MЁNYRA E ABDESIT

 
Mbrėmja famėkeqe e Maturės dhe maturantėt PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Berat Shatri   
e diel. 18 maj 2014

Mos e hidhëroni Allahun, kujdes, kujdes, kujdes!    



Falënderimi absolut i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk meriton askush tjetër të adhurohet përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, është rob dhe i dërguar i Tij.


Mbrëmja e maturës haram


Në këto ditë pranvere kur toka ka zbuluar bukuritë e saj, pemët kanë filluar frytet e tyre, çdo gjë ka lulëzuar dhe toka është gjelbëruar, tani çdo gjë është zbukuruar, por zemrat tona të ndryshkura ende janë duke vazhduar në injorancën e thellë. Tani janë ditët ndër më të kobshme të vitit. Në fakt, nuk ka ditë të këqija por njerëzit e neveritshëm i bëjnë edhe ditët e neveritura, njerëzit e mallkuar i bëjnë edhe ditët e mallkuara, njerëzit e prishur i prishin edhe ditët e mira.

Tani, gjatë këtyre ditëve motrat apo vajzat tona, vëllezërit apo djemtë tanë kanë përfunduar shkollën e mesme dhe duan që përfundimisht t’i festojnë në mënyrën më të mirë të mundshme gjithë ato vite të kaluara, në një natë që nuk ka asgjë tjetër pos se hidhërim të Allahut dhe duke pasur frikë se mos po ndodh ndonjë dënim eventual nga Allahu i Lartësuar dhe duke pasur parasysh se atë çka e dimë për vete duhet t’ua mësojmë dhe t’ua tregojmë të tjerëve, nuk munda të rri rehat pa i shkruar shumë fjalë të cilat gjenden në zemrën time, me të cilat dua që t’ju drejtohem të gjithëve e në veçanti atyre që këto ditë janë pjesë e festimeve dhe pjesë e mbrëmjeve të ndryshme e ndër to pjesë e mbrëmjes së maturës.

Nuk ka asgjë në këtë botë e që nuk është cekur në Kur'an dhe ai Kur'ani është fjala më e mirë, më e besueshme dhe plotësisht e vërtetë, pasi që është nga Allahu i Lartësuar, nga Krijuesi i çdo gjëje. Nuk ka asgjë në këtë botë e që nuk është lejuar apo ndaluar nga Allahu i Madhëruar në  Kur’an direkt apo indirekt dhe dëshiroj që atë që e di për vete t’ua them sot juve që në Ditën e Gjykimit sado pak të kam me çka të dal para Allahut.
Mbrëmja e maturës është haram pa pikë diskutimi, mirëpo për ta vërtetuar plotësisht kam vendosur të shkruaj gjatë dhe sa me qartë që të mundem. Gjithë ato vite shkollë sigurisht kanë qenë të gjata por ja ikën shpejt dhe përfunduan. Edhe unë do të shkruaj gjatë por për ata që dëshirojnë të lexojnë dhe ta dinë rëndësinë dhe vlerën e kësaj teme është gjatë por kalon shpejt,  sikur vitet shkollore.

Këtë temë e emërova me titullin “Mbrëmja famëkeqe e maturës dhe maturantët” me qëllim që të njihemi qartë se për ku do të nisemi dhe për çfarë bëhet fjalë, pasi që në esencë mbrëmja e maturës është njëra ndër netët më famëkëqija të vitit andaj edhe e kam emëruar ashtu. Nuk do ta zgjas më tepër në këtë pjesë vetëm dua t’ju kujtoj se për ta vërtetuar se mbrëmja e maturës është haram me plot kuptimin e fjalës, kam vendosur të shkruaj për pikat më të ndjeshme të cilat janë prezente në ato ditë, konkretisht  në mbrëmjen e maturës, duke i komentuar dhe duke vendosur ajete dhe hadithe të cilat lidhen më këtë temë. E ato janë:

