Dita më e mirë në këto dhjetë ditë është dita e nëntë (dita e Arafatit). A do t’i lëmë këto ditë të na ikin ashtu siç na kanë ikur sa e sa raste të tilla pa përfituar prej tyre?!
Begatitë e Allahut ndaj robërve të Tij janë të mëdha e të
panumërta, siç thotë edhe Allahu në Kur’an: “Nëse ju doni t’i numëroni begatitë e Allahut ndaj jush, nuk do të mund t’i numëroni.” (Ibrahim: 34). Prej këtyre begative të panumërta janë edhe periudha të veçanta në të cilat njerëzit vepërmirë i shtojnë veprat e mira. Prej këtyre periudhave janë edhe dhjetë ditët e para të Dhylhixhes. Dhyl-Hixhe është një nga 12 muajt e kalendarit hënor. Quhet kështu sepse në të kryhen ritet e haxhit. 10 ditët e para të këtij muaji janë më të mira tek Allahu sesa ditët e muajve të tjerë dhe pikërisht për këtë adhurimi në këto ditë është më i dashur tek Allahu sesa në ditët e tjera të vitit. Allahu është betuar në netët e këtyre dhjetë ditëve në Kur’an dhe ka veçuar në betim ditën e nëntë të këtij muaji, e cila është dita e Arafatit: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun.” (El-Fexhr: 1-3). Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilën veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa në këto ditë (10 ditët e para të Dhul Hixhes).” Të pranishmit e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! - “As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç nëse njeriu del me veten e tij dhe pasurinë e tij e nuk kthehet me asgjë (nga kjo).” (Transmeton Buhariu nga Ibn Abasi).
Rastet e tilla e thërrasin njeriun në pendim te Krijuesi, Furnizuesi i Gjithësisë. Sepse sa më shumë të pendohemi e të kthehemi tek Allahu i Madhëruar, aq më shumë do të rregullohet gjendja jonë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu thotë në Kur’an:
“O ju të cilët keni besuar! Pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Et - Tahrim: 8). Pejgamberi, alejhi selam, kur është pyetur për agjërimin e ditës së Arafatit ka thënë se agjërimi në këtë ditë shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe të atij që vjen. (Transmeton Muslimi nga Ebu Katade).
Mirëpo, sipas Imam Shafiut, haxhiu nuk duhet të agjërojë ditën e Arafatit ngase ai duhet të jetë më i fortë dhe më i zellshëm për të bërë dua në këtë ditë të madhe në kodrën e Arafatit. Kjo bazohet në atë se edhe vetë Muhamedi, alejhi selam, nuk e ka agjëruar ditën e Arafatit kur ka qenë në haxh. Çdo musliman duhet t’i shtojë adhurimet në këto ditë, si: namazin nafile, agjërimin, sadakanë (dhënien lëmoshë), leximin e Kur’anit, dhikrin (përmendjen e Allahut), lutjet e shumta etj.. Për këtë kemi një hadith të Muhamedit, alejhi selam, i cili ka thënë: “Mundohu të bësh sa më shumë sexhde, sepse sa herë që ti bën sexhde, Allahu i Madhëruar të ngre një gradë lart dhe ta fshin një gabim.” (Transmeton Muslimi).
Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, katër gjëra nuk i linte kurrë: agjërimin e ashuras (ditës së dhjetë të Muharremit), agjërimin në dhjetë ditët e Dhulhixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve përpara sabahut. (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu). I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë, siç e transmeton Tabaraniu dhe Ahmedi: “Nuk ka ditë më të mëdha tek Allahu i Madhëruar, e që Allahu t’i dojë veprat e mira në to më shumë se në çdo kohë tjetër sesa dhjetëditëshi i Dhulhixhes, prandaj bëni sa më shumë tehlil (La ilahe il Allah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (Elhamdulilah).”
Ibn Tejmije ka thënë: “Dhjetë ditët e para të Dhulhixhes janë më me vlerë sesa dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ndërsa dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më me vlerë sesa netët e dhjetë ditëve të para të Dhulhixhes.” E lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë prej atyre që e adhurojnë gjithmonë Allahun me sinqeritet dhe i shtojnë adhurimet dhe punët e mira në këto dhjetë ditë! E lusim Allahun të na i falë gjynahet, të na udhëzojë në rrugë të drejtë, të na pastrojë zemrat e të na pranojë veprat tona të mira, sepse Ai është Dëgjuesi, Shikuesi, i Gjithëdituri. Amin! |