MЁNYRA E ABDESIT

 
Shkollat dhe ne PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e premte. 17 dhjetor 2010

 

  Shkollimi është investimi më i mirë jo vetëm për individët, por për gjithë shoqërinë. Studimet e ndryshme kanë treguar që demokraci më të konsoliduara kanë vendet që kanë arsim të konsoliduar. 

Nëpërmjet këtij shkrimi do të fokusohem te respektimi i të drejtave të fëmijëve në shkollë si një element  i rëndësishëm  në demokratizimin e shkollës si dhe në qasjen e barazisë në edukim për të gjithë fëmijët. Të gjithë e dimë që frekuentimi i shkollës nga ana e fëmijëve është hapi i parë për t’u arsimuar ata. Shumë fëmijë të cilët presin me padurim ardhjen në shkollë, kur janë aty, përballen me diskriminimin, keqtrajtimin, kufizimin për t’u shprehur lirshëm apo për të zhvilluar të menduarin kritik. Respektimi i të drejtave të fëmijëve në shkollë dhe sidomos përfshirja e tyre në vendimmarrje do të sillte një përmirësim të dukshëm për të pasur një shkollë kuptimplote.


Çfarë janë të drejtat e fëmijëve në shkollë?

Edukimi me të drejtat fillon që nga klasa e parë me lëndën e edukatës qytetare dhe vazhdon edhe me lëndë të tjera ku në mënyrë të integruar fëmijët marrin njohuritë e para për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo e drejtë është e lidhur me një përgjegjësi, dhe kjo nënkupton që p.sh. fëmijët kanë të drejtë të mbrohen nga keqtrajtimi dhe dhuna, por në të njëjtën kohë ata kanë përgjegjësinë të mos dhunojnë dhe keqtrajtojnë të tjerët, ose ata kanë të drejtë të rriten dhe edukohen në një ambient të pastër por në të njëjtën kohë kanë dhe përgjegjësinë që ta ruajnë dhe mbajnë pastër ambientin ku ata jetojnë. Të drejtat dhe përgjegjësitë nuk trajtohen si një lëndë e veçantë por janë të integruara në kurrikulën e shkollës. Është detyrë e shkollës dhe mësuesve që të krijojnë një klimë në klasë dhe një ambient të bazuar në dialogun dhe diskutimin e hapur duke i konsideruar fëmijët si partnerë në klasë. Pra, është e rëndësishme të kuptohet edhe nga ana e mësuesve se sa e rëndësishme është për fëmijët sot dhe për tërë shoqërinë nesër edukimi i fëmijëve me të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre.

Një nga të drejtat më vitale për fëmijët është e drejta e tyre për t’u përfshirë në vendimmarrje në të gjitha çështjet në shkollë që kanë të bëjnë me ata, ose që i prekin fëmijët, dhe përmes kësaj dua të dal tek ajo e cila po prek në mënyrë të vazhdueshme nervin alarmues apo sinjalizues, e që është mënyra se si u bëhet padrejtësi një numri të caktuar të nxënësve për shkaqe të cilat vërtet është absurde të shfaqen në shoqërinë tonë, pasi që ne po themi vazhdimisht se jemi shtet demokratik dhe jemi shtet i cili i respekton të drejtat e çdo qytetari

Paraprakisht do të doja të them një gjë: është mirë që aparatura shtetërore së pari e pastaj një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve të lirohen nga ajo kutia e ideve dhe mendimeve komplekse të cilat i ka instaluar me aq hollësi e mjeshtëri falanga komuniste në raport me besimin islam. Dihet mirë, madje edhe nuk e mohon asnjë ekspert i historianëve se historia e popullit tonë duhet të rishkruhet drejt dhe të këndellet populli nga disa ide të shpifura e me ndikim të përgjumur. Ka mbaruar epoka inkurajuese për mbrojtje kombëtare, tanimë gjërat studiohen, analizohen, shkruhen e thuhen ndryshe. Madje është injoruese për ne që të presim të na i çelin sytë të huajt duke e treguar të drejtën historike të popullit tonë.

