MЁNYRA E ABDESIT

 
Respektimi i as'habėve - obligim pėr ne PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e diel. 21 janar 2007

  

     Es-Sahabe në gjuhën arabe është shumësi i sahabi-ut: Sahabiu është personi i cili u takua me Pejgamberin, alejhi selam, i cili i besoi atij dhe vdiq  në atë besim. Sahabët kanë merita të mëdha për këtë umet sepse ata u treguan të gatshëm për ta ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij, për ta  ndihmuar xhihadin në rrugën e Allahut me pasuritë dhe jetët e tyre, për ta mbrojtjur fenë e Allahut, librin e tij, Sunetin e të Dërguarit të Tij alejhi selam, duke marrë e dhënë dije e duke punuar derisa ia transmetuan këtë Sunnet, të pastër e të paprekur këtij umeti. Shokët e të Dërguarit të Allahut,  janë shokët më të mirë, që e shoqëruan të Dërguarin dhe për argument kemi thënien e të Dërguarit të Allahut alejhi selam: “Njerëzit më të mirë janë  ata të shekullit tim”. (Transmeton Buhariu e të tjerë). Po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njerëzit më të mirë, janë gjenerata tek e cila jam i dërguar. Pastaj ata të cilët vijnë pas tyre”. (Transmeton Buhariu)

     Është obligim të besohet se ata (sahabët), janë më të mirët në mesin e umnetit tonë dhe jetuan në shekujt më të mirë, si shkak i prirjes së tyre në Islam, veçorisë së tyre në shoqërimin e Pejgamberit alejhi selam, bashkëluftimit me të, marrjen e sheriatit nga ai dhe komunikimin e tij për ata që erdhën pas tyre. Obligimi ynë është, pra, që në mënyrë të barabartë t’i respektojmë as’habët, sidomos ata të cilët kanë qenë më të afërt me Pejgamberin alejhi selam. Allahu i Madhërishëm i ka lavdëruar shokët e të Dërguarit të Vet, Muhamedit alejhi selam, dhe të gjithë ata që e pasojnë me bamirësi. Allahu i Madhërishëm na ka lajmëruar se është i kënaqur me ta dhe se ata janë të kënaqur me Të. Në shumë vende në Kur’an Allahu i ka përmendur ata, si për shembull, Allahu i Lartësuar i lavdëroi duke thënë:
“Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (mekasëve emigrues) dhe prej ensarëve (medinasëve vendas e ndihmëtar të muhaxhirëve) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, ku rrjedhin lumenj dhe ku do të jenë përgjithmonë (pas vdekjes). Vërtet, ky është fitim i madh” (Et-Tevbe:100)

    “Muhamedi është i Dërguar i Allahut, e ata që janë me të (as’habët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet veti. Ti i sheh ata kah përulen (në ruku), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin.(Allahu i shumoi). Për t’ua  shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.” (El-Fet’h: 29)

