MЁNYRA E ABDESIT

 
Tė jemi falėnderues PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 28 qershor 2011
  




Këtë bashkëbisedim po e fillojmë me një urti, madje shumë konkrete, dhe s’do të ndalemi duke cekur shumë rreth asaj se si të jemi falënderues ndaj Zotit, por do të mundohemi që të prekim disa gjëra të cilat vërtet shihen ose mësohen nga rrjedha e përditshmërisë së jetës.
“Dy kritere e bëjnë njeriun të pavdekshëm: njohuritë e thella profesionale dhe morali i lartë.”

Jo rastësisht e shkoqitëm këtë urti, ngaqë brenda tërë kësaj sillet i tërë karakteri i një njeriu. Fjala vjen; po qe se është njeri me pak njohuri por me moral të lartë, s’mund të zë ndonjë vend aq meritor brenda shoqërisë. Nëse ka njohuri të thella, por që s’ka moral, s’mund të ketë vend as në familje e as në shoqëri. Bëjmë një përjashtim, në shoqëri mund të ketë vend vetëm në mesin e atyre të cilët janë të nivelit të tij të ulët njerëzor. Andaj, nëse kthehemi dhe i shtjellojmë për së mbari këto kritere, arrijmë të kuptojmë drejt dhe qartë se feja në mënyrën më të mirë të mundshme na sqaron dhe mëson mënyrën e të jetuarit drejt dhe ligjet të cilat e ruajnë njeriun nga çdo humbje, dështim dhe greminë, madje përmes saj mësojmë se sa më shumë që zëmë dije të shëndoshë dhe e zbatojmë në jetë, aq më shumë zëmë vend meritor te Zoti në radhë të parë, pastaj edhe në familje e shoqëri, si dhe nuk mungon as vlera e lartë morale.

Kjo urti, duke e bërë krahasimin me vlerat e Islamit si fe, na jep të kuptojmë se Islami nuk përmban vetëm ligje për sjellje individuale, por ai posedon edhe ligje themelore për rregullin publik.
Sikur nuk po zënka vend askund ajo që trumbetohet se po të jesh i/e pasur, i/e bukur i ke të gjitha. Do të thotë se madhështia (fama), shkëlqimi, paraja shpesh të nesërmen nuk ekzistojnë. Të përhershme qenkan dija dhe morali.

Jo pa qëllim iu qasëm këtij bashkëbisedimi, padyshim se s’ka asgjë rastësi, as ky bashkëbisedim i yni në fjalë, kurse qëllimi i tij është vetëm një pikë synuese, vërtet duhet të jemi falënderues ndaj Zotit, e sidomos kur na mbron nga ndonjë gjë shkatërruese, poshtëruese, nga ndonjë vepër e cila në logjikën tonë ka mundur ose mund të figurojë si e qëlluar ose e mirë, kurse nga ana tjetër e medaljes së saj fshihet e keqja. Zoti na ruajttë nga çdo mosdije dhe nga çdo e ligë!

Si qenie shpeshherë biem pre e gjërave figurative, ose të dukshme nga jashtë, sidomos të atyre gjërave të cilat e mashtrojnë çdo njërin, si: sinqeriteti, njohuria e lartë, miqësia, devotshmëria etj. Sikur nuk na epet aspak hapësirë të mendojmë se prapa gjithë këtyre mund të fshihet e kundërta ogurzezë e cila s’të jep aspak afat e as hapësirë analitike. Në anën tjetër jemi në aso gjendje gatishmërie që t’i humbasim të gjitha, vetëm e vetëm që ta ruajmë shoqërimin, duke mos e ditur se pala tjetër është e ndërtuar vetëm nga jashtë. Palë e cila e ruan vetëm interesin personal, kultivon për vete interes dhe synon të arrijë vetëm për vetveten, madje shfrytëzon edhe mundësitë e mundshme të shoqërisë duke mos e vrarë aspak ndërgjegjen se kjo nuk është legjitime e as jetëgjatë, me një fjalë, ndoshta sa për t’u ngushëlluar, mund ta rrumbullakojmë të tërën duke e emëruar sprovë. Por, a nuk na thotë një këshillë se edhe ardhja e sprovës i ka dy rrugë; sprovë për ngritje besimi (imani) dhe sprovë për këndellje nga mëkati. Por ne në cilën gjendemi në këtë rast, pasi që mund të jemi viktimë? (Assesi të mos ia themi vetes se ne jemi të pafajshëm, dhe ta arsyetojmë veten, themi se më me vend do të ishte ta lusim Zotin për mos mëkatim, sepse edhe në raste të tilla mund të jemi fajtorë, kurse e dimë se ekziston faji i tjetrit, por edhe bashkëpunimi me fajtorin.)

Në origjinë sprova është e mirëseardhur, ngaqë ajo ose të vetëdijeson, ose të ngre në shkallët e moralshme, mirëpo nganjëherë edhe sikur të hedh në shtratin e dergjës siç thotë populli, sepse nga tronditja e saj pasi që e ke kuptuar se ku ke mundur të biesh dhe si ke mundur të përfundosh, s’mund ta besosh se çfarë po ndodhë me ty dhe pse po të ndodhë, saqë menjëherë e hap listën e pyetjeve ndaj vetvetes; a thua pse më ka mbrojtur Zoti? Kam bërë ndonjë vepër që vërtet e kam kënaqur Zotin? A mos vallë nuk e kam vërejtur dashurinë e Zotit ndaj meje e cila ka qenë aq e madhe sa që më ka mbrojtur që të mos bie në humnerë të tillë mëkati?  

Pa dyshim se njeriu në këtë gjendje arrin në një shkallë jo të favorshme si dhe i ka dy mundësi; të hakmarrjes – revanshimit ose durimit deri në Ditën e llogaridhënies në botën tjetër. Mirëpo s’do mend se e dyta është më dobiprurëse gjithsesi, vetëm se kërkon forcë shumë të madhe. Ndoshta edhe i ngjan asaj legjendës: “ta zhvendosi kodrën në anën tjetër me gjilpërën që arnoj…”. Por s’do të thotë që nuk arrihet, edhe pse në fakt duket banale ndoshta dhe e pakapshme për logjikën.

Duke e kursyer kohën dhe duke mos dashur të kalojmë në monotoni, ta përmbledhim me një mesazh për fund: Vërtet njohuritë e thella dhe morali i lartë e bëjnë njeriun të pavdekshëm. Të tillë i kanë bërë këto cilësi dhjetë të përgëzuarit, shokët e tyre dhe zinxhirin e karvanit si ata pas tyre. Madje na mjafton që t’i mësojmë historitë e tyre, për vetë faktin se edhe ata kanë qenë njerëz si ne, nuk kanë qenë profetë e as engjëj për ruajtje nga mëkatet, madje nuk kanë pasur komoditetin si ne as për së afërmi, por patën dijen, zbatuan atë dhe ndërtuan gradat e moralit të lartë. Më së miri na sqaron verseti i cili thotë:
“Këta janë shembuj që ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.” (Ankebut: 43).E nëse s’i kuptojmë ne që s’kemi këtë gradë, atëherë verseti tjetër na rekomandon: “Pyetni dijetarët nëse nuk dini.” (Nahël: 43).

Për fund fare, lutem që Zoti të na falë, të na mëshirojë dhe të na vetëdijesojë që të jemi në radhët e karvanit të atyre që s’i harron historia asnjëherë. Amin! 
 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.