MЁNYRA E ABDESIT

 
Jeto me tė mirėn dhe mėso tė jetojnė me tė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 14 shtator 2010

"Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësoj virtytet e moralit."                      
 



Vetëm inteligjenca e lartë e frymëzuar nga Allahu, si e profetit alejhis selam, ka ditur të përcaktojë qëllimin parësor të dërgimit të tij dhe metodologjinë e qartë të misionit të tij, saqë edhe e shpreh atë duke thënë:
"Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësoj virtytet e moralit."

Konditat e besimit islam nuk janë ceremoni dogmatike të llojit i cili e lidh njeriun me metafizikën e padukshme, që ta obligojë atë të kryejë vepra e lëvizje të cilat nuk kanë kuptim. Përkundrazi, detyrat obligative fetare, me të cilat obligohet çdo ithtar i besimit islam janë stërvitje e përsëritur me qëllim të adoptimit të njeriut që të pajiset me vlera të shëndosha dhe të jetë konsekuent në këto vlera, madje edhe para çdo rrethane apo vështirësie e çfarëdo lloji qoftë ajo.

Kryevepër më të lartë, e cila e shpjer njeriun në vlera të shëndosha duke e larguar gjithnjë nga ligësitë e mbrapshta, e bëri Allahu obligative kryerjen e pesë kohëve të namazit, madje përmes të dërguarit të Tij na e mësoi formën dhe mënyrën se si të falemi si dhe na tregoi urtinë se përse na ka obliguar që të falemi. Allahu thotë:
"…fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irituarat…" (Ankebut, 45).

Ky rregull hyjnor tregon se njeriu duhet të transferohet prej gjendjes së ulët në atë që është e lartë dhe e moralshme, saqë sikur edhe na thotë se zbatimi i këtij rregulli në mënyrë precize të bën të kesh një jetë të ndritshme, me vlera dhe rregulla të qarta e të shëndosha, ku ato rregulla konsiderohen thelb i misionit të cilin na e la në trashëgimi i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Duhet ta qartësojmë një gjë se, morali nuk është luks pa të cilin mund të jetohet, por është esenca e jetës pa të cilin nuk ka as besim të shëndoshë, për të mos thënë fare. Jo rastësisht Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
"Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësoj virtytet e moralit." Ngaqë ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka qenë më së miri i njoftuar se vetëm me moral të lartë jetohet jeta e mirë fetare, dhe vetëm ai i cili posedon moral të lartë mund të depërtojë në zemrat e të tjerëve për t’ua mësuar rrugën e të jetuarit në lumturi e fe të mirë.

Në lidhje me moralin na këshilloi shumë përmes haditheve të cilat thonë:"Me të vërtetë, mbrapshtia dhe paturpësia nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin; njeriu më i denjë në Islam është ai i cili ka moral më të lartë."
Pastaj në një rast në të cilin është pyetur: "Cilët besimtarë kanë besimin më të plotë (kompletuar)?" Tha: "Ata që kanë moral më të lartë."
Ndërsa njëherë iu ka thënë shokëve të tij: "A t’ju tregoj se cili prej jush është më i dashur për mua dhe cili do të jetë më afër meje në Ditën e Gjykimit?". Këtë ua përsëriti disa herë. Thanë: " Po, o i Dërguar i Allahut." Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, tha: "Ata prej jush që kanë moral më të lartë."

Transmeton Enesi Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
"Njeriu me moralin e mirë do t’i arrijë gradat e mëdha të botës tjetër dhe piedestalet më të larta, edhe po të jetë i dobët në rituale; kurse me sjelljen e tij të keqe, ai do të arrijë shkallën më të ulët në xhehenem."

Ndërsa në transmetimin e Ebu Dherrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, thuhet: "Ka shpëtuar ai i cili e ka pranuar sinqerisht besimin (islam) në zemër, e ka zemrën të qetë dhe karakterin e drejtë."


