MЁNYRA E ABDESIT

 
Kur tjetri lutet pėr ty! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e diel. 01 gusht 2010



Ti ke për të fituar!





Lutja të afron me njerëz. Ndërton ura të dashurisë. Të mirëkuptimit dhe respektit. Gjithnjë duke qenë i sinqertë.


Të kërkosh prej tjetrit që të lutet për ty, e bën të kuptojë se njeri që ke nevojë për pjesën e tij, ke nevojë për përkrahjen e tij. Të bashkohet e të jetë me ty.


Dëshmon nevojën për të qenë të kapur fortë mes vete në rrugën e Dëlirësisë. Të faljes dhe mëshirës.


Kur tjetri lutet për ty, i afrohesh e të afrohet, të falë dhe e falë, të mëshiron dhe e mëshiron, e do dhe të do.


Provo njëherë e më tepër. Mos humb shpresat. Kërko nga familja jote para se të dalësh nga shtëpia: Lutuni që Zoti të ma shtojë diturinë!


Zoti ta shtoftë diturinë! - Veçqë është forcë dhe kurajë, është edhe thirrje në devotshmëri.


Lutje, edhe kur tjetri të thotë: Paqja e Allahut qoftë mbi ty! Tjetri lutet, që të jesh në paqe, në qetësi, në mëshirë e mirësi të Zotit të qiejeve e të tokës e ç’ka mes tyre.


Lutja është ndër format më të bukura për t’i bërë njerëzit të duhen mes vete. Kjo është madhështia e rrugës së Paqes, të cilën, Zoti zgjodhi për krijesën njeri, dhe për gjithçka krijoi.


Kur ti lutesh për tjetrin, lutja bëhet edhe për ty. T’ia duash të mirën tjetrit, do të duhet e mira edhe ty.


Të shpërndash dashurinë, dashuria do të të përshkojë. Të përhapësh fjalën e Paqes dhe të Mirësisë, ajo do të bëhet strehë mbi ty!


Mos përhap fjalën e Keqe, sepse të kthehet!


Mos e përhap fjalën e Urrejtjes. Mos e përhap fjalën e Përçarjes. Mos e përhap fjalën e Keqkuptimeve. Mos e përhap fjalën e Paargumentuar. Mos e përhap fjalën që ftohë zemrat e njerëzve.


Prindërit gabojnë. Fali!


Familja bën gabime. Fali!


Fqinji të shqetëson. Fale!


Njerëzit të paragjykojnë. Fali!


Fali duke u lutur, në prani apo në mungesë të tyre. Le të dëgjohet thirrja jote për përmirësim. Le të kuptojnë shqetësimin që të shkaktuan.


Mos përshpejto në përgjigjen e lutjes, kur lutesh. E as mos prit që tjetri pasi të ka mallkuar aty për aty ndaj teje për mirë të lutet.


Zoti vepron kur të dojë dhe si të dojë. Kështu që, dorëzoja çështjet e tua Zotit të zemrave, mbështetju Atij, sepse i do ata që ia mbështesin veten dhe çështjet e tyre Atij.


Po, kërkohet fuqi. Kërkohet vullnet i ngurtë! Por, ti kërkoje ndihmën e Ndihmëtarit më të mirë, Zotit Fuqiplotë.


Lutu për udhëzim, për falje, për mëshirë! Shpreso në ndryshim për mirë. Dhe, përpiqu të jesh ti shembull i mirë për ta.


Kur tjetrit të bën padrejtësi. Lutu duke i thënë: Zoti të faltë, e të bëftë të drejtë. Nëse tjetri të bën keq. Lutu duke i thënë: Zoti të mëshiroftë, e të bëftë mirëbërës.


Nuk shtyhet kodra. Nuk lëvizen shkëmbinjtë. Ashtu edhe vullneti i keq i njeriut. Kodra, shkëmbinjtë, shtyhen e lëvizin, me lutjen e sinqertë të adhuruesit të denjë ndaj Zotit të kodrave e të shkëmbinjve.


Të jesh i sigurt!


Po nuk e ktheve të keqen me të mirë, po s’e ktheve fjalën e keqe me të mirë, po s’e ktheve sjelljen e keqe me të mirë, ende zemra ndaj Zotit nuk është bindur, ende me dashuri ndaj Zotit nuk është mbushur, ende nuk e ka njohur Zotin e njeriut!


E di. Edhe ti e di. Kjo është rrugë e vështirë. Por kjo është rruga që shpie në Paqe e Lumturi të Përhershme.


A mendojmë se do të fitohet kënaqësia dhe miratimi i Zotit tonë, pa u sprovuar me atë që u sprovuan njerëzit e Mirë, para nesh?!


Jo, kurrsesi!


Njerëzit, pra, të tjerët janë të dobët. Bëhu ti i fortë, atëherë!


Pra, ji i fortë, lutu për të tjerët kur të tjerët të mallkojnë! Nëse do të fitosh. Nëse do të tjerët për ty të luten. Ti ke për të fituar!


Bëhu ngrohtë! Bëhu i dashur! Bëhu dashamirës! Bëhu falës! Ti ke për të ngadhënjyer!


Prapë, nuk është gjë e lehtë.


Por, ky është udhëzimi i drejtë.   
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.