MЁNYRA E ABDESIT

 
Bisedė me rininė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e shtunė. 19 dhjetor 2009
Njohja e vetvetes është një domosdoshmëri e gjithsecilit.   




Para se të fillojmë, dua të sqaroj një gjë. Nuk po mbajmë leksion, por po zhvillojmë një bisedë të sinqertë e miqësore.
Si çdo bisedë edhe kjo e jona ka një nismë e një qëllim. Ne nismë e kemi të njohim vetveten kurse qëllim t’i njohim disa gjëra të domosdoshme të cilat kanë të bëjnë me ne si qenie individuale, që kur të matemi, llogaria të mos na turpërojë e shkatërrojë.
Si çdo njeri po edhe si çdo i ri, duhet që domosdoshmërish ta kuptoj atë se vet jeta jonë është edhe feja jonë. Lidhur me këtë, duhet ta dimë se fetarizmi është një jetë e thellë shpirtërore, por analiza e kësaj nuk është aq e lehtë sa ç’pandehet.
Po qe se një i ri/e re, besimtar i sinqertë zotëron kritere të drejta, mundet ta provoj vetveten. Mandej duke shkuar më tej, mund të themi se, meqë në kohën tonë nuk gjenden ata prijësit e mëdhenj, modelet e qenies, të cilët i njohim përmes historisë, ose edhe po të gjinden, ne s'jemi të aftë për t’i zbuluar, kurse e vetmja gjë që kemi në dorë është të njohim vetveten.

Njohja e vetvetes është një domosdoshmëri e gjithsecilit, mandej duhet ta vejmë në provë në mënyrë që të shohim se ku ndodhemi me pretendimin e të qenit pasues i të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pastaj ku gjendemi ne në kauzën e Islamit si dhe, në përgjithësi, ku ndodhemi me udhëzimin në rrugën e drejtë e cila të çon te Zoti.
Duke vepruar kështu, duhet ta mbajmë vazhdimisht parasysh si kriter këtë ajet kur'anor i cili thotë:
"Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup) e Allahut, ta dini pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit!" (Muxhadele, 22).

Duke e analizuar në vete këtë verset, le të kthehemi tek vetja e ta provojmë; a jemi në gjendje që në synim drejt Allahut ta shprehim gatishmërinë për t’i realizuar urdhrat të cilët na janë urdhëruar neve? Apo ligësia e ndërgjegjshmërisë është aq e ndikueshme, saqë interesi i epsheve tona zë vendin meritor para të gjithave të tjerave?