Për të mos u dukur i turbulluar ky diskutim, dhe për të kaluar në epiqendër të tij, rikujtojmë se për të qenë të suksesshëm në shoqëri nuk na duhet telekomanda apo makete me instruksione urdhërore si: bëje këtë, apo mos e bëj; ose bëje atë, por na duhet edukata frytdhënëse e cila ka të bëj me një rrugë të gjatë e cila është maratonike dhe e cila kërkon punë të kujdesshme dhe mbikëqyrje të vazhdueshme, së pari me vetveten e pastaj me të tjerët, por gjithnjë me plot edukatë ndaj tjetrit. Ngaqë kemi të bëjmë me lloje të ndryshme edukatash e karaktere njerëzish e që nuk janë të gjithë efikas, por që ato lloje edukatash e karakteresh kërkojnë mostër (model) nga shembulli i mirë, për shkak se njeriu i paedukuar nuk mund të lë përshtypje të mira në shpirtrat e atyre të cilët presin prej tij, por përshtypje të mira priten prej atij në karakterin e të cilit shikojnë njerëzit dhe mahniten me bukurinë e edukatës (jo fizionomisë) së lartë, sa që i robëron shkëlqimi e tij, kurse i pranishëm është kopjimi nga natyrshmëria dhe me sinqeritet i pason hapat e tij.

Këshillat të cilat na flasin për shkatërrimin e moralit e të karakterit dhe për tërheqjen e vërejtjes se si duhet ruajtur ato, janë nga hadithet të cilat thonë se kur ai,  alejhis selam, i pyeti sahabët: "A e dini cili është i falimentuari? Ata u përgjigjën:
"I falimentuar ndër ne është ai i cili nuk ka para dhe pasuri."
Ndërsa i Dërguari, alejhis-salatu ves-selam u tha: "Njeriu i falimentuar prej umetit tim është ai i cili në Ditën e Gjykimit do të vijë me namaz, zekat dhe agjërim, por dikë e ka sharë, për dikë ka shpifur, dikujt ia ka rrëmbyer pasurinë, dikë e ka vrarë e dikë e ka goditur, dhe çdonjërit prej tyre do t’i jap prej të mirave të veta, e nëse i harxhohen të mirat para se t'i paguaj borxhet, merren prej mëkateve të tyre e i hudhen atij, e pastaj ai hudhet në zjarr." .

Duke i konfirmuar këto gjëra dhe parime të qarta të lidhshmërisë së besimit me moralin, prapë na këshillon me hadithet të cilat flasin në lidhje me atë se çfarë ta ulë, prishë e shkatërron vlerën e lartë morale. Ai sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:
"Personi tek i cili gjenden tri gjëra është hipokrit, edhe nëse falet, agjëron dhe e kryen haxhin dhe umren, dhe thotë: unë jam mysliman. Ato tri gjëra janë: kur flet rren, kur premton mashtron, dhe kur i besohet diçka tradhton." Në një hadith tjetër thotë:
"Personi tek i cili gjenden katër veti, është hipokrit i plotë, kurse personi tek i cili gjendet një prej atyre vetive, tek ai gjendet një shenjë e hipokrizisë, derisa nuk e braktisë. (Katër vetitë e hipokrizisë së plotë) Kur i besohet diçka tradhton, kur flet rren, kur ia jep besën dikujt nuk e mban dhe kur armiqësohet me dikë e tepron."

Andaj, duke i patur parasysh këto këshilla kaq të arta, ta ruajmë veten dhe hambaret tona, e jo bereqetin e tërë punës tonë t'ia dedikojmë të tjerëve, por të edukohemi së pari ne sesi jetohet jeta e kësaj bote, e pastaj t’i thërrasim apo mësojmë edhe të tjerët në të, e sidomos fëmijët të cilët mostër e kanë nënën e tyre.
 

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të
, në mesin e shokëve të tij ka qenë shembulli më i lartë për moralin në të cilin i thirrte. Nuk ka qenë i paturpshëm, i paedukatë, i ulët, keqbërës, zemërlig, gjuhëfyes, i egër, nevrik e as i pakëndëshëm, por ka patur një biografi dhe moral aq të kompletuar e të përmbledhur mirë, të pastër e të lartë saqë, edhe sot kur të lexosh për jetën e tij sikur ndjen që je në shoqërim me të. 

            
Ngjaso tiparet...
 