     “(Ajo pronë) U takon muhaxhirëve të varfër, të cilët u dëbuan prej shtëpive të tyre dhe prej pasurisë së tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë prej Allahut, dhe që ndihmojnë Allahun e të Dërguarin e Tij, të tillët janë ata të sinqertit. Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë  nevojë (për zili apo tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje sikur edhe të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetes. Ata që ruhen nga lakmia, ata janë të shpëtuar” (El-Hashr: 8-9).
Allahu, subhanehu ve teala, lavdëroi Muhaxhirët dhe Ensarët, të cilët i përshkoi se janë të parët në veprimin e të mirave, se Ai është i kënaqur me ata, u përgatiti atyre xhenetet, ata janë të ashpër kundër pabesimtarëve, të mëshirueshëm ndërmjet vete, bëjnë ruku dhe sexhde shumë, zemrat i kanë të pastra, në fytyrat e tyre shihet bindja ndaj Allahut, subhanehu ve teala, dhe imani, Ai i zgjodhi ata që ta shoqërojnë të Dërguarin e Tij, që kështu t’ua shtojë mllefin pabesimtarëve. Gjithashtu, i përshkroi muhaxhirët se i lanë vendet dhe pasuritë e tyre për Allhaun, subhanehu ve teala, për forcimin e fesë së Tij dhe se duke dëshiruar mirësinë e kënaqësinë e Tij dhe se ishin     të sinqertë në këtë. Ensarët i përshkruajti se janë shtëpia e emigrimit dhe ndihmës të besimit të sinqertë. Gjithashtu, i përshkroi ata se i duan vëllezërit e tyre emigrues nga Meka edhe më shumë se vetveten dhe me këtë  arritën shpërblim.
Këto ishin disa vlera të përgjithshme të sahabëve. Ekzistojnë edhe cilësi e shkallë të veçanta, me të cilat ata u dalluan ndërmjet vete dhe kjo sipas përparësisë së tyre në Islam, në luftë për Islamin dhe në emigrimin për fenë e Allahut.
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Vërtet, Allahu qe i kënaqur me besimtarët kur ata nën hijen e atij druri të zotoheshin ty dhe Ai e dinte se ç’kishin zemrat e tyre, andaj u dhuroi qetësimin dhe së shpejti i shpërbleu me një fiitore (çlirimin e Hajberit).” (El-Fet’h: 18).
Po ashtu edhe familja e Pejgamberit, alejhi selam, mban të drejtën në respektin tone ndaj tyre. Sahabët më të mirë janë katër halifët e parë: Ebu Bekri, Omeri, Uthmani dhe Aliu, radijallahu anhum, dhe për argument kemi hadithin e transmetuar nga Ibnu Umeri radijallahu anhu që thotë: “Zgjidhnim midis njerëzve në kohën e të Dërguarit të Allahut dhe zgjidhnim Ebu Bekrin, pastaj Umer bin Hatabin, pastaj Othman bin Afanin” (Transmeton Buhariu), kurse në transmetimin e Ebu Davudit thuhet: “Thonim dhe i Dërguari i Allahut ishte gjallë: “Më i miri i këtij umeti pas tij është: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Othmani”, kurse Taberani shton: “Kur e dëgjonte këtë i Dërguari i Allahut nuk e mohonte”.  (Transmeton Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibnu Ebil Asimi dhe e njeh të saktë  shejh Albani).
Pas tyre vijnë të përgëzuarit me Xhenet (për të cilët Muhamedi, alejhi selam, tha se do të hyjnë në xhenet). Këta janë katër halifet e përmendura më lart: Talha, Zubejri, Abdurrahman Ibnu Avfi, Ebu Ubejdetu Ibnul-Xherrahi,  Sa’d Ibnu Ebi Vekkasi dhe Seid Ibnu Zejdi, radijallahu anhum. Pastaj,  Muhaxhirët kanë përparësi ndaj Ensarëve, pjesëmarrësit e luftës së Bedrit dhe të “Betimit të Rridvanit (bej’arurr-rrid-vani-t)” dallohen mbi të tjerët, po ashtu, ata që besuan para çlirimit të Mekës dhe luftuan, qëndrojnë më lart se ata që besuan dhe luftuan pas çlirimit të saj.
Parim i besimit është që zemra dhe goja duhet të ruhen mirë kur janë në pyetje shokët e Profetit.
I Dërguari i Allahut e ka ruajtur gjithashtu edhe reputacionin e tyre duke thënë: “Mos i shani shokët e mi! Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im, edhe sikur ndonjëri prej jush të shpenzonte (për hir të Allahut) një mal sa ai i Uhudit me flori, përsëri nuk do të mund të arrinte gradën që ndonjëri prej tyre ka fituar më dhënien (për hir të Allahut) e një grushti ose gjysmën e tij me flori”. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Të drejtat e tyre mbi këtë umet, janë prej të drejtave më të mëdha, për të cilat besimtari detyrohet si më poshtë:
1. T’i dojë ata me zemër e t’i lavdërojë me gjuhë për mirësinë dhe bujarinë e tyre.
2. Kërkimi i mëshirës dhe faljes nga Allahu për ata.
3. Të larguarit nga tregimi i gabimeve të tyre, të cilat janë shumë pak përballë virtyteve dhe meritave të tyre, gabime këto që mund të kenë  ndodhur si shkak i kërkimit të së vërtetës, gjë që është e falshme dhe punë e justifikueshme.    

                                                                                  Përgatiti: Blerta Shaqiri
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.