MЁNYRA E ABDESIT

 
ZĖ I SHTERUR PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e shtunė. 19 shtator 2009

Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi i të gjithëve!


 





Të zihet fryma. Dhunë anekënd po ushtrohet. Zëri i mirësisë dhe dashurisë po luftohet. Vullneti po mbytet. Entuziazmi po vritet. Edhe zëri të është shterur. Këmbët të janë shtangur. Lotët, po rrodhën edhe rrëke, s’po bëjnë dobi. Po bërtite, me sa forcë ke, je njeri i irrituar. Je i çmendur. Mendja kur prej përçmimit dhe injorimit tkurret. E zemra, prej fjalës së akullt, të bëhet e shterpë. Gjithandej, sytë e njerëzve të hutuar. Gjuhët përgojuese, detyrimisht bëhen. Kur bujaria e mirësia mbet në duar të ngrira. Stuhia e pakënaqësisë, me fuqinë e dëshirës për ditë më të mira, kur shpërndahet, edhe ato kulme zemrash të ngrohta e të pastra, rrënohen.

Një zë, zhurma e të cilit, të lëkundë tërë qenien; një dridhje e furishme, që të zhvendos nga një vend në tjetrin, kur vetëdija ç’vetëdijesohet; kur mendja çmendet; kur arsyeja e shëndoshë sëmuret; ah, më e mirë vdekja, sesa jeta me zemër duke vdekur, e me vetëdije duke u poshtëruar, e me arsye duke u sëmurë. Zë, një zë që është mbyllur brenda mureve të zemrës, brenda mureve të mendimit, duke u ushtruar forcë, edhe atë vullnet që desh e të gufon prej zemre, të flakëron tërë qenien, në vend se të drejtosh, ç’drejton; në vend se të afrosh, largon! Nuk drejton fjala e ashpër, qoftë edhe e argumentuar, nuk afron zëri i forcës, qoftë edhe i arsyetuar! Paqe! Fjala e ëmbël. Zëri i butë.

Ku është faji! Ç’forcë është kjo, që po përplasë bujarinë e mirësinë, entuziazmin e ambicien; ç’zemra kanë ato kraharorë njerëzish, që duart s’dinë t’u hapen me dashuri, e sytë e fytyrat t’u buzëqeshin, e gjuha t’u flasë fjalë të buta e të lehta! Po zemra e njeriut nuk hahet! Po zemra e njeriut duhet të ruhet; fjala e ftohtë e bën të ftohtë. Mos flakëroni! Mos digjni djersën dhe lotin e të tjerëve. Mbani lidhjet. Mos këputni shpresa. Mos hidhëroni. Mbani drejtësi me mëshirë e dashuri. A thua vallë, njeriu adhurues harroi se Zoti që e krijoi, prej cilësive që ia atribuoi Vetes është Paqësor?! I butë. I urtë. Kë Zot adhurojnë! Ç’udhëzim pasojnë!

Mbylli sytë! – Kështu urdhërohet. Jo, hapi, le të diktojnë. Le të lëvizin paqësisht në horizont. Le të depërtojnë në hallet e njerëzve. Le të ndiejnë fajin dhe shkakun. Le të afrojnë shikimet prej dhembshurie e dashurie, shikimet e zemrave. Derisa zemrat të kenë një ndjesi të përbashkët. Kur njëri shqetësohet, pse tjetri s’shqetësohet; po ç’zemër është ajo, që pretendon qetësinë, kur në krahun tjetër, loti shkon rrëke?! Ç’jetë është ajo, që bëhet në mjegullinën e urrejtjes, përçarjes, dhunës e shtypjes?! A s’janë njerëzit të gjithë bij të njeriut të parë, Ademit, paqja e Zotit qoftë ndaj tij? E Ademi a s’u krijua nga balta? Po të gjithë a s’kanë një fillesë, një tokë, një qiell, po edhe një fund, vdekjen?

Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi i të gjithëve!



 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.