Për të ruajtur të mirën dhe për të ftuar n
ë të na duhet një mostër të cilën duhet ta bartim gjithë jetën mbi supe. Ajo mostër është përngjasimi i tipareve tona me tiparet e Profetit alejhis selam, sepse vetëm atëherë dimë të dallojmë, jetojmë dhe vlerësojmë jetën tonë dhe të mësojmë të tjerët se si duhet jetuar.
-         
Transmetohet prej Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "I kam shërbyer të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhjetë vjet, dhe, për Allahun, asnjëherë nuk më ka thënë mua: Oh, e as që më ka thënë për diçka: Pse e bëre kështu ose pse nuk e bëre kështu!!".
-         
Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, asnjëherë nuk është hakmarrë për shkak të vetes, përveç se kur janë shkelur normat e Allahut, atëherë ka ndëshkuar. Asnjëherë askujt nuk i ka mëshuar me dorën e vet, qoftë grua apo shërbëtor, përveç se kur ka bërë xhihad në rrugë të Allahut."
-         
Në një transmetim tjetër Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Allahu është i butë dhe e do butësinë; Ai jep për butësinë atë që nuk e jep për vrazhdësinë dhe çka nuk jep për të tjerat."
-         
Abdullah ibën Harithi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "Nuk kam parë asnjë njeri më të buzëqeshur se të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të."
-         
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: "I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qenë njeriu me karakterin më të lartë. Unë kisha një vëlla të vogël që quhej Ebu Umejr, e i cili kishte një bilbil të sëmurë të cilin e thërriste Nugejr, e i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e përkëdhelte këtë fëmijë të vogël dhe i thoshte: "O Ebu Umejr, ç'u bë me Nugejrin!"
-         
Prej tipareve të tjera të Profetit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është shumë e theksuar bujaria, asnjëherë nuk ka qenë koprrac për diçka.
-         
Ka qenë trim, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ndonjë e drejtë.
-         
Ka qenë i drejtë, nuk ka bërë padrejtësi në gjykim asnjëherë.
-         
Ka qenë i sinqertë dhe besnik në të gjitha etapat e jetës së tij.
-         
Transmetohet prej Xhabir ibën Abdullahut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "Asnjëherë kur i është kërkuar të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, diçka nuk ka thënë: Jo!".
-         
Hadixhja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ka thënë të Dërguarit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: "Ti kujdesesh për të varfrit, e kompenson të humburën dhe e ndihmon të drejtin."
-         
Kujdesej me një altruizëm të lartë për shokët e tij, i përcillte pas vizitës, dhe çdonjërit që e shoqëronte ia jepte hisen e vet, saqë shoqëruesi nuk mendonte se ndonjëri prej të tjerëve është më i rëndësishëm te i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se ai.
-         
Kujdesit të tij për t'i mbajtur unik e të bashkuar pasuesit e tij, nuk i gjendet asnjë shembull për rivalitet.
-         
Kush ulej me të, apo i afrohej për ndonjë nevojë, ai tregohej durimtar ndaj tij dhe nuk largohej derisa të largohej vet ai njeri.
-         
Kush i kërkonte diçka, nuk e kthente pa i dhënë apo pa i thënë fjalë miradije.
-         
Modestia e tij pushtoi anekënd vendin duke përfshirë mbarë njerëzimin, saqë u bë si prind i tyre, si dhe të gjithë kishin të drejta të barabarta tek ai sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.
-         
Natyrshmëria e komunikimit me të ka qenë çdo herë e lehtë. Ka qenë i butë e jo i ashpër apo i vrazhdë, nuk ka qenë zhurmues, e asnjëherë dashakeq, nuk ka qenë qortues i madh e as lavdërues i madh, ai që i drejtohej atij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk ia humbte shpresat.
-         
Muhamedi, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, bënte shaka me shokët e tij, përzihej me ta dhe garonte, luante me fëmijët e tyre dhe i ulte në prehrin e vet.
-         
Nga tiparet e moralit të tij të lartë ka qenë edhe përgjigjja e ftesës së robit dhe zotëriut, robëreshës dhe të ngratit, e vizitonte të sëmurin dhe i pranonte arsyetimet e njerëzve.
-         
Transmeton Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të: "Asnjëri nuk ka qenë më i moralshëm e me karakter më të lartë se Muhamedi alejhis selam. Sa herë që e ka thirrë ndonjëri prej shokëve apo familjes së vet, thoshte: "Urdhëro".
-         
Vigjilenca e tij e nderonte dhe e lartësonte edhe më shumë dashurinë ndaj tij sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, saqë shokëve të tij u jipte ofiqe dhe i thirrte me emrat e tyre më të dashur, në shenjë respekti askujt nuk ia ndërpriste bisedën, derisa nuk gabonte.
-         
Ajo e mirë që ka jetuar në zemrat e shokëve apo miqëve të tij, ka jetuar edhe në zemrën e tij. Kurse neve na obligohet që ajo që ka jetuar në zemrën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të jetojë në zemrat tona.
-         
E respektonte farefisin e tij, por nuk u jepte përparësi atyre ndaj të tjerëve që ishin më meritorë se ata.
-         
Respekti i tij ndaj mysafirit ishte tepër i madh, saqë edhe vet është ngritur për t’iu shërbyer atyre.
-         
Heshtja e tij ka qenë e dukshme, nuk ka folur pa nevojë, kurse është distancuar nga ai i cili nuk ka folur si duhet.
-         
Fjalët e tij i ka pasur të rrjedhshme e me plot kuptim dhe vlerë saqë asnjëherë s’i ka lëvizur fjala prej vendit për shkak të peshës së rëndë vlerësuese që ka pasur, kurse të qeshurën-buzëqeshje e ka patur, nuk ishte i tepërt e as i mangët.
-         
Tubimet e tij ishin tubime butësie, urtësie, mirësie dhe të besës, në të nuk ngriteshin zërat, nuk prekeshin nderet, saqë kur fliste ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dominonte heshtja.
-         
Stabiliteti i tij në ecje jepte domethënie të madhe, sepse shihej se nuk ishte i ngutshëm e as përtac.
-         
Ibën Ebi Hale ka thënë: " i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, heshtte në katër momente: në butësi, në vërejte, në vlerësim dhe në rezonim." 