Llogaritja e vetvetes

Sa gjigantë janë shembujt për disa myslimanë të zgjuar që nuk e nxirrnin qoftë edhe për një çast nga mendja se patjetër një ditë do të japin llogari para Allahut për të gjitha të bëmat e veta.A është nevoja për një gjë të tillë edhe për ne? Përgjigjen e kësaj, gjithsecilit na e jep verseti i cili thotë:
"Unë nuk e shfajësoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqën, përveç atë që e ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë." (Jusuf, 53).
Nefsi, egoja jonë, bën gabime të cilave herë u biem e herë s’u biem. Kjo është domosdoshmëri e krijimit. Në vendin tonë, pjesa dërmuese shquhemi myslimanë, por një pjesë e madhe e kanë privuar veten nga drita e Islamit, të tjerët mund t’i ndajmë në dysh; njërës pjesë nuk iu bëhet vonë se si jetojnë edhe nëse e falin ndonjë namaz ose agjërojnë Ramazanin. Të tjerët janë personat që i vazhdojnë adhurimet në nivele të ndryshme.
Jo rrallë has në të atillë të cilët pandehin se, pa asnjë dyshim, vetë do të hyjnë në xhenet, kurse të tjerët (që s'janë si ta), e kanë vendin në xhehenem. Disa të tjerë, në bisedë të tyre u drejtohen vazhdimisht ndjenjave dhe e rrokullisin bashkëbiseduesin në përgjumje. E disa të tjerë, sikur e kanë në dorë të tyre xhenetin dhe xhehenemin, dhe duke i miratuar moralisht bashkëbiseduesit e tyre, i shpërblejnë duke i çuar në xhenet, kurse të tjerët (jashtë tyre), pa asnjë dyshim që e kanë vendin në xhehenem.
Kjo mënyrë e të komunikuarit e ka asgjësuar ndjenjën e përgjegjësisë tek shumë njerëz. Saqë një numër jo të vogël të besimtarëve i ka bërë të mendojnë keq për njerëzit e tjerë e të tregohen jo-tolerantë ndaj tyre.
Mirëpo e vërteta është kjo; për t’u pjekur si njeri, për t'iu afruar Zotit, është kusht absolut ecja në rrugë të Muhamedit alejhi sal-latu ve sel-lem. Andaj është shumë me rëndësi se çfarë vendos, kurse vendosja për jetën tënde me mençuri e jo me nguti është shumë e rëndësishme, gjë të cilën shumë pak njerëz dinë ta vlerësojnë. Pastaj, lidhmëri e kësaj është se, duhet të kemi kujdes tejet të madh edhe se si sillemi me të tjerët, çfarë vendosim në respekt, në mirësjellje ndaj të tjerëve. Lehtë mund t’i shndërrojmë në kufoma të gjalla, por, s'duhet harruar se, jeta e tyre është pengu i  përfundimit tonë në botën tjetër, kurse në këtë botë, është më i rëndë sesa turpi, edhe nëse arrin suksese të larta.
Ta kujtojmë edhe një gjë; falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh dhe umre rutinë, nuk të nxjerrin dot në pozitë të lartë, nuk të çojnë dot në shpëtim. Atëherë, duhet të mendohemi; a veprojnë po kështu namaze tona mbi ne, a na i pakësojnë të këqijat dhe na i shpërndajnë errësirat? Po qe se përgjigja është negative do të thotë se s'kemi mundur të hyjmë në jetën fetare.

Secili nga ne shohim shumë të këqija në shoqërinë ku jetojmë; dhunë, padrejtësi, paturpësi, mangësi respekti për Krijuesin dhe krijesat… A nuk përbën secila prej këtyre dhe atyre që i përmendëm më lart një çështje vetë-llogarie për ne?
Për shembull: kur të shohim një veprim antimoral ose antindërgjegjësor, le të mendojmë se ç’kemi bërë ne në të shkuarën, madje çfarë kërkojmë ende të bëjmë; duke mbajtur parasysh edhe të gjitha mundësitë, të mendojmë se ç’duhet të bëjnë familja, fëmijët, të afërmit tanë. Të mendojmë dhe, po qe se nga brenda ndiejmë urrejtje ndaj së keqes, ta shprehim atë, e jo të veprojmë në një mënyrë e kah tjetër. Shkurt thënë, cilido që të jetë identiteti ynë, nuk duhet të na pëlqejë vetja e ta nxjerrim të lartë egon tonë. Drejtësisht, ky është edhe urdhër i Allahut për ne:
"Ata që largohen prej mëkateve të mëdha dhe prej punëve të ndyta, përpos ndonjë pune të imët, s'ka dyshim se Zoti yt është që gjerësisht përfshin me falje, se Ai di më së miri për ju edhe para se t'u krijojë edhe kur e filloi krijimin tuaj nga dheu e edhe kur ishit të fshehur në barqet e nënave tuaja, pra mos lavdëroni veten, se Ai e di kush është më i ruajtur." (Nexhëm, 32).

