MЁNYRA E ABDESIT

 
Raportet vjehėrr-re! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 06 janar 2010
Pyetje:

Selam alejkum!
Kam një pyetje dhe dua të më përgjigjeni sa më shpejt, nëse është e mundur!
Çdo familje ka probleme, çdo kush ka halle, mirëpo disa i kanë hallet më të lehta e disa më të rënda, por  problemi më i madh është vjehërr-nuse. Përafërsisht gjithkund aty ku jetojnë  në një shtëpi vjehrritë me nuse, pa marrë parasysh a janë besimtarë apo jobesimtarë ka problem, bile kur të shikosh nga një anë më shumë po kanë probleme familjet besimtare sesa ato që nuk falen fare. Siç po dëgjojmë, ka besimtarë që po shkurorëzohen, e ndër ta ka edhe plot hoxhallarë që janë bërë shembull për të keq dhe gjithherë po dihet faji i kujt po është –vjehrrive. Sipas mendimit tim më mirë është që të jetojnë ndaras këto dy familje se që jetojnë bashkë me plot keqtrajtime,  zullume, probleme, me plot fjalë fyese e thjesht është më tepër zullum për gruan- nusen që ka ardhur në familje të tyre sesa për ata të tjerët. Thjesht burri po mundohet me i mbajt "mace e mi " me një vend dhe ju drejtohet rrini mirë, por siç dihet macja gjithherë e ndjek miun. Dua ta di se a e ka mëkat burri nëse i bën padrejtësi gruas duke ia shkaktuar jetë të rëndë dhe me plot vuajtje, për shkak të prindërve të tij që dëshirojnë të rrinë bashkë derisa ka mundësi me i nda ata në shtëpi të tyre e neve në shtëpinë tonë? A do të llogaritet si zullumqar tek Zoti ky burrë, që e ka marrë vajzën e huaj dhe e bën veç të vuaj? Siç dihet, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë për gratë se ato janë amanet për ju, ruajini gratë. 
Selam alejkum! Zoti ju dhuroftë të mira!


Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër myslimane, edhe pse në pyetjen tuaj keni sjellë disa konstatime që nuk do të pajtohesha (si p.sh. çdo familje që bashkëjetojnë re e vjehërr nuk ka probleme, pastaj nuk është e vërtetë se tek familjet besimtare këto probleme janë më të theksuara, pastaj kur ka probleme të tilla, nuk do të thotë se gjithherë apo shumëherë është fajtore vjehrra etj.) dhe më shumë i ngjan një eseje sesa një pyetjeje, por megjithatë do të mundohem që shkurtimisht t’i përmendi disa pika të nevojshme për ta trajtuar këtë shqetësim që përfshin shumë familje.

- Së pari, Islami njerëzit të gjithë i trajton si të lirë e jo si robër. Madje me Islam robërisë i jepet fund. Askush si njeri nuk duhet ta ndiej veten si zotëri të tjetrit apo Zot i tij. Secili duhet ta luaj mirë rolin e tij në jetë qoftë si udhëheqës, apo si i udhëhequr, si nikoqir apo si mysafir, si i ri apo si i moshuar, si mashkull apo si femër. Nëse dikush ka nën përgjegjësi edhe dikë, kjo nuk arsyeton ndonjë epërsi njerëzore mbi tjetrin për shkak të pozitës apo pasurisë. Allahu të gjithë i ka krijuar njësoj dhe si robër të tij duhet të sillemi mirë ndaj njëri-tjetrit. Tek Allahu njerëzit nuk vlerësohen sipas pozitës, pasurisë, autoritetit, ngjyrës apo, diç tjetër, por ata vlerësohen sipas devotshmërisë. Allahu në Kuran thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (El-Huxhuratë, 13)Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte thënë: “Si i trajtoni njerëzit si robër, kur dihet se nënat e tyre i kanë lindur ata të lirë?!”

