MЁNYRA E ABDESIT

 
Haxhi, burim i urtėsisė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Bashkim Aliu   
e mėrkurė. 18 shtator 2013
  

Haxhi, sikur edhe gjithë ibadetet tjera në Islam, ka karakter reformues në qenien e njeriut.





Për çdo vit muslimanët e mbarë botës, atyre që Allahu u ka dhënë një mundësi të tillë, në muajt e bekuar ia mësynë vendeve të shenjta për ta kryer kushtin e pestë të Islamit, haxhin, e njëkohësisht t’i ngjallin përkujtimet e tyre për të kaluarën e lavdishme të këtij umeti, të analizojnë të tashmen dhe të bëjnë plane e të mendojnë për një të ardhme më të ndritshme.

Po ashtu, ky është rast i shkëlqyeshëm që muslimani ta përshëndesë mbarë botën islame përmes takimit, buzëqeshjes dhe përshëndetjes së vëllezërve të vet haxhinj, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme të rruzullit tokësor, e që i përfaqësojnë muslimanët e vendit përkatës, dhe gëzimi e hareja që vërehet qartë në fytyrat e tyre sikur do të na thotë se shpirti dhe zemra e tyre janë të mbushura përplot mesazhe e porosi për vëllezërit e tyre në anë të ndryshme të botës. Gjuhët e popujve nuk i kuptojnë, por tërë atë që duan ta shprehin, e thonë përmes gjuhës së besimit dhe zemrës muslimane, të cilën e kuptojnë të gjithë bijtë e këtij Umeti.

Haxhi paraqet manifestimin më të madh dhe më masovik vjetor të muslimanëve. Ky manifestim e tërheq vëmendjen e mbarë botës islame. Mendimet, idetë dhe ndjenjat e tyre drejtohen në këtë vend. Ata që kanë mundësi për vizitën e tyre, mezi presin të shkelin në tokën e shenjtë, përderisa ata që s’kanë mundësi materiale, mbeten me shpirt dhe ndjenja të lidhura për vendet e shenjta dhe me shpresë të fortë se një ditë edhe ata do të kenë një fat të tillë.
Nisur nga karakteri i tillë i gjithanshëm i haxhit, muslimanët duhet ta shfrytëzojnë atë për të bërë reformë individuale dhe shoqërore, ta shfrytëzojnë për t’u pasuruar intelektualisht dhe shpirtërisht.

Haxhi është shtylla e pestë e Islamit, dhe është obligim një herë në jetë për çdo besimtar i cili i plotëson kushtet e parapara.

Allahu i Madhërishëm në shumë ajete flet për haxhin, e që ne me këtë rast do ta veçojmë ajetin vijues:
Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”. [Ali Imran, 97]

Ibn Kethiri, duke e komentuar këtë ajet, ka thënë: “Ky është ajeti i obligimit të haxhit. Shumë hadithe përmendin se haxhi është një nga shtyllat, bazat dhe detyrat themelore të Islamit, për të cilën gjë ka edhe koncenzus të domosdoshëm në mesin e muslimanëve. Muslimani i ngarkuar fetarisht me detyra, e ka obligim haxhin një herë në jetë, sipas vetë tekstit kur’anor dhe konsenzusit të dijetarëve” (El-Misbahu-l-munir fi tehdhibi tefsiri Ibn Kethir, 200:233).

Haxhi, me gjithë dispozitat dhe veprimet që e përbëjnë, përmban simbolika dhe mesazhe të rëndësishme për jetën e besimtarit, e që ne do t’i veçojmë disa prej tyre, edhe atë, si vijon:

Haxhi, simbol i teuhidit (Të qenit i Allahut Një dhe i pashok)