Nga ngjarjet që shohim e që kemi parë; të mira ose të këqija qofshin ato, në fillim të marrim mësim për veten, e të mos humbasim kohë për të tjerët duke i akuzuar. Myslimani shembullor dhe shërbyes i denjë i fesë është ai/ajo që e këshillon veten më parë dhe nuk e supozon veten jashtë mëkateve që kryhen në shoqëri.
Ngaqë ne nuk e kemi krijuar këtë botë e as krijesat në te, por jemi urdhëruar që të thërrasim në të mirë e të largojmë nga e keqja, por duke u nisur nga vetja së pari, këtë para se të ndodhin fatkeqësitë, sidomos kur është në pyetje padrejtësia e haku ndaj tjetrit. T’i lidhim plagët vet në fillim, se pastaj shërimin do ta kemi më të lehtë, po qe se i lejojmë të na i lidhin plagët ata të cilët i shndërrojmë në hije. Ta dimë se mu ata do të jenë edhe kasapët tanë në këtë botë dhe në tjetrën. Përderisa e ka lënë Allahu zinxhirin e shpërblimit në mirësi, e ka lënë edhe zinxhirin e përjetësisë së mëkatit, andaj na urdhërohet kujdes.

Mos të harrojmë se zullumi është i ndarë në tre shkallë sipas dijetarëve: njëri ndër ta është edhe zullumi ndaj vetvetes dhe zullumi ndaj tjetrit. Për vetveten e zgjedh ti vet se si ia dëshiron fundin, kurse zullumi ndaj të tjerëve të bën më të mjerë se të vobektin e kohës migjeniane, andaj të mendohemi, se të gjithë kanë nga një zemër, nëse ti s’ua ruan zemrën e tyre për shkak të asaj se të ka josh dynjaja skajshmërisht, ai/ajo e ruan zemrën e tij, kurse ujë të mullirit i konsideron edhe sevapet tuaja. Kurse dynjaja ikën shumë shpejt, e nga ahireti s’ke ku të shkosh më.

Një realitet tjetër është se vazhdimisht u kërkojmë llogari njerëzve me të cilët punojmë bashkë në jetën e përditshme ose të cilët ndodhen nën urdhrin tonë. Po të jetë e domosdoshme, i marrim në pyetje, ndoshta edhe i fyejmë ose i rëndojmë me fjalë ose i ndëshkojmë.
Mirëpo pse s’e tregojmë edhe ndaj egos tonë këtë pedantizëm që tregojmë për të tjerët? Ndaj egos që mund të jetë armiku ynë më trimi e më i afërti. Pse gjithmonë e arsyetojmë atë, ndoshta pse arsyeja është furia më e pamposhtura në botë, ose ndoshta nuk na bëhet vonë për asgjë?
Njeriu e fsheh identitetin e tij të vërtetë nga njerëzit përreth, madje edhe nga bashkëshortja e tij/saj, mund të duket si njeri i drejtë, si personifikim i së drejtës. Por, po të mbetet vetëm me veten e tij e ta shqyrton atë me maturi e kujdes, do t’i dilnin në shesh të gjitha anët e fshehta e të panjohura të identitetit dhe do të mund ta njeh nefsin e tij në gjithë lakuriqësinë e vet. Sepse veten s’e fshehim dot prej vetes!Si qenie është e tillë që t’ia “harrojë” të metat vetvetes, mirëpo Zoti i shënon në një Libër të gjitha veprimet e tij pa harruar e lënë mënjanë asgjë, dhe në Ditën e Llogarisë do t’i thuhet:
"Lexo librin tënd, mjafton të jesh sot llogaritës i vetvetes". (Isra, 14).

Të nderuara bashkëbiseduese!

