MЁNYRA E ABDESIT

 
Meshkujt fitojnė hyri nė Xhennet, po ēfarė fitojmė ne? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Esma bint Shamim   
e hėnė. 20 korrik 2009
 




Kjo është një pyetje që e ndeshim të shtrohet shpesh dhe me të vërtetë përbën një çështje për të cilën shumë prej nesh kanë interesim të dinë. Në këtë kontekst, për atë motër dhe për të gjithë të tjerët e të tjerat që e kanë në mendje këtë pyetje, them:

Para së gjithash, e dashur motër, Xhenneti dhe Xhehennemi, në rastin tonë, çështja e hyrive symëdha si dhe e gjithë ajo që ndodh në to [në Xhennet apo në Xhehennem (sh.p.)] janë çështje të botës së pastajme. Veç kësaj, këto bëjnë pjesë në dimensionin e së padukshmes rreth së cilës ne kemi njohuri shumë të kufizuara. Këto çështje, pra, janë përtej të kuptuarit tonë; janë çështje tek zbërthimi i të cilave nuk mund të arrihet me anë të të menduarit ose arsyes, dhe ne njëmend nuk kemi dijeni rreth këtyre gjërave, me përjashtim të asaj që na është bërë e ditur nga Kur'ani Famëlartë dhe nga Sunneti i Pejgamberit, alejhi selam. E tëra që duhet të bëjmë është që të besojmë në këto gjëra të së padukshmes, duke e pasur në mendje faktin se e vërteta e plotë rreth tyre nuk merret vesh, veçse përmes informimit të drejtpërdrejtë nga Allahu i Lartësuar.

Më tej, njeriu, në të vërtetë, nuk duhet t'u hyjë imtësirave e as të llastohet në polemizime që për temë kanë çështjet e së padukshmes, pa pasur paraprakisht dije të mjaftueshme rreth tyre, sepse vërtet nuk ka dobi, nëse situata është si u cek [(pra, nëse polemizohet pa pasur dituri adekuate (sh.p.)]. E nëse vihesh në një situatë të atillë, është e rekomanduar që të thuhet se Allahu i Madhëruar e di më së miri! Në këtë kontekst, Allahu i Lartësuar thotë: "Mos iu rrek asaj për të cilën nuk ke njohuri, sepse të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi!" (Kur'an, 17: 36).

Motër e dashur! Në këtë artikull janë të shtjelluara disa çështje rreth Xhennetit prej asaj diturie të pakët që na ka dhënë Allahu i Lartësuar dhe Pejgamberi i Tij, të cilat ne, si gra besimtare, duhet t'i kemi parasysh, në kohën kur në kokë na shfaqen pyetje si kjo për të cilën jemi duke folur:


1.                  Allahu është më i Drejti dhe më i Mëshirshmi!

Gjëja e parë dhe njëkohësisht më e rëndësishmja për t'u mbajtur në mend është se jemi duke bërë fjalë rreth Allahut të Lartësuar – Zotit të botëve. Subhanallah! Mos harroni se ai është i Gjithëmëshirshmi dhe Mëshirëploti, është i Drejti dhe absolutisht nuk ka më të drejtë se Ai, madhëruar qoftë përherë! Më tej, Ai është i Paanshëm dhe nuk ekziston kush tjetër që është më i paanshëm se Ai! Andaj, Ai kurrën e kurrës nuk do të të kishte poshtëruar e as që kurrë nuk do të ishte treguar i padrejtë kundrejt teje, oj motra ime besimtare! Për më tej, nëse meshkujve xhennetlinj u ka premtuar hyri symëdha, me siguri se edhe femrave që do të jenë në Xhennet do t'u japë diçka të barasvlershme! Nuk ka mundësi që Ai të favorizojë meshkujt më shumë se femrat! I Lartësuar është Allahu nga kjo! Ajeti kur'anor qëndron: "Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet asfarë padrejtësie!" (Kur'an, 4: 124).

2.                  Allahu i Lartësuar krijoi meshkujt ndryshe nga femrat!

Një gjë tjetër që duhet ta kemi parasysh është se ajo që dëshiron femra mund të jetë e ndryshme nga ajo që dëshiron mashkulli. Këtë e dimë të gjithë. Prandaj, vallë, a nuk e di Ai që na krijoi se çfarë dëshiron më së shumti secila krijesë e Tij? Kur'ani përgjigjet: "A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë?!" (Kur'an, 67: 14). Si rrjedhojë, jini të nënshtruara paluhatshëm ndaj Tij dhe shpresoni në Të! Pra, Vetë Allahu i Lartësuar, i Cili e njeh natyrën tonë femërore më së miri, do të na japë prej Xhennetit atë që më së shumti na plotëson ne (që më së shumti na kënaq)!!! Kur'ani Famëlartë thotë: "Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, ku do të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni!" (Kur'an, 41: 31). 

