Shkruar nga Sadbere Hashani
|
e diel. 07 qershor 2009 |
Feja islame zbriti si mëshirë për njerëzit, është feja që na urdhëron për dije.
“Mos e bekoftë Allahu atë ditë në të cilën nuk mësoj diçka të re’’ - ka thënë pejgamberi, alejhis selam, dhe jeta e tij çdo herë ka qenë në kërkim të përsosmërisë morale, në kërkim të së mirës, në kërkim të dijes.
Dija është drita me anë të cilës shihet edhe përtej errësirës. Është yll ndriçues që shkëlqen. Dija është thesar i çmueshëm margaritarësh.
Fjala e parë e zbritur nga qielli në Kur’anin famëlartë nga i Gjithëfuqishmi është folja në mënyrën urdhërore: LEXO. Ky është një prej urdhrave të Allahut, urdhri i parë në Kur’an. Allahu i dha rëndësi të madhe dijes gjë që dëshmohet edhe me fjalën e parë kur’anore. Krijuesi i gjithësisë urdhëroi për dije, më i ndrituri i njerëzimit e përjashtoi ditën nëse ka shkuar pa mësuar diçka të re. A thua, sa e sa ditë na kalojnë pa mësuar gjëra të reja…, a vlen edhe për ne kjo teori?
Ndërkaq, ka shumë armiq të Islamit të cilët thonë që feja i slame të lë mbrapa, feja islame është primitive etj. Këto janë disa prej paragjykimeve të njerëzve që faktikisht nuk kanë njohuri fare, ose e kanë zgjedhur rrugën të rrinë në terr e të sulmojnë pa dije.
Feja islame zbriti si mëshirë për njerëzit, është feja që na urdhëron për dije. Përderisa Evropa mesjetare dergjej në terrin e mosdijes, të parët ishin dijetarët arabë të cilët shpikën karrigen ku rri mësuesi përballë nxënësve. Gjithashtu universiteti i parë në botë është themeluar pikërisht nga dijetarët arabë.
Përsosmëria morale arrihet vetëm duke praktikuar Kur’anin. Të dijshëm janë vetëm ata të cilët harmonizojnë shkencën me besim të drejtë, përkundër faktit që ka shumë njerëz me grada të ndryshme akademike në një lëmi të caktuar e ndërkaq nuk e njohin Atë që i krijoi, nuk e njohin Atë që i pajisi me dije sepse Krijuesi i tyre dhe i dijes së tyre është Allahu.
Faktikisht ata që nuk e njohin Allahun janë injorantë. Injoranca u determinohet gradave të tyre akademike, ato janë grada false.
Të ditur janë vetëm ata që e besojnë Allahun, që i praktikojnë urdhrat e tij. Dhurata e dijes u jepet vetëm atyre që Allahu i ka begatuar me udhëzim, vetëm ata janë fatlumët që dinë vërtet. |