MЁNYRA E ABDESIT

 
Mos i harro prioritetet! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Ardita Boshnjaku Nushi   
e martė. 23 mars 2010
(Ligjëratë e mbajtur në manifestimin e diplomimit të shumë studenteve e organizuar nga Q.K. “Emtec” )


Motra të dashura dhe mysafire të nderuara, ju dëshiroj mirëseardhje dhe ju përshëndes: Eselamu alejkum we rahmetullahu we berekatuhu! 

Pas shumë netëve pa gjumë, pas shumë viteve, duke qenë vazhdimisht pranë streseve para provimeve, erdhi dita e shumëpritur, momenti i diplomimit, me ç’rast ju përgëzoj dhe ju dëshiroj sukses në jetë dhe mbi të gjitha harmoni familjare! Dhe, sigurisht u bindët se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, se pas errësirës vjen drita dhe pas lodhjes vjen pushimi.

Për temën time sot “Mos i harro prioritetet”, ashtu sikurse është natyra e punës sime, bëra përgatitjet e duhura paraprakisht duke hulumtuar në literaturë por edhe nga njohuritë e përgjithshme. Por sinqerisht, edhe pse temën e shtjellova me një rrjedhshmëri dhe në një formë shumë të rregullt e ndjeva se ngjasonte në diçka shumë të zakonshme, në diçka që jemi mësuar ta dëgjojmë, pak filozofike dhe idealiste. Andaj vendosa të flas diçka sinqerisht nga zemra, diçka që buron nga jeta, nga përvoja, nga momentet e bukura dhe të hidhura të jetës, sepse nëse kemi zgjedhur rrugën e Islamit, rrugën e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër  nuk duhet të kujtojmë se është rrugë e lehtë, është rrugë me sprova, plot vështirësi, plot dhembje e pikëllim, sepse, motra të dashura, ju keni diplomuar sot por nesër ju presin obligime të tjera të cilat janë shkolla më të vështira sesa ato që i keni mbaruar. Ato janë shkollat e jetës ku kërkohet shumë sakrificë, vetëpërmbajtje dhe maturi në sjellje, veprim e gjykim gjatë komunikimit të përditshëm me rrethin tonë jetësor.

Motra, ne sot jetojmë në familjet e përziera për nga kultura islame. Janë anëtarët e rinj p.sh. çifti i porsamartuar të cilët janë të udhëzuar në rrugën e Islamit dhe kanë definuar sistemin e tyre jetësor por ku mbetet pjesa tjetër e familjes që i takon rrethit të ngushtë familjar apo edhe më të gjerë që nuk i përmbahen këtyre parimeve, a duhet kthyer shpinën?

Më mahnit guximi i vajzave të reja që po planifikojnë  të martohen. Qysh në fillim të martesës ato u parashtrojnë kushte bashkëshortëve të tyre se nuk duan të jetojnë me prindërit e bashkëshortit të tyre, e kërkesa të tjera, por harrojnë faktin se si do të ndiheshin ato po të braktiseshin prindërit e tyre nga vëllai dhe nusja e tyre?!

Jam dakord se jeta e sotme për çështje praktike duhet të përfshijë vetëm familjen bërthamë, pra: nënën, babain dhe fëmijët e tyre që të funksionojë si duhet, por ndarja nga bashkësia duhet të jetë më spontane, më e natyrshme, më humane, të shpjegohet si domosdoshmëri e jo si egoizëm, arrogancë dhe dembeli.

Motra, mos harroni se nëse jeni të shkolluara nuk do të thotë se tani keni plotësuar obligimet e juaja. Dituria është e pashtershme. Ju do të krijoni familje, do të lindni fëmijë. Andaj një grua duhet të jetë e arsimuar dhe e ndërgjegjshme për të qenë prind i mirë.

Çdo femër ëndërron se pas diplomimit pason mundësia për punësim. Megjithëse profesioni kryesor i gruas është roli i saj si nënë dhe edukimi i fëmijëve. Islami sigurisht se e ka lënë të hapur rrugën për përparimin e gruas dhe se pranë punëve të shtëpisë mund të merret edhe me punë të tjera shoqërore dhe shkencore. Por duhet pasur kujdes, besoni se kjo vlen edhe për mua dhe për të gjitha ne, se puna jashtë shtëpisë dhe karriera nuk duhet të bëhet obsesion për ne ashtu që femra të përjeton pakënaqësi të madhe në jetën e vet familjare.

