MЁNYRA E ABDESIT

 
Letėr motrės qė u mbulua PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Almedina Dauti   
e enjte. 18 qershor 2009

Shkëlqe me Islamin tënd dhe me sytë e tu ndaloja të folurën e mëtutjeshme, sepse ty motër të shkëlqen Islami në sy...





Kujdes, pasi të mbulohesh!

Shpeshherë në jetë jemi përballur me sfida, mirëpo kanë qenë të vogla dhe të përballueshme për ne. Ndonjëherë na duket vetja aq e vogël sa nuk kemi guxim të marrim hapin që e shohim si të madh, mirëpo harrojmë që po në këtë moshë jemi urdhëruar ta bëjmë këtë hap.
Është e vështirë të bëhet kjo që ke bërë ti. Kërkon vendosmëri, mund, sakrificë, luftë me veten, mirëpo, edhe pse po jetojmë në liri të mendimit dhe përcaktimit, tani po kërkohet edhe përgatitje për përballje me të tjerët.
 Të parët me të cilët do të ballafaqohesh janë njerëzit që ishin prezentë gjatë zhvillimit tënd, ishin krahu yt i djathtë, ishin njerëzit që u mësuan me lotët tanë që i shoqëronte herë pas here edhe zëri i dhimbjes, ishin njerëzit që na duruan kur të tjerët na injoronin, ishin njerëzit që e pikturonin buzëqeshjen kur të tjerët për ne i përgatisnin rrudhat në ballë, ishin njerëzit që gjumi i tyre ndërpritej atëherë kur ne qanim e zgjoheshim! Ata janë njerëzit që ne i duam fort dhe më së shumti i duam pas Allahut dhe të Dërguarit, mirëpo NJERËZ janë!
Erdhi një kohë kur po këtyre njerëzve duhet t’ua kompensojmë gjithë këto të mira, të jemi krahu i djathtë i tyre, të jemi ne prindërit e tyre. Kjo situatë na ka zënë, andaj duhet të jemi të zonja që ta kapim në grusht gjendjen dhe ta shtrëngojmë fort e mos të lejojmë të na ikë as edhe një moment; të jemi ne ato që qajmë bashkë me ta kur ata qajnë për ne me injorancën e tyre; të jemi ne ato që iu tregojmë atyre hapat e parë të rrugës në vazhdim... të jesh ti motër ajo që ju tregon prindërve të tu që tani ke vendosur t’i përmbushësh urdhrat e Allahut në vend dhe mos harro t’ia përkujtosh vetes urdhrin që ka të bëjë me respektimin e tyre.
 “
Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.” (Llukman:14)

Kur drejtohesh t’iu flasësh, të lutem bëje me ndjenjën e mëshirës, ashtu si të këshilluan ata kur ti gaboje në detyrat shkollore. Prandaj mos harro se kjo nuk është barrë për neve, kjo është dhunti e madhe që na është dhuruar! T’iu dalim në hak sadopak atyre që iu kemi borxh shumë. Po të ishim në një situatë tjetër mendoj se do ta kërkonim këtë dhunti: t’ua mësojmë mënyrën e jetesës më të dashurve tanë! Mirëpo për hir të Allahut mos harro të përdorësh tonin më të ulët kur t’i gjesh ata me tonin më të lartë, ti e di mirë që kështu je porositur.
 
...mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”  (Isra: 23 dhe 24)

