MЁNYRA E ABDESIT

 
Lidhja e fortė e motrave PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Dr. Aisha Hamdan   
e enjte. 30 qershor 2011
 Është lidhje në mes zemrave dhe mendjeve në mënyrë unike dhe speciale; deri në atë masë sa ato janë të gatshme të sakrifikojnë çdo gjë për njëra-tjetrën duke e ditur se do ta fitojnë kënaqësinë e Allahut me këtë. Asgjë nuk bëhet për qëllime ose përfitime të kësaj bote.


Profeti, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kushdo që i ka tri cilësitë vijuese do ta shijojë ëmbëlsinë e imanit (besimit): ai te i cili Allahu dhe i Dërguari i Tij janë më të dashur se çdo gjë tjetër, ai i cili e do vëllanë (ose motrën) vetëm për hir të Allahut, dhe secili që urren të kthehet në mosbesim ashtu siç urren të kthehet në zjarr.” (Transmetojnë: Buhariu dhe Muslimi)

Megjithëse lehtë e kemi kuptuar ëmbëlsinë e imanit nga përvoja e të dashurit Allahun dhe të Dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, dhe nga urrejtja e kthimit në mosbesim, koncepti i të dashurit motrën në Islam nuk është diskutuar shpesh në këtë mënyrë. Si mund të lidhet me ëmbëlsinë e imanit dashuria e motrës në Islam? Dhe çka është ëmbëlsia e imanit?

Në esencë, dashuria për hir të Allahut është një gjë e cila vërtet nuk mund të kuptohet derisa të përjetohet. Por disa shpjegime mund të jenë të dobishme.

Dashuria për hir të Allahut

Kur gruaja myslimane e do motrën e saj në Islam ajo e do atë për hir të Allahut të Lartësuar – siç përmendet në hadith. Kjo do të thotë se dashuria për motrën e saj është e lidhur dhe është pjesë e dashurisë së saj për Allahun. Ajo mund ta do dhe dëshirojë të bëhet shoqe dhe e afërt e saj për të gjitha arsyet e mira që njerëzit duan të jenë shokë të tjetrit, por më tepër, ajo e do dhe e trajton atë në mënyrën që është urdhëruar nga Allahu.

Në këtë mënyrë, gruaja myslimane është e bindur se dashuria për motrën e saj do të qëndrojë, sepse ato ndajnë të njëjtën lidhje që nuk mund të thyhet kurrë, lidhja e besimit në Allahun, Krijuesin e të gjitha qenieve njerëzore, Zotin përmes dashurisë së të Cilit duhen njerëzit, respektohen dhe janë të dashur për njëri-tjetrin. Është lidhje në mes zemrave dhe mendjeve në mënyrë unike dhe speciale; deri në atë masë sa ato janë të gatshme të sakrifikojnë çdo gjë për njëra-tjetrën duke e ditur se do ta fitojnë kënaqësinë e Allahut me këtë. Asgjë nuk bëhet për qëllime ose përfitime të kësaj bote.

Pozita e atyre që duhen për hir të Allahut

Është e rëndësishme të kuptohet se dashuria vetëm për hir të Allahut nuk krijohet dhe ushqehet lehtë, por për ata që e bëjnë këtë, shpërblimi shkon përtej shijimit të ëmbëlsisë së imanit në këtë botë me mirësi të paimagjinueshme e kënaqësi të përjetshme në parajsë. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar do të pyesë: ‘Ku janë ata persona të cilët (në këtë botë) e deshën njëri-tjetrin për hir të Kënaqësisë Sime? Në këtë ditë do t’i strehoj ata nën hijen Time. Sot nuk ka hije tjetër përveç hijes Sime’” (Muslimi)

Motrat që e duan njëra-tjetrën për hir të Allahut do ta gjejnë hijen e Tij në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër. Shpërblimi që jep Allahu për dashuri të tillë është më i madh se
që ne mund ta fitojmë përmes veprave tjera. Kjo e thekson rëndësinë e të dashurit njëra-tjetrën për hir të Allahut.

Në një transmetim tjetër profeti, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Një njeri shkoi për ta vizituar një vëlla në një fshat tjetër. Allahu i Lartësuar e dërgoi një engjëll ta presë atë në rrugë. Kur burri erdhi, engjëlli e pyeti atë: ’Për ku je nisur?’ Ai tha: ‘Po shkoj ta vizitoj një shok timin i cili jeton në këtë fshat.’ Engjëlli e pyeti: ‘A i ke bërë atij ndonjë të mirë (për të cilën tani kërkon shpërblim)?’ Ai tha: ‘Jo, vetëm se e dua për hir të Allahut’ Engjëlli i tha atij: ‘Jam dërguar prej Allahut te ti, për të treguar se Ai ju do juve ashtu si e doni ju vëllanë tuaj për hir të Tij’” (Muslimi)

Si mund ta mohojmë ose injorojmë rëndësinë e kësaj, kur ne kuptojmë se dashuria jonë për motrën tonë në Islam sjell te ne dashurinë e Allahut? Si mund ta trajtojmë motrën tonë në ndonjë mënyrë tjetër nga kjo e cila do të na shtojë Kënaqësinë dhe Mirësinë e Allahut? Si mund ta dëmtojmë motrën tonë në Islam duke e ditur se kjo mund të na çojë deri te humbja e të gjitha këtyre shpërblimeve dhe mirësive?

