MЁNYRA E ABDESIT

 
Sikur kam ngelur nė njė vend me iman PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 25 nėntor 2009
Pyetje:

Zoti ju shpërbleftë për punën që po bëni!

Kam një pyetje që po më mundon.

Ka tre vite që i fali kohët e namazit. Sabahu me ikë nganjëherë por Zoti pastë mëshirë me mua! Agjërimin e kam bërë që kur kam qenë e vogël.

Në fillim kur fillova të falem e ndieja se imani po më rritej shumë. Por këtë vit të fundit sikur më është varur një fre dhe kam ngelur në një vend. Kam pasur shumë vesvese në namaz, mirëpo kam bërë rukje te një hoxhë, dhe elhamdulilah, Allahu më ndihmoi dhe më janë larguar vesveset. Që të mundem ta kaloj këtë problem, shumë teravi në Ramazan këtë vit i kam falur në xhami, pasi që ka edhe gra që shkojnë. Po edhe mbas Ramazanit shkoj në xhami të fal namazin e xhumasë, pasi që ka gra që shkojnë tek xhamia e somalezëve. Por nganjëherë e ndiej sikur po më duket se falem kot (subhanallah!) nuk po arrij më shumë më duket në iman. Kuranin shqip e lexoj, lexoj shumë literaturë islame, dëgjoj shumë radio islame e ligjërata. Por prapë më duket sikur jam frenuar në një vend. Nuk di çfarë të bëj, nuk kam guxim ta lë namazin, kam frikën ndaj Allahut të Madhëruar. Kam filluar ta mësoj edhe alfabetin arabisht që të mësoj të lexoj Kuran arabisht. Çfarë më këshilloni? Çfarë të bëj? Selamun alejkum!
 

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër muslimane, Allahu ta shtoftë edhe më shumë ndjenjën për përkushtim dhe për arritje më të lartë në aspektin shpirtëror fetar! Vet brengosja për këtë gjë është shenjë e mirë, sepse njeriu për nga ngritja shpirtërore duhet të shikojë dhe të synojë të krahasohet me njerëzit më të lartë, kurse sa i përket aspektit social duhet krahasuar me ata që kanë gjendjen më të ulët financiare. I Dërguari, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Shikoni ata që kanë gjendje sociale më të ulët se ju e mos i shikoni ata që janë në gjendje më të mirë se ju, sepse kjo gjë është më afër që të mos i përçmoni dhuntitë e Allahut mbi ju!" (Transmetojnë Muslimi, Tirmidhiu etj. nga Ebu Hurejre)
Natyrisht se ngritja nga niveli i mëkatares në nivelin e përfilljes së ligjeve të Allahut është më e vështirë sesa ngritja nga niveli i mirë fetar në nivel më të mirë, por edhe dallimi në rastin e parë vërehet më shumë se në rastin e dytë.
 

Lufta e shejtanit ndaj jush nuk ka marrë fund, por ajo vazhdon deri në vdekje, andaj edhe duhet të jesh vigjilente që ai të mos luaj me besimin tuaj as në teori e as në praktikë. Sidomos në periudhën e fillimit, vesveset, dyshimet, luhatja e paqëndrueshmëria në fe janë më të theksuara, pasi shejtani nuk do që t'ju lëshojë lehtë nga "aleanca e vjetër" me të, si dhe Allahu do që ta shohë seriozitetin tuaj në punë dhe përkushtimin ndaj urdhrave të Tij.

Allahu vet besimtarët i thërret në besim, në mënyrë që mos të mjaftohen me anën teorike të besimit dhe të harrojnë se përsosmëria në besim kërkohet në vazhdimësi, por ata i përkujton dhe ju thotë: "O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (Nisa', 136)

Ti motër, vazhdo të shtosh dituritë tua fetare, për të cilat ke nevojë në jetën tënde të përditshme. Mëso të lexosh Kur'an, lexo literaturë fetare, kryej përveç farzeve edhe ibadete vullnetare-nafile, puno me veten që t'i ndryshosh veset e këqija dhe të stolisesh me sjellje të mira, solidarizohu me të vobektat, të varfrat, të sëmurat, bë dua për to që Allahu t'i begatojë me të mirat e Tij, shoqërohu me shoqëri që ta përkujton Allahun e nëse nuk ke, bëhu ti shkaktare që në shoqërinë tënde të dominojë serioziteti, frika ndaj Allahut, respekti ndaj fesë së Tij etj.!

Allahu të forcoftë në hak dhe të largoftë nga çdo e ligë!



                                                       Muhamed Dërmaku

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.