gjithë robërit e Tu të devotshëm, dhe të gjithë ata që të drejtohen me sinqeritet!

Më udhëzo dhe ruaje udhëzimin tim prej vetvetes sime!


 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.