Ëmbëlsia e imanit

A e keni shijuar imanin? A e dini si duket?

Imani është një prej dhuratave më mahnitëse në këtë jetë, dhe sa e ëmbël që është. Ta duash motrën tënde në Islam për hir të Allahut është njëra prej rrugëve të shijimit të ëmbëlsisë së imanit. Përvoja e ëmbëlsisë urdhëron përpjekje, vetë-sakrificë dhe mëshirë.
Profeti, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk ka iman derisa nuk e dëshiron për vëllanë e tij atë që e dëshiron për vete.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ai, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, gjithashtu ka thënë:
Muslimanët në dashurinë e tyre të përbashkët, dashamirësinë dhe mëshirën janë sikur trupi i njeriut, kur ndonjëra prej pjesëve të tij është në vuajtje, i gjithë trupi e ndjen dhimbjen, edhe në pagjumësi dhe ethe.” (Buhariu dhe Muslimi)

Duke ndier dhimbjen ne duhet të nxitemi që t’ia lehtësojmë dhimbjen motrës sonë në Islam. Nuk duhet të flemë derisa motrat tona të jenë liruar nga dhimbja dhe vuajtja që e kanë përjetuar ato. Kur fillojmë ta ndjejmë dhimbjen, motrat tona kërkojnë dhe nuk pushojnë derisa ne bëjmë diçka për t’ua lehtësuar atyre, pastaj, dhe vetëm atëherë, ne ndjejmë kënaqësi dhe lumturi, pa marrë parasysh çfarë vështirësish kishim për t’i kaluar, ne e kemi shijuar ëmbëlsinë e imanit.

Kjo është njëra mënyrë që motra mund ta shijojë ëmbëlsinë e imanit, dhe ky është kulmi i të qenit besimtare. Arritja e kësaj është periudha thelbësore në rrugën për forcimin e umetit islam.  

Çelësi i të qenit besimtare e sinqertë

Të qenit besimtare e sinqertë në Islam nuk është çështje e thjeshtë dhe ka shumë mënyra për ta plotësuar atë.

Besimtarja e sinqertë në Islam do t’i dojë sinqerisht motrat e saj në Islam për hir të Allahut. Kjo nuk duhet të shpjegohet se motrat nuk do të kenë mosmarrëveshje ose probleme. Kjo nuk është e mundur, sepse ne jemi njerëz e jo engjëj. Ajo që e bën lidhjen tonë unike është fakti se ajo është e kontrolluar nga urdhrat e Allahut. Pa marrë parasysh se çka shkon keq, në fund të fundit, ne shoqërohemi me njëra-tjetrën sipas mënyrave të pranueshme të Sheriatit, duke kërkuar vetëm ta kënaqim Allahun.

Në këtë mënyrë, motra do të përpiqet shumë për ta mbajtur lidhjen e dashurisë dhe shoqërimit me motra. Ajo do të dojë për motrat e veta atë që e do për veten, dhe nuk do t’i braktisë ato apo t’i ndërpresë lidhjet me to. Ajo do t’i përshëndesë motrat e saj me gëzim, fytyrë të buzëqeshur, madje edhe nëse nuk i njeh ato. Toleranca dhe falja për gabimet do të jetë një pjesë e rëndësishme e karakterit të saj, dhe ajo duhet të jetë e vendosur për t’i mbuluar gabimet e motrave të saj. Atëherë nuk do të kishte urrejtje, zili ose inat, dhe ajo nuk do t’i lëndonte ndjenjat e tyre. Motra e vërtetë nuk do të shpifë as përgojojë, dhe do t’i ndalojë të tjerët që nxisin në këto sjellje të dëmshme. Ajo do të jetë e dashur dhe bujare për motrat e saj dhe do t’u ofrojë këshilla të sinqerta dhe dobiprurëse kur është e nevojshme. Ajo do të bëj çdo përpjekje për t’iu bashkuar atyre në drejtësi dhe për t’i ndaluar ato nga të këqijat. Ajo do të jetë besnike ndaj motrave të saj dhe t’i mbrojë ato në mungesën e tyre.

E gjitha do të na kthehet neve

Në fund, e gjitha do të na kthehet neve. Profeti, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili i ndihmon një myslimani për ta larguar një vështirësi në këtë botë, Allahu do t’ia largojë shqetësimet e mëparshme në Ditën e Gjykimit. Ai i cili i ndihmon dikujt për ta larguar vuajtjen, vështirësitë e tij do të largohen nga Allahu në këtë botë dhe në Ahiret. Ai i cili ua mbulon të metat myslimanëve tjerë, do t’i mbulohen të metat e tij në këtë botë dhe në tjetrën nga Allahu. Allahu vazhdon t’i ndihmojë robit përderisa ai shkon për t’i ndihmuar vëllait të tij.” (Muslimi)

Shpërblimet që i fitojmë janë shumë më tepër se përpjekjet dhe sakrifica që e bëjmë.


Nga anglishtja: Fexhrie Kaçiu
Marrë nga: www.islamweb.net

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.