1. Shpenzimet

2. Përzierja mes dy gjinive

3. Lakuriqësia

4. Muzika

5. Alkooli

6. Amoraliteti etj.


Shpenzimet

Prej dukurive negative dhe ndër të këqijat kryesore të mbrëmjes së maturës është shpenzimi i pasurisë në diçka të humbur, shpenzimi i pasurisë në haram, shpenzimi i pasurisë aty ku nuk është i kënaqur Allahu. Duhet pasur frikë-respekt ndaj Allahut i Cili na furnizon e jo me furnizimin e Tij t’i shkelim ligjet e Tij. Mjerë për ne po mizorë që jemi. Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: "Nuk lëvizin këmbët e birit të Ademit Ditën e Kiametit derisa nuk pyetet për pesë gjëra: për jetën, ku dhe si ka jetuar; për rininë ku e ka kaluar; për pasurinë ku e ka fituar dhe ku e ka harxhuar dhe çka ka vepruar me diturinë e tij". [Tirmidhiu] Këto të pestat lidhen direkt apo indirekt me temën që po e shtjellojmë. Allahu i Lartësuar në Ditën e Gjykimit do të na pyes shumëçka. Kur të pyeteni nga Allahu i Lartësuar për pasurinë nga e keni fituar dhe ku e keni shpenzuar, si do të përgjigjeni vallë?

Allahu nuk i bën padrejtësi askujt, njerëzit janë ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. Shpenzimet e mbrëmjes së maturës janë më së paku 50 euro deri në shpenzimet marramendëse 300 e 500 euro. Për çfarë? Për ta hidhëruar Allahun dhe për ta mbushur konton tuaj me gjynahe dhe për ta kënaqur komandantin suprem tuajin, shejtanin e mallkuar? Po t’i shpenzonit ju, o maturantë, vetëm nga 1 euro për nënat, për baballarët apo për ndonjë të afërm tuajin, ose po ta ndihmonit një jetim apo një të varfër qoftë edhe me 1 euro, kjo do të ishte punë shumë e mirë dhe e madhe për ju në ditën e Gjykimit. Sikur t’i blinit diç nënave tuaja e t’i gëzonit ato, do ta gëzonit edhe Allahun e Lartësuar dhe pastaj do të pasonin lutjet dhe urimet e nënave për atë çka do t’i ofronit, por jo, jam shumë i sigurt që shumica e nënave i mallkojnë bijtë dhe bijat e tyre kur ta marrin rrugën për në mbrëmjen e maturës, dhe bashkë me mallkimin e nënës shkon edhe mallkimi i engjëjve dhe mallkimi i Allahut. Allahu në Kur'an thotë:
"Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do të shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, e madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në Xhehenem".
(Enfal, 36).

Allahu na ruajttë prej njerëzve të tillë! Sigurisht dhe pa pikë diskutimi shpenzimet e mbrëmjes së maturës do të jenë dëshpërim për ju që nga momenti i vdekjes, në periudhën e varrit, në ditën e Gjykimit dhe në Xhehenem, banorë të të cilit janë ata që i shkelin ligjet e Allahut dhe nuk pendohen. O maturantë, mos shpenzoni pasurinë në rrugën e shejtanit, mos e hidhëroni Allahun dhe keni shumë kujdes që mos ta meritoni dënimin e Tij, pasi që Ai-i Madhëruari nuk i kapërcen kufijtë e Tij. Allahu ju udhëzoftë!

Përzierja e dy gjinive

S’ka dyshim se prej harameve të maturës është përzierja e dy gjinive, qëndrimi së bashku në një vend, vallëzimi, këndimi etj. Allahu i Lartësuar nuk e lejon qëndrimin në një vend meshkuj dhe femra pasi që e ka ndaluar një gjë të tillë. Allahu në Kur'an na tregon qartazi që nuk duhet të vetmohemi më gjininë e kundërt:

"Dhe mos iu afroni  amoralitetit (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe. (Isra, 32). Allahu i Lartësuar e ka ndaluar afrimin tek çdo rrugë që na shpie në zina e rruga kryesore për te zinaja është përzierja e gjinive dhe të vetmuarit me ta ose me to.  

Transmetohet nga Usame ibn Zejd se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë:
“Nuk kam lënë pas meje fitne (sprovë) më të madhe se sa fitneja (sprova) e grave”. Kështu që besoj se është e qartë për të gjithë se bashkimi dhe përzierja e meshkujve dhe femrave çon në lajthitje, në humbje, në devijimin e rrugës së Xhenetit; përzierja e meshkujve dhe femrave çon në hidhërimin e Allahut, Allahu është i Mëshirshëm dhe duron shumë, megjithatë Ai nuk i shkel kufijtë e Tij dhe duhet ditur që Allahu është më i Mëshirshëm për ne sesa nëna për fëmijën e saj të porsalindur, mirëpo edhe për Allahun ka kufij dhe pas hidhërimit të Allahut pason dënimi i Tij. Allahu na faltë dhe na ruajttë nga dënimet të cilat vijnë si shkak i mëkateve të mëkatarëve!