- Së dyti, Martesa assesi nuk guxon të mendohet se është robëri për nusen dhe pasuri për dhëndrin. Madje duhet dënuar shumë shprehjen që përdoret në popullin tonë kur ata fejojnë djalin të thonë “kemi nxënë një rob” apo “kemi nxënë nuse”. Jo, e fejuara e djalit është femra me të cilën djali i juaj si dhe babai i saj janë dakorduar të bashkohen e të martohen dhe kështu të krijojnë familje. Së këndejmi, familja e djalit kanë të drejtë të gëzohen, sepse djalit po i sjellin partnerin e jetës, e jo të xhelozojnë më pastaj nëse djali i tyre do të “harxhojë” prej dashurisë së tij edhe në drejtim të ri, pra drejt bashkëshortes së tij. Zaten, kështu kishte ndodhur me vet prindërit e tij e kështu me radhë deri te Ademi dhe Hava, të parët e njerëzimit. Sikurse vajza që lindet për t’u martuar dhe për të krijuar familje, njashtu edhe djali lindet për t’u bashkuar me dikë për ta krijuar atë familje, duke mos neglizhuar aspak obligimet e tyre që i kanë ndaj të tjerëve.

- Së treti, nusja duhet ta kuptojë se burri i saj ka një prejardhje dhe se ai i takon një familje që jetojnë dhe janë të lidhur me të. Ndonëse burri duhet ta nderojë atë, ta respektojë e ta mirëpresë nusen e tij, ai megjithatë duhet t’i kryen detyrat e tij karshi prindërve dhe të afërmve të tjerë. Sigurisht se djali që nuk do të kishte as babë e as nënë, as vëlla e as motër, as dajë e as mixhë, do t’i thuhej “është i mjerë” dhe vështirë se do ta merrte për burrë ndonjë femër për lakmi.

- Së katërti, jeta më ideale edhe sipas Islamit do të ishte jetesa ndarazi si e vëllezërve ashtu edhe e prindërve me djemtë e tyre. Por një gjë nuk e kanë parasysh aspak shumica e vajzave të reja dhe nuseve, është fjala për mënyrën se si do të arrihej jetesa ndarazi, secili në shtëpi të vet. Për të jetuar nusja pa prindërit e burrit do të duhej që burri ta ndërtonte një shtëpi të veten në tokën e vet, apo ta blinte një banesë me mjetet e veta, pastaj të kërkojë nuse për martesë, duke e bërë edhe martesën me forca të veta. Duhet ta dini se sipas Islamit prindi nuk e ka obligim ta martojë dhe ta bëjë me vendbanim djalin. Nëse kështu do të veprohej më thoni, cili burrë do të ishte në gjendje të martohej në moshë të re, para se të jetë 35 e 40 vjeçar? Pse nuk mendojnë nuset e reja se vjehrra ka qenë shumë humane kur ia liroi atij çifti bashkëshortor një pjesë të shtëpisë dhe u bë e kënaqur që të bashkëjetojnë, gjë që duhet të vlerësohet, e jo qysh në fillim të shikohet me sy negativ.
Mosjetesa e përbashkët e prindërve me djemtë e martuar, do të çonte në pamundësinë apo së paku vonimin e martesave të shumë të rinjve, gjë e cila do t’i bënte shumë të rinj të humbin shanse të mira për martesë e shumë të reja të humbin shumë raste të mira, për faktin e vetëm të kushteve materiale të djalit. Një gjë e tillë padyshim, tërthorazi, duke e parë nivelin fetar tek të rinjtë, do të çonte në përhapjen edhe më të madhe të imoralitetit.

- Së pesti, në rast të pranimit të bashkëjetesës së vjehrrave me nuset e djemve të tyre, duhet të kenë parasysh mirësjelljen me anëtarët e familjes dhe të mos i vënë djemtë e tyre në pozita të vështira dhe të papranueshme për ta se do t’ia mbajnë krahun nënës apo nuses, apo thënë ndryshe a me nënë a me nuse. Është e vështirë pastaj për djalin të vendoste drejtë, pasi do të qarkullonte motoja se nënë s’të bëhet askush e nuse ka sa të duash dhe kështu do të bënte padrejtësi ndaj asaj për të cilën ishte porositur nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që të sillej mirë me të, pra gruan, pasi e kemi në amanet, ndërsa Islami na mëson që ndaj bartjes së amanetit të jemi shumë të sinqertë dhe të drejtë.
Nëse prindërit kanë pranuar të jetojnë me djalin e me rejën e tyre, mos të tentojnë t’i bëjnë robër në shtëpi dhe mos të xhelozojnë për marrëdhëniet e mira të tyre bashkëshortore si dhe për perspektivën e tyre jetësore.

