MЁNYRA E ABDESIT

 
CYTJA DHE I CYTURI PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e martė. 20 tetor 2009
Mos e fundos edhe më tej veten.

 



Ftohje e zemrës. Zbehje ndjenjash. Ngushtim i shpirtit. Zënie e frymës. Tharje e gjuhës. Qepalla mbi sy të rënduara. Gishtërinj të mbledhur. Vetmi. Vetvete e tepërt. Kujtime të ditëve të bukura. Ditë të re s’pret. Herë ndezje e herë ftohje kraharori. Lëvizë pa mendim e pa zemër. Kur shpresat pluhur bëhen. Mbetjet, janë ca kujtime të bukura.

Lodhje. Përpjekje e harxhuar. Kur frymë merr thellë, mezi jashtë e nxjerrë. Me një zë të lehtë rënkues, hapësirën dhe kohën qorton. Atëherë kur qëllimi i ekzistencës nga dheu i cytjes pluhurohet. Ndërsa drita e arsyes shkëlqimin humbet. Errësirë, sikur mjegulla të zeza mbi kokë, tërë qenien të mbulon. Qetësia kur në shqetësim shndërrohet! Lëkura do të hapet, prej vetvetes të ikësh.

Cytja, inspirim djallëzor! Ç’inspirim ndaj shpresës dhe vullnetit të mirë. Kur copëzën e zemrës pushtetit të së keqes ia nënshtron. Agoni, ç’orientim, plogështi. Kur natyra, imazhi i tij i vërtetë përballë shqisave shtrembërohet. Ndijim i verbuar. Shqisa të rrethuara me zjarrin pa tym, kur ndjenjat i djeg, dritaret zemrës ia mbyllë. Etje shpirti ndien, ndërsa mbeturina të zjarrit të djegur i jepet.

I cyturi, kur Zotin e vet harron, zemrën e vet ngulfat. Vullneti, qëndresën humbet; koha mbi kokë i rëndohet, kur Zotin e vet s’e përkujton; vendi tërë qenien ia prangos, kur qielli para zemrës së tij mbyllet! Nuk mund të luftojë. Nuk mund të përballojë. Dorëzohet, sepse besimin në vetvete humbet. S’kërkon shërim, shtrihet e me krahët e tij veten shtangon.

Të ftoj të përkujtosh Atë që krijoi çdo gjë! Ai është Bujar, i Butë e i Mëshirshëm. Të mjafton Atij t’i lutesh me përgjërim, e tek Ai strehim e mbrojtje të kërkosh. Ai di se ç’mban kraharori yt! Thuaj: Zoti është më i Madhi! Thuaj: O Zoti im! Tek Ti kërkoj mbrojtje e strehim nga djalli i mallkuar!

Mos humb shpresat te Zoti i Gjithësisë, Atij i takon sundimi, është i Gjithëpushtetshëm. Mjafton t’i kthehesh Atij e t’i drejtohesh me zemër të sinqertë!

Mos e fundos edhe më tej veten. Këtë e dëshiron djalli i mallkuar; të të shpie në stres e depresion. Ndërsa, Zoti i Gjithëmëshirshëm paqe e qetësi të premton!





 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.