MЁNYRA E ABDESIT

 
Grindem me burrin pėr shkak tė alkoolit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e hėnė. 31 gusht 2009
Pyetje:


Selam alejkum!

A është gjynah nëse grindem me burrin për shkak të alkoolit? Jam e martuar dhe jetoj qe afër dy vite ne Amerikë. Para pak ditëve ishin disa mysafirë dhe vjehrri sa u ulën ata u ngrit dhe solli alkool në tavolinë. Si e pashë unë u bëra nervoz dhe i thashë burrit se për çka po i shërben babai yt me alkool kur unë kam përgatitur kafe. Burri më bërtiti dhe pasi shkuan mysafirët unë e pyeta vjehrrin pse? Ai më tha: ‘Ti po më mëson mua a?’ Unë me ato fjalë u bëra edhe me shumë nervoz dhe filloi grindja, burri me vjehrrin më thanë gjithçka dhe unë fillova të qaj. Edhe pse ju kam thënë shumë herë që nuk bën me pi alkool ata nuk po kuptojnë. Unë i fali pesë kohët e namazit dhe kjo po më pengon shumë. Tash nuk foli as me burrin as me vjehrrin. Nganjëherë mendoj të ndahem, por kam një vajzë tre muajsh dhe s’po mundem të ndahem prej saj, gjithashtu jemi dy herë të miqësuar prandaj edhe kërkoj një këshillë prej juve. Më falni nëse e zgjata shumë por kisha nevojë me ju tregu. Ju falënderoj shumë për punën që bëni. ALLAHU ju shpërbleftë!


Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër myslimane, vazhdoni të jeni e bindur në rrugën e Allahut dhe të jeni këmbëngulëse në çështjet e fesë. Fale namazin, praktikoji të gjitha obligimet e Allahut dhe hiq dorë nga të gjitha gjërat që i ka ndaluar Allahu! Alkooli padyshim është një dukuri tepër e keqe, që duhet luftuar atë dhe konsumuesit e tij, aq sa të jepet mundësia.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Kush e sheh një vepër të keqe të veprohet, le ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet, atëherë vetëm me zemrën e tij, por kjo është shkalla më e ulët e besimit."

Çdo njeri duhet të shikojë rreth vetes se sa është i fuqishëm që ta ndryshojë atë të keqe. Ndryshimi i të keqes është obligim. Nëse ai mund të bëhet me dorë, pra me forcë, atëherë kur ke pushtet mbi atë që e bën të keqen, duhet vepruar ashtu, por nëse duke ndryshuar të keqen me dorë, e hap mundësinë e një të keqeje më të madhe, pasi të mungon pushteti, atëherë duhet që të kalojë në nivelin e dytë pra vetëm t’ia përkujtojë se është vepër e keqe. E nëse në rrethana të caktuara edhe fjalët mund të çelin ndonjë varrë tjetër më të madhe, atëherë të keqen mbetet ta urresh me zemër e jo diç më tepër.

Në rastin tuaj, ju keni vepruar mirë që keni reaguar dhe keni jo vetëm të drejtë por edhe obligim që të mos shërbeni alkool. Askush nuk mund t’ju detyrojë që të shërbeni alkool, e sidomos në vendin ku jetoni ju. Por duhet ta dini se pushteti i juaj në shtëpinë e burrit nuk është i atij niveli sa ju ta detyroni atë për diçka, andaj duhet të duroni. Ju duhet që burrin tuaj ta thirrni në mësimet islame vazhdimisht, që edhe ai të ketë besim të pastër dhe të jetë praktikues i parimeve të Sheriatit. Me burrin pajtohu dhe mos lejo që të shkojë kohë e gjatë duke qenë të hidhëruar, edhe pse keni pasur të drejtë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me punën që bëni karshi burrit tuaj, si në aspektin e thirrjes, ashtu edhe në sjelljet e tua të përgjithshme, shpresojmë te Allahu se edhe kjo sprovë do të merr fund inshaallah.

Mos lejo veten të mendosh për ndarje, për pak arsye, e sidomos kur e keni miqësinë e dyfishuar. Nëse burri i juaj është kundër fesë dhe nuk i kupton këshillat islame, ju është dashtë që para martesës të merreni vesh me të lidhur me Islamin. Derisa jeni e martuar dhe keni fëmijë, mundohuni që të punoni me burrin dhe më vonë do të veproni sipas rezultateve. Nëse burri ka përmirësim, duhet ta vazhdoni jetën me të, e nëse jo dhe jeta me të nuk ka kurrfarë kuptimi, atëherë mund të mendosh për zgjidhje të tjera.

Allahu e di më së miri!



                                          Muhamed Dërmaku

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.