- Së gjashti, edhe nusja duhet ta kuptojë se prindërit e burrit nuk duhet të ndihen “jabanxhi” në shtëpinë e tyre dhe të jetojnë të nënshtruar.
Dashuria që mbizotëron ndërmjet burrit dhe gruas, duhet të reflektojë edhe në marrëdhëniet e tyre bashkëshortore por edhe në respektin e ndërsjellë ndër-familjar. Një grua e mirë dhe e zellshme, sigurisht që ka prindër dhe vijë familjare që meriton të respektohen pasi edukuan një vajzë të mirë. Si dhe e kundërta, një burrë i mirë, për të cilin ke lënë familjen tënde që të jetosh me të, e ka një familje e sidomos prindërit që meritojnë respektin e nuses në shenjë dashurie ndaj burrit të saj, pasi ata janë ata që e lindën partnerin e jetës së saj dhe babën e fëmijëve të saj.
Le të kujtojnë nuset e sodit se shumë shpejt vjen koha kur do të jenë vjehrra dhe do të kenë nevojë për përkrahjen e djemve dhe nuseve të tyre ndoshta më shumë se përkrahja e vet burrave të tyre, nëse i kanë të gjallë deri atëherë!

- Së shtati dhe më kryesorja, burri si personazhi me rolin kryesor në jetën bashkëshortore në përgjithësi, por në rast të bashkëjetesës me prindër në veçanti, duhet të jetë shumë aktiv dhe kreativ në zhvillimin e mbarë të jetës bashkëshortore. Ai duhet ta respektojë secilin sipas pozitës që e ka tek ai. Falënderimi i takon Allahut që rolet dhe pozitat e të afërmve tek një njeri nuk janë kontradiktore dhe nuk ballafaqohen njëra me tjetrën. Nëna është nënë dhe aspak nuk e zëvendëson gruan e as gruaja atë. Burri duhet të mundohet që njëkohësisht t’i luajë mirë edhe rolin e djalit - fëmijës, të babës (nëse ka fëmijë) por edhe të burrit. Ndoshta duket e vështirë kjo, por për atë thashë se ai duhet të jetë më aktiv.
Të mos lejojë assesi që nënës t’i mërzitet jeta në shtëpinë e saj për shkak të nuses së tij. Nëse në asnjë mënyrë nuk gjen kompromis, atëherë le të mundohet që t’i mbajë marrëdhëniet e gjalla ndërmjet tij dhe dy palëve të tjera duke e larguar nusen prej shtëpisë së prindërve por jo duke e shkurorëzuar atë. Nëse nëna me çdo kusht dëshiron që djali ta shkurorëzojë nusen e tij, derisa ai është i kënaqur me të, mos t’i bëjë padrejtësi nuses dhe mos ta përfillë dëshirën e nënës, por të mundohet t’i pajtojë të dy palët.
Nëse nusja me çdo kusht dëshiron të jetojë e ndarë nga vjehrra dhe kushtet nuk e mundësojnë një gjë të tillë, le t’ia sqarojë se kjo këmbëngulësi e saj e pamundëson vazhdimin e mëtejshëm të jetës martesore. Kurse nëse mundësitë janë dhe e vëren se nëna i bën padrejtësi nuses, atëherë le të shikon në këtë zgjidhje, duke mos harruar aspak rolin e përgjegjësisë që ka ndaj prindërve të tij.

Është shumë i çuditshëm fakti se si gjithherë dëgjohet për mospajtimet mes vjehrrës dhe nuses, e rrallë herë apo fare hiq dëgjohet për mospajtime mes vjehrrit dhe nuses si dhe djalit dhe babës. Mund të konkludohet se shkaktari kryesor i mospajtimeve të tilla është gjinia femërore, që në organizimin e jetës i japin të drejtë vetes më shumë se u takon. Andaj kërkohet edhe prej vjehrrit – plakut të shtëpisë e edhe prej djalit – burrit të nuses që ta kenë gjendjen më shumë në kontroll tek gratë e tyre. Mos të lejojnë që për një motiv femëror të shkatërrohet jeta dhe marrëdhëniet prind-fëmijë.

Së fundi, ta dini se durimi e ka shpërblimin e madh në ahiret, por edhe në dynja e ka shpërblimin shumë të madh, pasi ai durimtarit i siguron mbështetjen e Allahut. Allahu thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)


                                                                Muhamed Dërmaku

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.