Bosht kryesor rreth të cilit sillet kryesisht i tërë haxhi është Qabjа. Qabja është shtëpia e parë e ngritur në sipërfaqen e tokës që t’i bëhet adhurim me sinqeritet vetëm Allahut të Madhërishëm, gjegjësisht demonstrim i teuhidit- të qenit të Allahut Një.
Po ashtu, Ibrahimi alejhisselam i cili ia vuri themelet kësaj shtëpie adhurimi, është simbol i luftëtarit të palodhshëm e konsekuent për kauzën e besimit të mirëfilltë në Zotin- teuhidit.
Ibrahimi alejhisselam, e pas tij edhe Muhamedi alejhi selam dhe pejgamberët tjerë ndërmjet tyre, e ngritën zërin kundër të pavërtetës, duke ia trandur themelet idhujtarisë në djepin e vet, e njëkohësisht e ngritën flamurin e besimit të vërtetë islam se nuk ka zot tjetër pos Allahut në tokën e shenjtë, që pastaj ky flamur të valojë edhe në anë tjera të rruzullit tokësor.

Dëshmi e besimit të fortë

Haxhi është dëshmi e besimit të fortë e të paluhatshëm në Allahun e Madhërishëm dhe përqëndrim konsekuent e permanent në fe, përkushtim të njëmendtë asaj dhe zbatimit të sinqertë e të përpiktë të normave fetare.
Demonstrimi i kësaj të vërtete të pamohueshme reflektohet në shumë kënde:

Sakrifikimi i pasurisë- Haxhiu për kryerjen e haxhit sakrifikon një pjesë të pasurisë për hir të Zotit të Madhërishëm, në kohën kur mundësitë e investimit dhe harxhimit të pasurisë janë të shumta, kurse provokimet e faktorëve të ndryshëm për orientimin e saj në kanale dhe vende të ndaluara janë në kulm. Në këtë rast, ndarja e një sasie të pasurisë, që me të të kryhet ky obligim madhështor islam, është dëshmi e pamohueshme e besimit të fortë dhe përqëndrimit të denjë në fe.

Durimi- Haxhiu për kryerjen e këtij obligimi islam kalon me mijëra kilometra largësi, kurse kjo largësi ka peripeti të ndryshme gjatë kalimit të saj dhe i mundon udhëtarët derisa ta kalojnë. Mirëpo, besimi i fortë në zemrën e besimtarit e bën të durueshëm atë ndaj mundimeve dhe peripetive që i dalin rrugës. Besimi përmes ngjalljes së durimit dominon mbi lakmitë e njeriut për rehati dhe komoditet.

Pastrimi i shpirtit: Haxhi, sikur edhe gjithë ibadetet tjera në Islam, ka karakter reformues në qenien e njeriut. Haxhi, me tërë aktet e veta, e pastron shpirtin e njeriut nga veset e këqija dhe vetitë negative të cilat e shëmtojnë personalitetin e njeriut.

Kështu, gjatë haxhit besimtari ka rast të mënjanojë shumë veti negative, si: azhuriteti, egoizmi, koprracia, arroganca, mosdurimi, fyerja, mendjemadhësia; kurse në anën tjetër të pajiset me cilësi dhe virtyte të larta, si: durimi, qëndrueshmëria, falja, solidarizimi me të tjerët, respekti i ndërsjellë, modestia, maturia, zemërgjerësia, bujaria, toleranca etj.

Të gjitha këto i arrin në saje të bindjes së fortë të tij se ai përderisa është në haxh, është mysafir i Allahut dhe natyrisht, si mysafir, duhet të lë përshtypje të mirë, ngase nikoqiri do t’ia paguajë këtë me shpërblime të shumëfishta në të dy botët.

Lidhja e fortë me Krijuesin, dashuria ndaj fesë dhe sinqeritetit në kryerjen e veprave, bëjnë që haxhiu ta sundojë veten dhe t’i asgjësojë vetitë negative të cilat ia ndyejnë shpirtin. Prandaj, ai tregohet durimtar ndaj gjithë pengesave që i dalin para, është falës dhe tolerant ndaj gjithë atyre që e dëmtojnë, solidar dhe modest me ata që kanë nevojë, zemërgjerë dhe bujar ndaj të ngratëve dhe të varfërve etj.
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.