3.                  Në Xhennet, femra e ndershme muslimane do të jetë e martuar me bashkëshortin e vet dhe do të jetë e kënaqur me këtë!

Allahu i Madhëruar do t'i martojë femrat besimtare me bashkëshortët e tyre përkatës të dynjasë, kuptohet nëse kanë qenë prej besimtarëve, dhe kjo, faktikisht, do të jetë kënaqësi për to. Përndryshe, s'do mend se kjo gjë do të dëshirohej dhe dëshirohet nga femrat. Ato nuk do të kishin dëshiruar dikë tjetër!

Në qoftë se një grua nuk do të ishte martuar gjatë jetës së vet në këtë botë, ose nëse ndodh që bashkëshorti i saj i dynjasë të mos jetë prej banorëve të Xhenetit, atëherë Allahu i Lartësuar do ta martojë atë me ndonjë prej meshkujve besimtarë të Xhenetit. Për më tepër, femrat do të jetojnë me bashkëshortët e vet, me fëmijët e me familjet e veta në pallatet e tyre të Xhennetit, dhe do të mjaftohen me këtë!

"(Përfundimi i mirë është) Xhennete të Adnit (vende të përjetshme) ku do të hyjnë ata, edhe prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre të cilët kanë qenë vepërmirë, ata do t'i vizitojnë melaiket duke hyrë në secilën derë!" (Kur'an, 13: 23).

"Hyni në Xhennet, ju dhe gratë tuaja, të gëzuar! Atyre u shërbejnë me enë e gastare nga ari, aty do të kenë çka u dëshiron shpirti dhe çka u kënaqet me të syri. Ju do të jeni aty përgjithmonë!" (Kur'an, 43: 70-71).

Ibën Kethiri (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Ato (gratë e Xhennetit) e ulin shikimin dhe nuk shikojnë meshkuj të tjerë, kështu që ato nuk mendojnë se ka diçka tjetër në Xhennet që është më e bukur se bashkëshortët e vet!" [Këtë e mbështesin edhe ibën Abbasi, Katade, 'Atta el-Hurasani dhe ibën Zejdi]

Veç kësaj, përcillet të jetë thënë se femra do t'i thojë bashkëshortit të vet: "Pasha Allahun, nuk mendoj se ka diçka tjetër në Xhennet më të mirë se ti, e as që ka diçka tjetër në të që është më e dashur te unë se ti! Falënderimi i qoftë Allahut që të ka bërë ty për mua dhe mua për ty!" [Tefsir el-Kuranun Adhim]

4.                  Në Xhennet nuk do të ketë xhelozi!

Mbaje në mend, oj motra ime, se jeta në Xhennet nuk është aspak e ngjashme me jetën e kësaj bote; është një botë që s'ka asnjë gjë të përbashkët me jetën e kësaj bote, përveç emrave. Realiteti i gjërave është tërësisht i ndryshëm...

Kënaqësitë dhe ndjesitë që përjetojmë në jetën e kësaj bote do të përjetohen në mënyrë të ndryshme dhe më të mirë e më të pastër kur të kalojmë në botën tjetër. Do të hamë e do të pimë, por nuk do të ketë as jashtëqitje e as fëlliqësira të tjera. Trupi i asnjërit prej nesh nuk do të nxjerrë asnjë jashtëqitje ose sekrecion dhe nuk do të plakemi. E jo vetëm aspekti fizik, por edhe ana psikologjike dhe natyra e secilit prej nesh do të jenë të ndryshme. Kur'ani Famëlartë thotë: "Nga zemrat e tyre kemi hequr (kemi zhdukur) çdo gjë që ishte krijuar nga zilia (nga urrejtja), janë në xhennet, ku rrjedhin lumenj, e ata thonë: "Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na e hoqi zilinë, na futi në xhennet), pse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzoheshim. Vërtet, të dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne u besuam!" E atyre u drejtohet thirrje: "Ky është xhenneti, ju dha juve për shkak të asaj çka vepruat"!" (Kur'an, 7: 43).

Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: "Grupi i parë i besimtarëve që do të hyjnë në Xhennet do të duken sikur hëna kur është e plotë. Ata nuk do të pështyjnë, nuk do të fryejnë hundët e as nuk do të nxjerrin jashtëqitje aty. Enët dhe krehrat e tyre do të jenë prej ari e argjendi; temjanët djegës të tyre do të jenë prej drurit të aloes [aloe = lloj bime (sh.p.)], e djersa e tyre do të jetë misk. Secili prej tyre do të ketë nga dy gra, të cilave, prej bukurie që kanë, në krejt mishin e tyre u vërehet palca e pulpave [Pulpë = Pjesa e mishtë më e trashë që është prapa kërcirit të këmbës nga leqet e poshtë (sh.p.)]. Aty nuk do të ketë mospajtime, zënka apo armiqësi, dhe zemra e secilit prej tyre do të jetë si një; dhe ata do ta madhërojnë Allahun mëngjes e mbrëmje!" [Buhariu dhe Muslimi]

Gjithashtu, ai ka thënë: "Ata nuk do ta xhelozojnë njëri-tjetrin!" [Buhariu]

Prandaj, megjithëse meshkujt do të kenë hyri symëdha, ne nuk do të xhelozojmë! Po, duket e vështirë (për t'u besuar) tani, por është po aq vështirë sikur të imagjinojmë duke ngrënë e duke pirë pa hedhur ndonjë sekretim (jashtëqitje), gjë që do të jetë evidente. Pra, jini të qeta! Aty do të ketë vetëm dashuri dhe paqe, e jo xhelozi!

Përndryshe, a nuk mendon se Njëshi nuk ka mundësi të të rikrijojë, asaj here pa xhelozi dhe pa ndjenjat e tjera "femërore", kur ka pasur mundësi të të krijojë me to [me xhelozi e kështu me radhë (sh.p.)]?! Natyrisht se mundet, pra!

Ngazëllohu, oj motër! Përveç kësaj, femrat besimtare do të jenë më të mira se hyritë! Po, me të vërtetë. Lexoje të thënën vijuese dhe ngazëllohu, gëzohu: "Gjendja e femrave besimtare në Xhennet do të jetë më e mirë sesa gjendja e hyrive; ato, pra, do të jenë më të larta për nga statusi dhe më të bukura!"

Sa i përket kësaj çështjeje, janë përcjellë disa hadithe e transmetime, por asnjë prej tyre nuk është vërtetuar të jetë i besueshëm. Sido që të jetë, nëse një femër e devotshme hyn në Xhennet, kjo për të do të jetë si rezultat i veprave të saj të mira si dhe për shkak të shpërblimit që ia jep Allahu i Lartësuar për devotshmërinë e treguar dhe angazhimin e saj në këtë fe. Ndërkaq, sa u përket hyrive, të cilat janë një nga kënaqësitë e Xhennetit, ato janë krijuar vetëm në Xhennet për hir të dikujt tjetër, faktikisht, janë krijuar si shpërblim për meshkujt besimtarë për punët e tyre të mira.

Së këndejmi, ka dallim shumë të madh ndërmjet asaj që hyn në Xhennet sepse ka bërë punë të mira dhe ndërmjet asaj që është krijuar të jetojë vetëm aty dhe për hir të dikujt tjetër që ka bërë punë të mira. E para është princeshë dhe mbretëreshë, ndërsa tjetra, pa marrë parasysh se sa është e bukur, pa mëdyshje se është më e ulët në status se mbretëresha. E, ndryshe nga mbretëresha, kjo tjetra karakterizohet nga fakti që i nënshtrohet urdhrit të zotërisë besimtar [mashkullit besimtar xhennetli (sh.p.)] për të cilin Allahu e ka bërë si shpërblim!"

Në lidhje me këtë, shejh ibën Uthejmini (Allahu e gradoftë me Xhennet!) ka thënë: "Konsideroj se femrat (besimtare) të kësaj bote do të jenë më të mira se hyritë symëdha, madje, edhe në pamjen e jashtme, e Allahu e di më së miri!" (Fetvaja e Nur a'la el-Darb).

Të flasim pak nga aspekti logjik tani. A nuk do të ishe ti më e bukur? Ne kur e vështrojmë veten dhe natyrën tonë femërore, e vërejmë Drejtësinë dhe Urtësinë e pafundme të Allahut të Lartësuar për mënyrën se si Ai na ka krijuar. Pra, është nga natyra jonë femërore që shumë prej neve femrave, në përgjithësi, jemi të kënaqura që t'i kushtohemi vetëm një mashkulli!