Pra, ti vëlla i dashur dhe motër e nderuar, dije që mbrëmja e maturës është haram vetëm në bashkimin e gjinive e lëre më t’i shikojmë haramet e radhës të cilat janë prezente atë natë apo atë mbrëmje mature.
Në vazhdim do të shohim se cilat janë dukuritë tjera negative të mbrëmjes së maturës, pasi pozitive s’ka asnjë fatkeqësisht, mirëpo mos harroni që mbrëmja e maturës është haram dhe e ndaluar për ju rreptësisht vetëm pse bashkohen meshkuj dhe femra në një vend pa shikuar anët negative tjera. Keni frikë Allahun dhe kujtoni dënimin e Tij!


Lakuriqësia

Ndër dëmet dhe të këqijat më të mëdha të mbrëmjes së maturës është zhveshja ekstreme, lakuriqësia e cila shpie direkt në amoralitet, e Allahu nuk i do mizorët dhe ata që i përbuzin fjalët e Tij. Allahu i Lartësuar në Kur'an thotë:
"O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë mbulesat e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu falë gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues." [Ahzab, 59].

O motra të nderuara, që dëshironi të jeni pjesë e hidhërimit të Allahut në ato ditë apo net të kobshme, kujtoni fjalët e Allahut dhe mos shkoni në hidhërimin e Tij pasi që Ai ju urdhëron që të mbuloheni në mënyrë që të jeni të devotshme dhe stolitë tuaja t’ia zbuloni vetëm burrit tuaj nëse doni kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë:
”Ata të cilët dëshirojnë që tek besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënim i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër.” [En-Nur, 19]. 
Pra, sot në këto ditë të përfundimit të shkollës së mesme, njerëz me një mendje të tillë ka shumë, ndër ta janë prindërit, drejtorët, profesorët dhe bashkë me ta edhe nxënësit të cilët urdhërojnë, shkojnë dhe i afrohen me plot dëshirë dhe vullnet rrugës së amoralitetit. 

Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zekatin dhe respektojeni Allahun dhe të dërguarin e Tij...“  
[El-Ahzab, 33]
E ju oj motra, a mendoni ndonjëherë për Allahun, për mirësitë që ua ka dhënë, për begatitë që ju furnizon apo vetëm keni vendosur ta hidhëroni Allahun - Krijuesin tonë dhe të çdo gjëje? Vetëm mos harroni se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi dhe pas çdo hidhërimi vjen dënimi.  

Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijall-llahu anhu) se pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: "Zinaja e syve është shikimi, zinaja e veshëve është dëgjimi, zinaja e gjuhës është të folurit, zinaja e dorës është prekja dhe zinaja e këmbës janë hapat." [Buhariu dhe Muslimi].

O vëlla i dashur dhe motër e respektuar, kini frikë Allahun kudo që të jeni! Largojeni veten nga shikimi haram, dëgjimi haram, të folurit haram, të prekurit haram dhe të ecurit në haram!
Dije, o vëlla dhe motër, se shikimi i Allahut në ty është më i shpejtë sesa shikimi yt në haram. Në mbrëmjen e maturës çdo gjë që bëhet është haram.

A dëshironi që mbrëmja e maturës të bëhet shkak që të mos mund ta shikoni Allahun në Xhenet? A dëshironi ta shihni Allahun me sytë tuaj? A dëshironi ta dëgjoni zërin e Allahut me veshët tuaj? Sigurisht që po, e kjo do të ndodhë në Xhenet, por dijeni se me sytë tuaj që shikoni haram nuk mund ta shihni madhërinë e Allahut, dhe veshët tuaj të cilët dëgjojnë haram nuk mund ta dëgjojnë zërin e Allahut, goja juaj që flet haram nuk mund t’i shijojë begatitë e Xhenetit, duart tuaja të cilat prekin haram, nuk mund t’i prekin bukuritë e Xhenetit dhe këmbët tuaja me të cilat ecni në haram, nuk mund të ecin drejt  portave të Xhenetit. 