Ku dua të dal me këtë. Vërtet, është diçka e pahijshme madje edhe shumë antidemokratike e antipedagogjike kur dikush lejon veten të shpreh urrejtje ndaj nxënëseve praktikues të fesë. Kjo reflekton edhe më vrazhdë kur një gjest të tillë e bëjnë mësimdhënësit, kurse mësimdhënësi është prindi i dytë i fëmijës, në këtë rast nxënësit.

Të drejtat fëmijëve ua njeh dhe ua jep konventa e fëmijëve e cila është ratifikuar edhe nga Shqipëria.

Kur mësimdhënësi dhe shkolla e mbështet përfshirjen e fëmijëve  duke i dëgjuar ata, duke konsideruar vendimet, mendimin dhe të drejtën e besimit religjioz të tyre, madje duke i përfshirë ata në vendimmarrje për çështje që janë të lidhura me fëmijët, ata (fëmijët) e kanë shumë më të lehtë hapërimin në arritje të sukseseve profesionale të cilat i duan. Fëmijët duhet të trajtohen njëlloj, pa i diskriminuar ata, pavarësisht përbërjes sociale, familjare, religjioze etj. Shkolla duhet të krijojë mekanizma që të gjithë fëmijët të ndihen të barabartë, të pranuar dhe të respektuar në shkollën ose klasën ku ata bëjnë pjesë.

Të gjithë e dimë se nxitja dhe të investuarit në përfshirjen e fëmijëve është shumë e rëndësishme edhe për të ardhmen, për të pasur demokraci të fortë dhe të shëndetshme, sepse fëmijët që të vegjël edukohen me ndjenjën e barazisë, lirisë së të shprehurit, respektin për diversitetin dhe respektin për të tjerët.

Të dëgjuarit e një fëmije nënkupton që ai të ketë mundësinë ta shpreh perspektivën, prioritetet dhe përvojën e tij. Kur fëmijët kanë mundësinë për t’u përfshirë dhe për t’u shprehur, ata ua komunikojnë të tjerëve mënyrën si ata e kuptojnë botën dhe çfarë është e rëndësishme për ata, pra duke i përfshirë ata plotësisht, ua jep mundësinë të shprehin idetë e tyre lirshëm. Nëse fëmijët neglizhohen, nuk dëgjohen dhe lihen mënjanë, atëherë ata bëhen apatik dhe të tërhequr dhe kjo ka pasoja edhe në spektrin afatgjatë për fëmijët, për shkollën, dhe sigurisht për shoqërinë në tërësi.

Një shkollë e mirë që përfshin në mënyrë të plotë fëmijët, nxit dhe gjallëron zërat,  inkurajon fëmijët që ata të shqyrtojnë perspektivën e tyre, pra iu jep atyre mundësinë që ata të shprehin atë që ndiejnë dhe mendojnë realisht për çështjet që i prekin ata. Vetëm në një klimë të tillë dalin ide origjinale. Mos dhënia e mundësisë për t’i dëgjuar fëmijët sjell regres dhe ul besueshmërinë dhe nivelin e shkollës. Është detyrë e shkollës të krijojë hapësira të shëndetshme për përfshirjen e fëmijëve dhe të dëgjuarit e pikëpamjeve të ndryshme dhe eksplorimit të ideve të reja. Një shkollë që investon në përfshirjen dhe kultivimin e zërave të nxënësve dhe studentëve të saj investon drejt gjenerimit të demokracisë për të cilën aspirojmë të gjithë!

m
Fundja, shkolla ka detyrim dhe përgjegjësi të stimulojë përfshirjen dhe të dëgjojë zërat e çdo fëmije, dhe kjo do të bënte që idetë e çdo fëmije do të kontribuonin në formimin e vizionit kolektiv se si shkolla duhet të jetë dhe çfarë ne të gjithë se bashku duhet të bëjmë për të arritur atë që duam dhe që duhet. Shkolla patjetër duhet të krijojë hapësira të shëndetshme për fëmijët duke i ndihmuar dhe edukuar ata për të shprehur lirshëm mendime të ndryshme dhe për të eksploruar ide origjinale, e jo të shihet me syrin urrejtës vetëm pse e mban mbulesën në kokë ose pse duket fetar e t’i shtypen idetë, ndjenjat e ti konfiskohen të drejtat e tij dhe të diskriminohet nga të gjithë.    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.