MЁNYRA E ABDESIT

 
Njė derė e hapur e shkollės mbyll njė derė burgu PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 04 gusht 2009



Ky institucion (agjërimi) të barazon me të varfrit.







Nocioni shkollë ka kuptim shumë të gjerë, madje ekzistojnë shkolla të llojeve dhe niveleve të ndryshme, ku qëllimet dhe objektivat e tyre dallojnë nga organizimi dhe puna edukativo-arsimore.

S’do mend se shkolla ka lindur nga nevoja objektive, shoqërore dhe gëzon një traditë mjaft të gjatë. Njeriu gjatë edukimit të tij në shkollë, është e pamundur edhe të mos arsimohet. Mirëpo historia tregon se shkollimi vetvetiu nuk i edukon njerëzit, por është vetëm një rrugë për të arritur tek profesioni për drejtim të caktuar. Pra arsimimi nuk është rruga e vetme që të bën të lirë, më të mirë e më human. Arsimimi të aftëson, të bën më të efektshëm dhe më të dijshëm.

Për të qenë të qartë me temën në fjalë, po kuptojmë që vetëm këto të dyja (edukimi dhe arsimimi) nuk po e kompletuakan njeriun për vlerat e jetës dhe për vlerat në përgjithësi.

Edhe pse jemi në shekullin XXI , ku çdo gjë po ecën e zhvillohet me një shpejtësi shumë të madhe, ende nuk ekziston ndonjë institucion i veçantë apo shkollë e veçantë që e kompleton njeriun në të gjitha sferat e jetës dhe që e nderon me diplomë të shkollës së njeriut të kompletuar, përveç institucionit të themeluar para 14 shekujve, i cili është i  miratuar nga legjislacioni hyjnor. Ky institucion për vetëm 29 ose 30 ditë të jep mësim, edukim, shkollim, arsimim, ndjeshmëri, avancim, metodikë, devotshmëri, etj., në mënyrë shumë të përkryer dhe të bujshme. Kjo derë e hapur emërohet “muaji i agjërimit”.

Pse me kaq të drejtë e quajmë institucion i përkryer “muajin e agjërimit”?

Sepse arsimimi dhe edukimi që bëhet sot nëpër institucione të tjera është tërësisht i  pabarabartë. Andaj, në sistemet bashkëkohore, të cilat sollën edhe një kurrikulum të ri, prapë se prapë është e patjetërsueshme edukimi dhe arsimimi klasik mbi shpirtin e njeriut dhe këtë duke u bazuar në sferat dhe projektet, të cilat i ka caktuar mësuesi i njerëzimit të të gjitha kohëve pa dallim moshe dhe gjinie, Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Ta dimë pra, se edukimi është i mbështetur në kulturë, kultura në besim, e besimi në qëllimin e fundit-synimin tek Zoti .

Madje, historia në faqet e saj ka zbardhur agjërimet e besimeve të tjera, ku disa prej tyre edhe janë zhdukur kaherë nëpër shekuj, ndërsa për agjërimin e muajit Ramazan janë shkruar libra, ligje e kode si dhe mënyra praktike se si duhet të zbatohet, madje edhe nderohet si muaj adhurimi ndaj Zotit.

Edhe pse me fjalën agjërim kuptojmë ndalimin nga të ngrënit, të pirit dhe marrëdhëniet seksuale që nga agimi e deri në perëndim të diellit, duke kërkuar kënaqësinë e Zotit, megjithatë me agjërim kuptojmë edhe gjëra të tjera; si të ndaluarit nga të folurit keq, të shikuarit në gjëra të këqija e të pamoralshme, të dëgjuarit e bisedave dhe fjalëve të pandërgjegjshme, të prekurit e gjërave të ndaluara, të shkuarit dhe prezantimi nëpër vende të ndaluara e degjeneruese. Me fjalë të tjera, agjërim do të thotë të larguarit nga çdo gjë e keqe, e ligë dhe e shëmtuar që është kundër dispozitave dhe ligjeve të Zotit.

Andaj, me plot përgjegjësi e quajmë shkollë apo institucion edhe pse mësimi në të zgjat vetëm 29 ose 30 ditë, kurse në botë nuk ekziston asnjë institucion që ka më pak se 8 vite e lëre më të ketë vetëm një muaj derën e hapur. Dhe, prapëseprapë nëpër ato shkolla apo institucione ndodhin çoroditje e matrapazllëqe, të cilat përfundojnë me një numër të madh të njerëzve nëpër burgje.

Njeriu assesi nuk guxon që agjërimin ta kuptojë si ndalim formal nga ushqimi, pija e marrëdhëniet seksuale, por duhet të kihet parasysh mbikëqyrja që e kemi nga Zoti. Për këtë dëshmon edhe fjala e profetit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

“Kush nuk e lë fjalën e keqe dhe të vepruarit me të, atëherë Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen e tij."

Kjo pra është vlera e këtij institucioni, kësaj shkolle e cila të hap derën e shkollimit, kurse ta mbyllë derën e burgut.

Përveç se të edukon, të arsimon, të socializon, të mishëron me vlerat e larta, të zbukuron, të bën të përpiktë dhe të gjithanshme, agjërimi është faktor që të bën edhe zotërues të epshit për ulje të tij, ngaqë epshi është rrjedhojë e të gjitha të këqijave. Këtë e dëshmon thënia profetike e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

“E nderuara rini, kush prej jush ka mundësi fizike dhe materiale që të martohet, le të martohet, ngase ajo është mbrojtja më e mirë për ju, për shikim dhe për organet tuaja. E kush nuk ka mundësi për martesë, atëherë le të agjërojë ngase ai (agjërimi) për të është prerje e epsheve.”

Madje ky institucion (agjërimi) të barazon me të varfrit.
Sot jemi dëshmitar për shumë kolegje të hapura, ku në bankat e tyre mëson vetëm i  pasuri, kurse i varfëri as nuk mundet të mendojë rreth tyre, madje më keq se kjo, edhe nëpër shkolla ka iks raste ku i ndërpresin mësimet nxënësit për shkak të kushteve të rënda financiare. Andaj lind pyetja, deshëm apo s’deshëm ne: cila shkollë ka ndjeshmëri për të gjithë dhe cila shkollë jep barazi ashtu siç jep shkolla e agjërimit?

Mandej, agjërimi të bën të vetëdijesohesh për vartësinë nga zakonet-traditat e përditshme. Të forcon vullnetin, të shëron prej shumë sëmundjeve shpirtërore dhe fizike, dhe në fund, të dekoron me diplomën e agjëruesit të sinqertë të përgatitur për jetë.

Pra, si përfundim mund të themi se, edhe versetet kur’anore por edhe vet praktika e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tregojnë se Islami dhe rregullat e tij nuk janë assesi fe e re dhe nuk janë rregulla e ligje të shpikura vonë, po ato vetëm paraqesin aspektin e përsosmërisë së tyre.

Në fund, lus Zotin të na bëjë prej agjëruesve të sinqertë dhe të devotshëm! Amin!   
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.