Për ato femra që e zbulojnë trupin e tyre dhe për ata meshkuj të cilët shikojnë trupin e femrave të huaja nuk ka vend në Xhenet. Vendtubim dhe vendtakim i tyre do të jetë zjarri i Xhehenemit i ndezur fort, lëndë djegëse e të cilit janë gurët dhe njerëzit. Allahu na ruajttë dhe na bëftë haram Xhehenemin!

Pra, mos harroni vëllezër dhe motra se mbrëmja e maturës bëhet edhe më haram pasi që pas përzierjes se dy gjinive është prezente edhe lakuriqësia ekstreme e femrave me ç’rast është haram i madh të qëndrohet dhe të shkohet në një vend të tillë. Dëshironi kënaqësinë e Allahut, thoni jo mbrëmjes së maturës!

Muzika

Ndër haramet e mbrëmjes së maturës është edhe muzika, pjesë përbërëse e asaj mbrëmje famëkeqe. Dëgjimi i muzikës është haram në masë të vogël dhe në masë të madhe, e pa dyshim se dëgjimi i muzikës në mbrëmjen e maturës është i tepërt dhe nuk ka dyshim se ajo që është e ndaluar në shumicë është e ndaluar edhe në pakicë, kështu që muzika është haram dhe mbrëmja e maturës bëhet edhe më haram kur në kuadër të saj është edhe muzika.

I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: “ Nga Umeti im, me siguri do të ketë prej atyre që do ta bëjnë të lejuar zinanë, mëndafshin, alkoolin dhe veglat muzikore". Kështu që dijeni se muzika është haram, është tingull i shejtanit, instrumentet muzikore janë vegla të shejtanit. Rreth kësaj shumë të qarta janë edhe ajetet kur'anore, në të cilat Allahu thotë: "Po ka nga njerëzit që blejnë tregime boshe e me qëllim që t'i largojnë njerëzit prej rrugës se Allahut pa pasur kurrfarë fakti dhe për t'i marrë ato (ajetet e) Allahut si tallje. Për ta me siguri është përgatitur dënim i turpshëm." (Lukman, 6).
Dhe në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: “Dhe me alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët e tu thirri ata, përzieju më ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrim. Në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme (për ata). [Isra, 64 dhe 65].

Një gjë dijeni vëllezër dhe motra, se muzika është kënaqësi momentale për trurin, ndërsa është shkatërruese e përjetshme për zemrën. Në atë zemër që ka zënë vendin muzika aty nuk ka vend për Kur'an dhe zemra pa Kur'an është e vdekur. Allahu na ruajttë prej zemrave të tilla!
Pasi që edhe muzika është pjesë e mbrëmjes se maturës atëherë harami shtohet edhe më shumë në atë natë, kështu që ju vëllezër dhe motra mendoni dhe vendosni vetë se çfarë do të bëni nëse ende nuk keni vendosur, por edhe nëse keni vendosur ndaluni meditoni dhe shqyrtojeni mirë rastin dhe vendosni për të ardhmen tuaj të ndritur në Xhenet ose për të ardhmen tuaj të zymtë në Xhehenem, Allahu na ruajttë prej zjarrit të Tij! Mendoni...!
   

Alkooli


Nëna, nëna, nëna e të gjitha të këqijave është alkooli. Allahu në ditën e Gjykimit nuk do ta shikoj atë njeri që konsumon alkool.  

Mjerë për ata të cilët marrin pjesë në një vendtubim në të cilin harxhohet pasuria pa kufij, në të cilin janë të dy gjinitë e përziera, në të cilin femrat janë të zhveshura gjysmëlakuriq apo nëse mund të shprehem kështu nuk ka ku shkon më lakuriq, mjerë për ata të cilët marrin pjesë në vendtubime ku këndohet dhe transmetohet muzikë çfarë do qoftë ajo, mjerë për ata që marrin pjesë në atë vend ku pihet alkooli dhe mjerë për ata meqë pas alkoolit bëhet amoralitet dhe çdo vepër tjetër e shëmtuar.
 
All-llahu (subhanehu ve teala) e ka ndaluar alkoolin dhe ka thënë: "O ju që besuat, s'ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar". (Maide, 90).

