MЁNYRA E ABDESIT

 
Robi i Dunjasė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e shtunė. 12 shtator 2009
Ndaj Zotit që të krijoi ke ngritur kokë?!

 




Kundërshtar i hapët i Zotit! Luftues i besimit të drejtë. Ithtar i injorancës! Banues i tokës së ulët. Me errësirë i përshkuar.  Qenie e vetëdijshme, por e pabindur. E ngutshme, po edhe injorante. Ndaj Zotit të vet kokë ka ngritur! Edhe mosmirënjohës. Bëhet i butë atëherë kur egoja i ushqehet. Padrejtësisë shpejt i përshtatet. Të dobëtin e shkelë. Të braktisurit strehën ia rrënon. Nderin, çnderon. Diturinë, injoron. Pastërtinë ta bëjë të ndytë përpiqet! Për të, idiotësi është i drejtë ndaj tjetrit të bëhet! I neveritshëm kur uni i ngacmohet. Mrrolet, e lëkura e fytyrës i ndërrohet, sikur nata kur ditën prin. Skuqet, gjaku i nxehet, me kryelartësinë e tij, bën sikur kodrat do çajë!

Një pikë e ngjizur. E humbur. E panjohur. Lindi, prej errësirës palë-palë doli, por zemrën e tij me errësirën e lakmisë ndaj kësaj jete e mbuloi! Sa e vogël që është toka, po sa e madhe i duket! Njeri, me arrogancë e injorancë i mbështjellë! Me frikë e tmerr. Edhe toka, shkëmbinjtë e kodrat dridhen, e këtij njeriu sytë nga ftohja i janë ngrirë, e dëgjimi, nga zhurma e epshit, i janë mbyllë! Pa lëkurë e pa ujë në fytyrë! Zemër e bërë copë-copë. I pushtuar e i zënë rob! Adhurues i idhujve i bërë. Nënshtrues i djallit të mallkuar, premtues i dhembjes dhe të keqes! Rob i lakmisë. Rob i epshit. Rob i stolive të kësaj jete.

Qenie e ulët. Plot mendjemadhësi. Plot fodullëk. Plot koprraci. E përplot injorancë! Di të lutet kur prej dalldisjes e euforisë së epshit, zemra i ngushtohet. Kur gjaku i trashet! Kur këmbët i shtangen. E duart i dridhen. E për muri mbështetet! Sa i lehtë e i rrëmbyeshëm bëhet kur në ahengje e argëtim e lojë thirret, e sa i rëndë bëhet kur në rrugën e Paqes ftohet! Kur ndaj të varfërve, skamnorëve, bonjakëve, në ndihmë e përkrahje thirret, akuzon e kundërshton! Kur idhujt e thërrasin, epshi e ahengu, përshpejton e nuk kursen.

I rënduar, i mërrolur, hezitues e ankues, kur në rrugën e Drejtësisë, Bujarisë e Mirësisë thirret! Kur shkatërrimtarët, si ndreqës merren, e çrregulluesit, rregullues. Luftues të mirësisë e drejtësisë. Mishngrënës e rob djajsh. Gjakatarë e tradhtarë. Sa ditë të Tmerrshme i pret këta! Kur me djers të njelmëta, etjen do përpiqen të shuajnë. Kur me zinxhirë zvarrë do tërhiqen!

Kjo qenie njerëzore, e nderuar, që veten e ç’nderoi! Sa poshtë veten e ka ulur. Këta veten të pavdekshëm e mendojnë. Të pabindur, se, një ditë në një tokë të sheshtë para Sundimtarit të Vërtetë do tubohen! Poshtërim përjetësisht për shkatërrimtarë! Toka, vendbanim i përkohshëm. E bëjnë e vazhdojnë të thurin plane, sikur përjetësisht aty do mbesin. Nuk ndiejnë se si tokës çasti i çarjes dhe i shpërthimit i është afruar! Vdekja, kur njeriu gjithçka pas vetes braktisë! O sa këshillues i mirë është ndarja nga kjo jetë; e sa të pavetëdijshëm ndaj vdekjes, kjo qenie e çndershme është! Mendje e dehur. Zemër e nxirë.

Zemër e vdekur. Trup i papastër! Do vijë dita, dita e Korrjes! Dita, çasti, kur zemrat prej ndëshkimit copë-copë do bëhen; e do bashkohen, e prapë do copëtohen; kur pabesia ndaj Zotit, e mendjemadhësia kundër Tij, do korr as jetë e as vdekje; gjallëri e dhembjes së pasosur e vazhdimisht të shtuar.


Ndaj Zotit që të krijoi ke ngritur kokë?!
Atëherë, po presim për Takimin tonë!

 

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.