 Kush e di, ndoshta do të gjesh në fjalorin e tyre shprehje të shirkut dhe kufrit duke të qortuar pikërisht ty, mirëpo shkëlqe me Islamin tënd dhe me sytë e tu ndaloja të folurën e mëtutjeshme, sepse ty motër të shkëlqen Islami në sy, të buzëqesh fytyra edhe kur zemra lot të pikon. Mos harro se ti je duke mbajtur kurorë nga diamanti që nuk ta sheh gjithkush, mirëpo të jesh e bindur se gjithkush nuk e ndjen krenarinë që mbanë në zemrën tënde, sepse ti ke gjetur kodin që shumë të shkujdesurve iu ka humbur, ke gjetur kodin që të tjerët e harruan... e harruan dhe nuk mund ta konfigurojnë dot më jetën e tyre. Ata  kanë filluar symbyllur të jetojnë jetën e të tjerëve që edhe ata të humbur janë gjithsesi, ndërsa ti ke gjetur çelësin që iu ka humbur mendjelehtëve. Andaj motër e imja, ti në shenjë falënderimi ndaj Allahut sillu ashtu si Ai të obligoi e mos dil prej kornizave atëherë kur me një vepër hyn brenda në kornizë. Unë e di se ti mundesh sepse nuk u zgjodhe kot fillimisht të jesh pjesë e kësaj jete, pastaj t’u dha diçka
që ty të bëri ta kuptosh qëllimin e ardhjes tënde, e pas kësaj t’u dha diçka edhe më e madhe e që është hapi drejt realizimit të këtij qëllimi.
Kujdes si po e arrin këtë qëllim! Harroje në fjalorin tënd arrogancën, harroje të mendosh se je e shtypur, sepse ti me veprimin tënd sapo ke arritur të dëshmosh se ty nuk të shtypin ata që dynjaja i ka kapur para vetes. Mirëpo edhe këtu, eja motër e dashur ndalemi bashkë e i shikojmë ata me syrin e mëshirës, sepse atyre shumë pak iu dha rasti që ta kuptojnë realitetin. Ata u rritën me dynjanë në zemër, ndërsa ti edhe pse në moshë të re, në moshën kur  je sfidë për vete, ke hapur sytë e realitetit, andaj mundësoju edhe të tjerëve t’i hapin këta sy. Asnjëherë mos mendo se është vonë, sepse i Dërguari, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, i lutej xhaxhait të vet me lutjen më të sinqertë që në momentet e fundit të thoshte fjalën më të madhe, shehadetin. Ai edhe pse nuk e dëgjoi, ti mos mendo se të gjithë e kanë fundin e njëjtë.

Përballja tjetër që do të gjejë motra ime tani me vellon mbi supe, është  përballja me njerëzit që pas një kohe të gjatë të njohjes së tyre ti arrite t’i quash ‘’Miq’’. Janë po këta që dikur buzëqeshnin kur të shihnin; të rrinin afër për të ndarë pjesë nga jeta e tyre, kaloje momente me ta që e karakterizonin ditën tënde. Tani ndoshta do t’i gjesh duke të injoruar për shkak të veprimit tënd; do t’ua njohësh një anë që nuk ke menduar se e posedojnë, anën e nënçmimit, do t’i shohësh që janë  larguar nga ti dhe tanimë të janë bërë miq të largët dhe shumë të panjohur, do t’i  shohësh si ‘’miq’’ që nuk do të  arrish t’i kuptosh sjelljet e tyre, do t’i shohësh si ‘’miq’’ që arritën për një moment të shfaqin urrejtjen e tyre; do t’i njohësh edhe si arrogantë që nuk i masin veprimet e tyre dhe shumë të egër në raport me ty. Edhe këtu ke porosi nga Islami, andaj mos harro ta shfrytëzosh!

Ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari sal-lallahu alejhi ve sel-lem ka thënë: Zjarri i është ndaluar atij që është njeri i afërt, i lehtë, i dashur, i sjellshëm dhe i butë.  (transmeton Tirmidhiu)

Ndoshta do të gjesh zhgënjim në vazhdimësinë e jetës tënde, mirëpo nuk je e vetmja që u përballe me këtë mënyrë të jetës dhe e gjithë kjo është si rezultat i punës tënde. Tagora thotë: “Kam ëndërruar që jeta të jetë e lumtur, kur jam zgjuar kam kuptuar se jeta është e vështirë. Kam punuar dhe jam bindur se te vështirësia qëndron lumturia”.

Motër e dashur! Ke parasysh gjithmonë se ke njerëz që janë në vagonin e njëjtë të jetës dhe të duan shumë, kanë dëshirë të kalojnë çaste të kësaj jete me ty, kanë dëshirë të ndajnë momentet më të mira me ty, kanë dëshirë të të kenë afër nën Hijen e Arshit, pastaj kanë dëshirë të ulen me ty në kolltukët e Xhennetit dhe të bisedojnë me ty për momentet e kësaj jete, andaj jeto këto çaste që të grumbullosh sa më shumë ndodhi me këta njerëz dhe të kënaqesh pastaj me ta në ata kolltukë. Nëse nuk kam armë tjetër të të mbroj, kam ''armën'' e Duasë që në çdo moment për ty motër e dashur do ta shfrytëzoj. Ti e di mirë që këtë ''armë'' në këto momente po e përdorin shumë të tjera që të duan si unë.    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.