Pra, vëllezër dhe motra, e kuptuat se çfarë ka thënë Allahu në Kur'an. Nëse doni të jeni të shpëtuar largojuni vendit ku pihet alkooli dhe ku bëhen vepra të ndyta. 
Ibni Umeri, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve selam, ka thënë: “Gjithçka që deh është alkool, ndërsa çdo lloj alkooli është haram!” Po ashtu në një transmetim tjetër vërtetohet edhe më shumë hadithi paraprak, nga Kajs b. Sa’d b. Ubade, radijall-llahu anhu, transmetohet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lam, se ka thënë: “Gjithçka që deh është alkool (hamër), ndërsa çdo lloj alkooli është haram dhe largohuni nga vera prej misri!” (Verën prej misri e bënin abisinasit dhe quhej “el-gubejra.)

Prej shenjave të vogla të Kiametit është edhe kjo ku ka thënë Muhamedi alejhis selam: “Njerëzit e umetit tim do të pinë verë ndërsa do ta quajnë me emra të ndryshëm”.  Kështu, në ditët e sotme jemi të njohur me dhjetëra e qindra lloje të pijeve alkoolike e që të gjitha janë haram pasi ajo që është e ndaluar në shumicë është e ndaluar edhe në pakicë. E kur mbrëmjes së maturës i bashkëngjitet edhe alkooli aty nuk mbetet gjë tjetër pa u bërë. Ka të atillë që thonë se nuk pihet alkool dhe nuk lejojnë alkool në këto mbrëmje. Unë e di shumë mirë dhe kam dëshmitarë të shumtë për këtë që nxënësit së bashku me profesorët e tyre pinë pije alkoolike pa kontroll e çka mbetet pas alkoolit për t’u bërë? Sigurisht që nuk ka vepër të ndyrë që nuk bëhet më pas.
Mendohuni mirë se për ku do të niseni o "Maturantë"! Mos harroni që rruga juaj mund të jetë e pa kthim, ndërsa takimi me Allahun veç është afruar. A keni guxim të takoheni me Allahun e Lartësuar të mbushur me gjynahe dhe që asnjëherë balli juaj s’e ka puthur tokën dhe zemrat tuaja kurrë nuk i janë nënshtruar Allahut të Lartësuar? Sigurisht që kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në rrugën e drejtë, por ndaluni tani dhe kthehuni që tani! Allahu ju udhëzoftë, o ju që e keni poshtëruar personalitetin tuaj njerëzor! Keni frikë Allahun dhe në vendimet tuaja mos të merr pjesë shejtani i mallkuar!


Amoraliteti

Sigurisht që pas të gjitha atyre që i cekëm më lart nuk na mbetet asgjë tjetër pos që të flasim edhe pak rreth amoralitetit (zinasë). Për ta përmbushur kulmarin e mëkateve në mbrëmjen e maturës, pasi që është harxhuar gjithë ajo pasuri për një natë të tillë, pasi që shansi i “mirë” nuk përsëritet, pasi që të dy gjinitë janë së bashku dhe femrat me veshje provokuese-ekstreme të përziera me meshkuj të dehur po edhe të atillë kinse të dehur pasojnë pjesë të amoralitetit çfarëdo lloj qofshin..., për ato vajza dhe ata djem që e mohojnë këtë çka e kam shkruar e përsëris prapë hadithin edhe një herë edhe në këtë pjesë:

-
Transmetohet nga Ebu Hurejra (Radijallahu Anhu) se Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ka thënë: "Zinaja e syve është shikimi, zinaja e veshëve është dëgjimi, zinaja e gjuhës është të folurit, zinaja e dorës është prekja dhe zinaja e këmbës janë hapat."
Këto 5 pika janë të përfshira në mbrëmjen e maturës dhe atyre nuk mund t’ju ikësh vetëm nëse e braktisni dhe nuk shkoni fare në mbrëmje, përndryshe ju do të jeni pjesë e këtyre pikave. Nuk është më rëndësi se sa nga këto pika janë praktikë tek ju, mjafton në hidhërimin e Allahut vetëm një prej tyre. Dua prapë që t’i ceku fjalët e All-llahut në Kur'an, ku Ai thotë:
"Dhe mos iu afroni amoralitetit (zinasë), sepse vërtet ajo është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe. (Isra, 32). 