Pyeteni veten ose ndonjë femër që ju e merrni më të besueshme në lidhje me pyetjen vijuese dhe do ta kuptonit se çfarë dua të them! Pyeteni dikë...! Pra, a do të ishte më mirë të ishit tepër e bukur dhe kështu vetëm për burrin që ju dashuron, apo të kishit një pamje të rëndomtë, por për burra të ndryshëm? Unë jam e sigurt se pak femra do ta kishin zgjedhur opcionin e dytë...!!! Ne nuk kemi të drejtë të shprehim dyshime ndaj Allahut! Vërtet, nëse gjykojmë rreth kësaj, na takon të themi se nuk kemi të drejtë të hamendemi rreth Allahut të Lartësuar për çfarëdo që Ai bën, si e bën dhe kur e bën! Nuk duhet as edhe të hamendemi rreth Urtësisë së Allahut që na ka krijuar në këtë natyrë që e kemi, e as në natyrën në të cilën do të na rikrijojë në të ardhmen. Ne e dimë se Ai është Bujar dhe i Mëshirshëm, dhe ne duhet të besojmë në Të! Njëmend, Ai është i Gjithëdituri, i Informuari për të gjitha. Ai është i Drejti dhe Ai e di më së miri!

E, sa për hir të argumentimit, pra, edhe nëse Allahu, me Urtësinë e tij të pafundme, vendos që meshkujve besimtarë t'u japë hyri symëdha, kurse femrave besimtare asgjë [të barasvlershme (sh.p.)], ashtu le të jetë! Megjithatë, dije me vendosmëri në zemrën tënde dhe beso palëkundshëm në mendjen tënde se ajo do të ishte më së miri për ty! Dije se Ai, madhëruar qoftë përherë, nuk tregohet i padrejtë ndaj teje dhe se Ai do të të japë NËSE DHE VETËM NËSE Ai ka dëshirë, kurse do të të kishte privuar NËSE DHE VETËM NËSE ti e meriton atë. Përndryshe, ku do të mbette besimi yt në Të, madhëruar dhe lavdëruar qoftë përherë?! 

Për të dhënë gjykimin, në vend se të merakosemi se çfarë Allahu u ka premtuar meshkujve dhe të garojmë me ta, ne duhet të përqendrohemi se si t'i shërbejmë më mirë Allahut dhe si ta adhurojmë Atë më mirë! Më tej, ne duhet ta përmirësojmë lidhjen tonë me Të, kështu që të mund të shpresojmë në faljen dhe shpërblimin e Tij të madh. E, si rrjedhojë e Mëshirës së Tij, Ai të na bëjë të mundshëm Xhennetin! 

Mendo rreth kësaj, motër e dashur! Pra, edhe sikur t'i mësonim të gjitha imtësirat se si do të jetë jeta në Xhennet dhe se çfarë shpërblimi do të fitojnë femrat besimtare, ne nëse dështojmë në adhurimin dhe shërbimin ndaj Allahut, ajo dituri jona do të na ishte fare e padobishme, apo jo...???

Nëse je prej atyre femrave që e lini këtë botë, duke e pasur të fituar Kënaqësinë e Allahut të Lartmadhëruar, atëherë ne ju japim sihariq, motër e nderuar. Për më tepër, nëse jeni prej atyre që do të hyni në Xhennet, ju do të keni kënaqësi të atilla që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe mendja nuk i ka përfytyruar ndonjëherë më parë. Ti do ta kesh gjithë atë që e dëshiron, madje, në mënyrën më të mirë. Ti do të jesh shumë më e bukur sesa që mund të imagjinosh, do të jesh me status më të lartë sesa që mund ta paramendosh, si dhe më e lumtur se kurdoherë që ke qenë! Veç kësaj, do të jesh e kënaqur me bashkëshortin dhe me familjen tënde. Do të të jepet gjithçka që do të dëshiroje; gjithçka që pëlqen, ajo do të të jepet! Në Xhennet nuk ka mundësi të gjesh diçka që të çrregullon a shqetëson, e asgjë nuk të shkakton xhelozi, si dhe përherë do të jesh nën Përkujdesjen e të Madhit Allah – të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Pas gjithë kësaj, për çfarë do të kishe pyetur më tepër...???





 Përktheu nga anglishtja: Arsim JONUZI, 17.06.2009
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.