MЁNYRA E ABDESIT

 
Vlera e agjėrimit tė Ramazanit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Abdulaziz ibėn Baz   
e martė. 17 gusht 2010


Shfaqni Allahut vetëm punë të mira.


 




Është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) i përgëzonte shokët e tij për ardhjen e këtij muaji. I njoftonte se në këtë muaj hapen portat e mëshirës dhe xhenetit dhe mbyllen portat e xhehenemit dhe prangosen djajtë. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: ‘Në natën e parë të Ramazanit hapen portat e xhenetit dhe nuk mbetet asnjë portë e mbyllur, dhe mbyllen portat e xhehenemit dhe asnjë prej tyre nuk mbetet e hapur. Prangosen djajtë dhe një thirrës thërret: O ti që synon të mirën (shpërblimin), angazhohu në punë të mira! O ti që ke ndërmend të kryesh mëkate, tërhiqu! Dhe për çdo natë Allahu liron (shumë persona) nga zjarri.’ (Tirmidhiu me nr. 682)

Po ashtu, Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: ‘U erdhi muaji i Ramazanit, muaji i begative. Në këtë muaj Allahu ju mbulon me mëshirën e tij, ua shlyen mëkatet dhe u përgjigjet lutjeve. Allahu shikon se si ju garoni në këtë muaj dhe krenohet me ju para melekëve. Shfaqni Allahut vetëm punë të mira, sepse vërtet i mjerë është ai që në këtë muaj i mohohet mëshira’.(Hejthemiu në 'Mexhma Ezzeuaid' (3/142) thotë se e tra nsmeton Tabaraniu në El Kebir)
Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: ‘Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë’.(Buhariu me nr. 2014, Muslimi me nr. 760)

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) thotë: ‘Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej kënaqësive dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.’(Buhariu me nr. 1904 dhe Muslimi me nr. 1151)

Mirësinë e Allahut për mbërritjen e muajit të Ramazanit, besimtari duhet ta shfrytëzojë për t’i intensifikuar përpjekjet e tij në kryerjen e sa më shumë veprave të mira dhe largimin nga mëkatet. T’i kryejë të gjitha detyrimet ndaj Allahut, sidomos pesë namazet, sepse namazi është shtylla e fesë dhe detyrimi më madhor pas shehadetit. Pra, është detyrim për çdo besimtar/besimtare që ta ruajë namazin dhe ta falë në kohën e vet me përkushtim (i përulur).

Është obligim që besimtari ta ruajë agjërimin dhe namazin e tij nga të gjitha ato fjalë e vepra, të cilat i ka ndaluar Allahu i lartësuar, sepse me agjërim synohet bindja ndaj Allahut, respektimi i ndalesave të Tij, lufta ndaj vetvetes për mposhtjen e epsheve dhe nënshtrimin ndaj Allahut, si dhe kalitja e vetvetes me durim në respektimin e ndalesave të Allahut. Nuk është qëllimi i agjërimit vetëm largimi nga ngrënia dhe pija dhe gjërat e tjera të cilat e prishin agjërimin. Për këtë është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ‘Agjërimi është mburojë dhe nëse ndonjëri është agjërueshëm, të mos flasë fjalë të ndyta dhe të mos jetë i bezdisshëm. Nëse ndokush e fyen agjëruesin ose e godet, le të thotë: Unë jam agjërueshëm.’(Buhariu nr. 1904)

Gjithashtu është saktësuar se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: ‘Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për agjërimin e dikujt që lë ushqimin dhe pirjen dhe nuk braktis fjalët e këqija (gënjeshtrat) dhe të vepruarit me to dhe injorancën.’ (Buhariu nr. 1903)

Prej këtyre citateve dhe të tjerave si këto, kuptojmë se është detyrë për agjëruesin t’i shmanget çdo gjëje që ka ndaluar Allahu dhe të zbatojë çdo detyrim ndaj Tij. Me këtë shpresohet se ai do të falet, do të lirohet prej zjarrit dhe t’i pranohet agjërimi bashkë me namazin.


E lus Allahun e lartësuar të na japë sukses neve dhe gjithë besimtarëve, në çdo punë me të cilën Ai është i kënaqur, ta pranojë agjërimin dhe faljen tonë, ta përmirësojnë gjendjen tonë dhe të na ruajë nga çdo sprovë që mund të na lëkundë. Gjithashtu e lus Allahun që t’i përmirësojë udhëheqësit e myslimanëve dhe t'i bashkojë ata rreth të vërtetës.



Përktheu: Blerim Kransiqi

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.