Dhe, kurrsesi mos iu afroni as rrugëve të amoralitetit e lëre më të afroheni në amoralitet! Afrimi në amoralitet është mu në atë çast kur vendosni që të merrni pjesë në mbrëmjen e maturës, ndërsa pjesëmarrja e juaj aty është çdo sekondë amoralitet me sy, me veshë, me gjuhë, me  duar dhe me këmbë. Allahu na ruajttë prej shpirtrave të tillë!

Pra, mëkatet më të mëdha bëhen në atë natë dhe nuk ka pikë diskutimi se ajo natë është haram. Dijeni vëllezër dhe motra, se prej nisjes tuaj në atë vend të poshtër, nuk jeni nën mbrojtjen e Allahut, nuk jeni nën rahmetin e Allahut, por jeni në hidhërimin e Allahut tej mase, saqë duhet të keni frikë nga ndonjë dënim çfarëdo qoftë ai. Nëse në një vend bëhen të gjitha mëkatet e mundshme dhe në atë vend nuk zbret ndonjë dënim, dijeni që Allahu pret a ka ndonjë njeri që kërkon faljen e Tij, a ka ndonjë njeri që dëshiron të pendohet sinqerisht dhe t’i kthehet Allahut një herë e përgjithmonë, por edhe nëse nuk dënoheni në këtë dynja, dënimi i botës së ardhshme është i pashmangshëm dhe Xhehenemi do të jetë vend i atyre që nuk e njohën Allahun dhe që shkuan pas shejtanit të mallkuar, përpos atyre që do All-llahu. Ai është i Urtë dhe nuk i bën zullum askujt, ju jeni zullumqarë të së ardhmes tuaj. Nëse shkoni në atë vend të mallkuar pa dyshim se do të krenoheni me pjesëmarrjen tuaj dhe do të tregoni për çastet tuaja të kaluara atje, e Allahu nuk i do ata të cilët krenohen me mëkatet e tyre.
Ju lus nga zemra, mendohuni mirë para se ta merrni këtë rrugë! Allahu ju udhëzoftë dhe insh-Allah nuk do të jeni pjesë e kënaqësive të shejtanit dhe pjesë e hidhërimit të Allahut! 
   

O maturantë të mjerë!
 

A shihni ju, o maturantë! Apo në sytë tuaj gjenden perdet e shejtanit...?
O maturantë, ju a dëgjoni apo në veshët tuaj ka urinuar shejtani i mallkuar? Për çfarë po zbukuroheni, o maturantë? Për çfarë po festoni, o të mjerë maturantë?... 12,13 vite shkollë, 12, 13 vite mësim. Mësimi është ibadet, mirëpo ibadetin tuaj po e kurorëzoni në mënyrë të gabuar, në mënyrë të ndaluar me të cilën do ta hidhëroni Allahun tepër. Pas gjithë këtyre viteve shkollë ju sot dëshironi që të festoni diçka që është e ndaluar, gjithë ato vite me sjellje të mira, gjithë ato vite me nota të mira e sot kulmarin e viteve të kaluara do ta përfundoni në mënyrë të gabuar. Mendohuni mirë para se ta hidhëroni Allahun dhe dijeni që pas hidhërimit të Allahut zbret dënimi i Tij.

Kam dëgjuar njerëz të cilët thonë se, do të shkoj në mbrëmje për shkak të shoqërisë, për mos me u nda nga shoqëria, për mos me i shkëput lidhjet me shoqëri! E në fund të fundit kur t’ju vij vdekja shoqëria juaj ose vijnë ose nuk vijnë fare në varrimin tuaj. Edhe nëse vijnë, do t’ju mbartin mbi supet e tyre deri tek varri dhe do të ikin me nxitim pa ju përshëndetur fare, e ti o maturant i mjerë, i cili je nisur me ato mendime duke mos iu ndarë shoqërisë, kujto ato ditë në të cilat shoqëria jote do të braktisin ty dhe do të ikin nga ti! Ti o maturant, i cili për dëshirë të familjes e ke bërë nijet që të nisesh për në atë vend të mallkuar, kujto ato ditë te varri yt kur edhe familja do të të braktisin, e ti do të mbetesh vetëm me veprat tua, me ty do të mbetet vetëm mbrëmja famëkeqe e maturës dhe çdo gjë çka ke punuar mirë apo keq. Ti o maturant, sot po nisesh për të festuar përfundimin e disa viteve shkollimi, po nisesh me i shfry epshet dhe t’i plotësosh dëshirat tua dhe të shoqërisë tënde. A ke menduar se në të njëjtën kohë po e hidhëron Allahun tej mase?  A ke menduar ndonjëherë që ta kënaqesh Allahun apo vetëm që ta hidhërosh? Mendohu mirë para se të nisesh atje në atë vend të mallkuar.
 
