MЁNYRA E ABDESIT

 
Ne dhe vera e nxehtė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 06 korrik 2010
“Nuk ka më xheloz sesa Allahu, ndaj dhe për këtë Ai i ndaloi veprat e shëmtuara...                              




Këtë diskutim do ta fillojmë me një hadith i cili flet për një cilësi e cila është e rrallë në realitet, kurse e dukshme në përditshmërinë e kohës sonë.

Abdullah ibën Mesudi na e përcjell një hadith nga i Dërguari, alejhis selam, i cili ka thënë: “Nuk ka më xheloz sesa Allahu, ndaj dhe për këtë Ai i ndaloi veprat e shëmtuara; qofshin të dukshme apo të fshehta.”

Ndërsa nga njerëzit më xheloz ka qenë profeti Muhamed, alejhis selam, i cili ka shprehur xhelozi për Allahun e fenë e Tij dhe asnjëherë nuk është hakmarrë për vetveten. Ndërsa sot ku qëndron kjo cilësi me pozicione? A nuk ka ndërrim vendesh, madje pa i anashkaluar gati të gjithë?!

Sa jemi tolerantë e të pjekur ndaj fjalës sonë ose interesave tona personale kur ato cenohen në krahasim me cenimin e fjalës së Zotit e të Dërguarit të Tij?! A nuk na dëshmon më së miri gjendja dhe statusi ynë në shoqëri? A nuk e manifeston edhe gjuha, sjellja e veprat tona?

Nëse çështja është e tillë, atëherë nuk është aspak e habitshme që besimtarët të jenë aq në gatishmëri që kohën e verës, ditët e nxehta e të gjata të saj t’i kalojnë në “argëtim” të padobishëm, më keq, në plazhe publike e në ndeja të kota. Kurse në esencë, xhelozia për fenë e Allahut në origjinë është diçka e lavdëruar dhe njëkohësisht është adhurim i zemrës ndaj Allahut të Madhëruar.
Në këtë rast ç’farë kërkohet? Kërkohet një vetëdijesim e më shumë një këmbëngulësi për kryerje të veprave të mira.

Nuk duhet harruar në asnjë çast se humbja e kohës, pasojat më të mëdha i shfaq tek fëmijët e të rinjtë, ngaqë moshërriturit janë model për ta.

Nga thesaret të cilat na i dhuron feja jonë, është një thesar i cili e posedon çelësin e çdo suksesi, e ai thesar është dituria ose njohuritë islame.

Një njeri i devotshëm ka thënë: ”Çudi është puna e atyre njerëzve që e qajnë atë që i ka vdekur trupi e nuk e qajnë atë që i ka vdekur zemra. Kjo padyshim se është më e rëndë.”
Kjo na jep të kuptojmë se mësimet dhe adhurimet janë të dobishme për jetën e zemrës së njeriut, ashtu sikurse ushqimi dhe pija janë të domosdoshme për jetën e trupit të njeriut.

Ibën Tejmije ka thënë se: “Nevoja e zemrës për dhikrin është sikurse nevoja e peshkut për ujë, prandaj në çfarë gjendje mund të jetë peshku kur del nga uji?!...”

Dhikri gjithashtu i jep njeriut zemër vigjilente dhe ia lan gjynahet.

Abdullah Ibën Mesudi, (radiaAllahu anhu), ka thënë: “Ta lavdëroj Allahun me shumë lëvdata është më e dashur për mua, sesa të shpërndaj aq dinarë në rrugë të Allahut”.
Iu është ankuar një njeri Hasan Basriut: “O Ebu Seid, ankohem për vrazhdësinë e zemrës time.” Ai i ka thënë: “Zbute me dhikër.”
Ndërsa, Mekhuli ka thënë: ”Përmendja e Allahut është shërim, kurse përmendja e njerëzve është sëmundje.”
Një njeri i ka thënë Selmanit: “Cila vepër është më e mira?” Ai është përgjigjur:
“A nuk e ke lexuar Kuranin: ”… e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve); Allahu e di ç’punoni ju.” (Ankebut: 45).

Tregohet nga Ebu Musa , radiaAllahu anhu, se Pejgamberi, alejhis selam ka thënë:
“Shembulli i atij që e përmend Zotin e vet dhe atij që nuk e përmend Zotin e vet është si shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.”

Nëse ne vazhdojmë me vepra të cilat janë adhurime ndaj Zotit të Madhëruar, do t’ia shtojmë vetes dëshmitarët në Ditën e Gjykimit, si dhe do të largohemi nga punët, veprat dhe fjalët e kota, nga përgojimi e mëkatet tjera , ngaqë në esencë do të jemi njerëz falënderues e përmendës të Allahut, ose njerëz mëkatarë të cilët flasin gjëra të kota e bëjnë mëkate, prandaj nëse na hapet dera e madhe e përmendjes së Allahut, edhe do të hyjmë tek Allahu, subhanehu ve teala, në Ditën e Gjykimit.

Përmendjet e Allahut dhe llojet e dhikrit

Përmendjet e Allahut dhe adhurimet ndaj Tij janë disa llojesh:
-          Lavdërimet ndaj Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij, sikurse janë shprehjet:
-          “subhanaAllah”,” elhamdulilah”,”la ilahe-il-lall-llah” etj.
-          Leximi dhe studimi i Kuranit.
-          Falja e namazit të obliguar, atij synet dhe përkushtimi i kujdesit për falje të namazit të natës.
-          Agjërimi sipas synetit profetik.
-          Frekuentimi në takime, tubime ku flitet për vlerat dhe normat e besimit islam dhe ku mësohet për Fjalën e Zotit dhe sunetin e profetit alejhis selam.
-          Edukimi i fëmijëve çdo ditë me mësim-besim sipas nevojës që ata kanë etj.

Në përgjithësi mund të themi se, gjëja më e dobishme për njeriun është përmendja e Allahut, subhanehu ve teala. Allahu thotë:

“Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Rad: 28).

Osman ibën Afani, radiaAllahu anhu, ka thënë: ”Po t’i kishit zemrat e pastra ato nuk do të ngopeshin kurrë nga fjala e Zotit tuaj”.

Kurse, Abdullah ibën Mesudi, radiaAllahu anhu, ka thënë: ”Kush dëshiron ta di se a e do Allahun le t’ia ekspozojë veten Kuranit, nëse e do Kuranin, domethënë e do Allahun, sepse Kurani është fjala e Allahut”.


Kërkimi i faljes dhe lutjet

Duhet ta dimë se istigfari është kërkim i faljes, kurse falja është ruajtja nga sherri i gjynaheve dhe mbulimi i tyre.

Istigfari përmendet shumë në Kuran, sikurse na thotë njëri verset:

“…e kërkoni falje prej Allahut, se Allahu është mëkatfalës, mëshirues.” (Muzemil: 20)

Madje shumë herë istigfari përmendet me pendimin; në këtë rast istigfari demonstrohet me gjuhë, kurse pendimi me zemër dhe me gjymtyrë.

Sa i përket lutjes-duasë, Zoti i Lartësuar ka thënë:

“…Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…” (Gafir: 60)

Ebu Hurejre, radiaAllahu anhu, tregon se Pejgamberi, alejhis selam, ka thënë:
“Ai që nuk i lutet Allahut, Allahu hidhërohet me të.”

Andaj, për fund të bashkëbisedimit tonë edhe ne po lutemi te Zoti i Madhërishëm që të na jep zemër të gjallë, dije të dobishme, vepra të mira, sinqeritet e devotshmëri dhe të na mëshirojë ne dhe prindërit tanë. Amiiin!         
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.