Tiparet e tij të larta e detyruan botën që t’i nënshtrohet me tërë pasurinë e saj,
çlirimet i vinin njëra pas tjetrës, por dashuria e madhe për piedestalet e xhenetit, e bënin që të distancohet nga lukset e kësaj bote, por gjithnjë duke jetuar një jetë të mirë e të drejtë, tamam siç kërkohet të jetohet në këtë botë kalimtare, saqë thuhet se i ka mbetur këmisha e tij e hekurt te një jehud të cilit ia kishte lënë peng për borxhin e marrë për furnizimin e familjes.
Atëherë, përderisa qëndruam përskaj këtyre shembujve kaq me vlerë të madhe e të pakrahasuar me një shëmbëlltyrë të
veçantë, si dhe duke e ditur se jemi të obliguar që ta pasojmë përpikërisht atë, sidomos në tiparet të cilat i dimë, e jo të neglizhojmë e të arsyetohemi duke thënë: "Po ne jemi të ligë, s'mundemi t’i arrijmë bash ashtu, edhe jemi larg...", kurse shpresën e kemi sikur na është garantuar xheneti, dhe i hapemi bukurive e lakmisë joshëse të kësaj dynjaje, një gjë duhet ta kujtojmë të gjithë, saqë edhe vendin përmbyllës po ia lëmë këtij argumenti të cilin nuk mund ta mohojë askush e as ta mposhtë, ngaqë forca e tij na sfidon të gjithëve, e ky është citati kur'anor i cili thotë:
"Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun." (Ahzab: 21).
      

Ndërsa lutja ime për të gjithë ne është, që Allahu i Mëshirshëm e i Lartësuar të na e shtojë dijen e dobishme e veprat e mira dhe sinqeritetin në to. Devotshmëri e pastrim në moral e ngritje të moralit derisa të na përngjasohen veprat dhe morali ynë me veprat dhe moralin e të dërguarit tonë, Muhamedit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Amin!


 

                           
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.