Kur të kemi marrë në pyetje vetveten dhe të kemi parë se s’kemi të drejtë, për t’u vetëndëshkuar s’duhet të na pengojë indiferentizmi i shumicës dërmuese të njerëzve të cilët notojnë në shkujdesje në mesin tonë.
Njerëzit që do të na bëheshin shembull në këtë drejtim për të cilin bashkëbiseduam, i  mban historia në gjirin e saj.Mund të themi se gabimi më i madhi i ndërmarrë më lart është se, gabimin kurrë nuk e pranojmë për vetveten, ose sikur të mos besosh se një ditë do të vijë vdekja, kiameti, llogaridhënia para Allahut. Ta zhvillojmë këtë bisedë duke prekur shembullin për kujdesin dhe kthjelltësinë e memories për llogaridhënie, se si reagoi e çfarë qe në gjendje të pranoj si kusht vetëm e vetëm që të mos i varet xheneti ose sevapi në botën tjetër. A nuk ia vlen ta kujtojmë shembullin madhështor të babës së Imam Ebu Hanifës (rahimehull-llah)? Një krahasim të tillë a mund ta bashkojmë sot me ndonjë rast në këtë botë (në vendin tonë), apo edhe po qe se duam ta krahasojmë, na vjen zor dhe vihemi në hall se si rrjedhin gjërat. Apo ndoshta duhet të vazhdojmë me atë moton e nënvetëdijes: “Hajt se ma fal Allahu, ei sa veprat e mira i bëj unë…, sa shpërblimet i kam…”. Apo ndoshta edhe më keq, në vend se të ndalet e të kërkoj ndjesë, ende e shton dozën e shkatërrimit e padrejtësisë ndaj të tjerëve, sidomos nëse është pak i/e ngritur në shoqëri.
A mos vallë nuk mund t’i themi kësaj se është sëmundje e të mos dhënit vlerë konceptit të përjetësisë, e cila u vë freksionin pasioneve të vrullshme të njeriut që mund të bëhet më e dëmshmja ndër krijesat. Ç’mund t’i thuhet tjetër përveç se zvarritje në fatkeqësi, fund i shoqërive që i mbysin vlerat moralo-shoqërore të tjetrit, që lavdërohen e lartësohen vetëm me gjërat vlerësuese të kësaj bote dhe disa me shumat materiale e që ia lëshojnë veten tërheqjes së dynjasë e “kënaqësive” në të?

Të nderuara bashkëbiseduese, s’duhet harruar se Allahu e ka krijuar njeriun në trajtën më të bukur. Çdo gjë që ekziston mbi tokë, e ka krijuar që të përfitojë njeriu, por që përfitimi të jetë në mënyrë të drejtë (sheriatike) e njerëzore. Çdo gjë që ekziston në qiej e në tokë, e ka vënë nën urdhrin e tij (njeriut). Përmes namazit e ka bërë edhe bashkëbisedues të Tij direkt. Kurse shpalljen e Kur’anit e ka bërë “predikues që flet” , ndërsa Sunetin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mostrën e vetme e të përkryer. Me krijimin e vdekjes, a nuk ka dhënë shembull?
I ka favorizuar njerëzit me bashkimin me Të. Zemrën e besimtarit e ka bërë vendvrojtimin e Tij sa që i ka ngritur mbi engjëjt.
Atëherë a ka mundësi që pasi të jenë dhënë kaq e kaq të mira, të lejoj e të pajtohet Allahu me faktin që ata të harrojnë se çfarë vepruan, qoftë edhe për një çast të vetëm, që të sillen me indiferentizëm e të kenë rënë në shkujdesje, se lëre më t’i bësh edhe padrejtësi tjetrit? Lidhur me këtë specifikë, Allahu thotë në Kur’an”
A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e All-llahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kur'an), e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë libri më parë e zgjati koha dhe zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rrugës.” (Hadid, 16).

Ndërsa në fund të kësaj bisede po e shkoqisim një rast nga Tefsiri i Ibn Kethirit ku thotë:
“Tregon Ibni Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të: “S’kishin kaluar veçse katër vjet nga dita kur ne u bëmë muslimanë dhe çasti kur u vumë përballë me këtë qortim të Kur’anit. Ky ajet u këndua në prani të Ebu Bekrit (radiaAllahu anhu), bashkë me të cilin ishte edhe një grup njerëzish nga popullsia e Jemamës. Ata filluan të qajnë. Ebu Bekri i pa dhe u tha: “Ja kështu bëmë ne; na u nxinë zemrat më në fund!” 

 


 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.