Besoni se pa marrë parasysh çka të arrini në jetë nëse nuk e keni ngrohtësinë familjare, konkretisht dashurinë dhe përkrahjen e burrit tuaj si dhe lidhshmërinë me fëmijët e juaj karriera nuk ka kuptim, nuk sjell kënaqësi.

Xhesika Anderson duke hedhur poshtë pikëpamjet ekstremiste lidhur me punësimin e gruas thekson: "Puna dhe punësimi është një pjesë e jetës dhe jo e gjithë jeta, por obligimi parësor i gruas është edukimi i fëmijëve dhe pranë saj ajo mund të ketë një punë tjetër jashtë shtëpisë."

Është interesante se si gra të reja të këtij shekulli në Botën Perëndimore në bazë të shumë hulumtimeve janë të etura për rolin e tyre që e kanë pasur para viteve të ’50-ta të shekullit të kaluar, si nëna shtëpie. (d.m.th. të gjysheve tona e jo të nënave të tyre). Rezultatet e hulumtimit të sjelljeve të 1.500 grave të një moshe mesatare prej 29 vjetëve, tregojnë se:

·         61 % e tyre besojnë se modelet e “zonjës shtëpiake” që përzien punën, amësinë dhe jetën në shoqëri të lartë, janë “të padobishme” dhe “irrituese”.

·         Më shumë se 2/3 pajtohen se burri duhet të jetë furnizuesi kryesor në një familje, ndërsa

·         70 % nuk dëshirojnë të punojnë aq shumë sa kanë punuar gratë e gjeneratës së nënave të tyre.

Mesatarisht, gratë e anketuara dëshirojnë “të qetësohen dhe të zënë vend” me partnerin e tyre deri në moshën 30 vjeçare dhe ta kenë fëmijën e parë të tyre, një vit më vonë. Mbi të gjitha, ato dëshirojnë të kenë një baraspeshë ndërmjet jetës dhe punës, ku do t’i kënaqen një martese të mirë dhe të fortë, të rrisin fëmijë të lumtur dhe të kenë një punë që u intereson atyre, mirëpo nuk i pushton ata (gratë dhe familjen). Koha e “super-gruas”, që dëshiron të jetë nëna, gruaja dhe shefi më i mirë në botë, ka vdekur. 
(Këto janë qëndrimet e grave jomuslimane)

Mos të harrojmë t’i kushtojmë rëndësi edhe raporteve bashkëshortore dhe kultivimit të tyre. Allahu, subhanehu ve te’ala, e din se zemra e njeriut nuk është një send i ngurtë, ajo ndonjëherë është e dobët, e ndonjëherë është dinamike. Ndjenjat ndryshojnë me kohë. Dashuria mund të dobësohet dhe vyshket. Lidhja martesore mund të dobësohet nëse nuk i kushtohet kujdesi i duhur. 

 Që druri i dashurisë martesore të mbahet gjallë dhe të rritet, toka, dheu duhet të mirëmbahen, ujiten dhe t’u kushtohet kujdes.

Tani mendoni thellë; kush jeni ju, çka përfaqësoni ju, cili është identiteti juaj, kush është familja juaj...?

Mos harro se je krijesë me fat, e dalluar nga të gjitha krijesat e tjera me mendjen dhe dijen të cilën ta dhuroi Allahu i Gjithmëshirshëm, dhe dije se ti dhe familja jote kanë një vlerë shumë të madhe!

Këto janë fjalë nga zemra. Këto janë fjalë nga një këshillë e mirë dhe e sinqertë. Andaj motër, ti do të jesh vajzë, motër, mbesë, grua, nënë, teze apo gjyshe.

Dhe, mesazhi im është: ‘‘Të  bëhemi robëresha të drejta ndaj Allahut! Dije rolin tënd për ta ngritur këtë popull të madh! Përmbushe detyrën tënde dhe mos u bëj shkak për shkatërrim! Bëhu prodhuese e gjeneratës së drejtë që do ta drejtojë njerëzimin tek ajo që është e drejtë dhe e duhur, tek feja e madhe e Islamit!"  
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.