Kujtoni vdekjen, ajo ju vjen në befasi, ajo vjen kur nuk e pritni! Kujtojeni që vdekja mund t’ju zë në atë vend të mallkuar e si do të dilni para Allahut, me çfarë fytyre do të dilni para Allahut, o maturantë të mjerë?
O ju vajza, që sot jeni bërë maturante dhe keni vendosur të shkoni në mbrëmjen famëkeqe të maturës! A jeni ju ato vajza që deri dje patët turp të zhvisheni në shtëpitë tuaja? A jeni ju ato të cilat deri dje patët turp që t’ju shohin baballarët tuaj me rroba të gjumit apo me rroba të shkurta, e çfarë po ndodh me ju sot? A jeni ju ato që keni qenë dje apo keni ndryshuar rrënjësisht? Sot po dilni me rroba edhe më të shkurta se rrobat e gjumit, si sot nuk jeni veshur kurrë! Sot po dilni me rroba më të tejdukshme që ekzistojnë, por më e keqja sot po dilni para qindra mijëra njerëzve e dje patët turp të dilni para baballarëve tuaj me rroba të gjumit e tani pse kështu, çka ndodhur me ju? Kur ju kërkonin baballarët tuaj i thoshit prit deri sa të vishem e tash pse po zhvishesh para qindra njerëzve të huaj? Kur kërkonin baballarët tuaj një gotë ujë e ju ishit në veshje të gjumit apo në veshje të shkurta i thoshit prit deri sa të vishem e ta sjell ujin, dhe kur ju pritonit të vishni rroba më të gjata nuk prezantonit në drekë me baballarët tuaj fare e pse ju sot i cakërroni gotat me dhjetëra meshkuj? Tani të stër-zhveshura me veshje ekstreme dhe të tejdukshme, a jeni ju ato që ishit dje? Nuk mund të besoj dhe nuk mund ta imagjinoj se çfarë ka ndodhur me ju? Pse dje ashtu e sot krejt ndryshe?
O maturantë të mjerë keni frikë Allahun, keni frikë Zotin tuaj që ju furnizon vazhdimisht, keni frikë Zotin tuaj i Cili po ju lejon që ta shihni dritën e Tij dhe të merrni frymë në ajrin e Tij! Keni frikë Allahun, i Cili po ju lejon të ecni lirshëm mbi Tokën e Tij! E, sa mizorë që jeni dhe kurrë nuk e kujtoni as që e falënderoni Allahun dhe nuk tregoni aspak frikë-respekt për Të! Nëse dikush ju ndihmon diçka, ju sigurisht do ta falënderoni dhe do ta respektoni shumë e ku janë falënderimet tuaja ndaj Allahut për gjitha të mirat që Ai, i Madhëruari u ka dhuruar? Allahu - Krijuesi juaj dhe i çdo gjëje, ua ka dhënë të gjitha, u ka sjellë në këtë botë, u ka dhënë shikimin, dëgjimin, shijimin, këmbët, duart dhe çdo gjë në mënyrë të përsosur. Falënderimet ndaj Tij nuk ekzistojnë fare po ç’është më e keqja as nuk keni frikë ndaj Allahut, pasi që po i shkelni ligjet e Tij dhe nuk po shkoni rrugës së Tij.
Edhe mbrëmja e maturës është shkelje e ligjeve të Allahut pasi që është haram dhe i ndaluar organizimi, pjesëmarrja e të gjitha që çojnë në atë mbrëmje, por ja prapëseprapë Allahu po na le të jetojmë në tokën e Tij!

Oh, sa mizorë që jemi ne, nuk e njohim Allahun pos në vështirësi, pos kur jemi në rrezik, por dijeni se edhe durimi i Allahut ka kufij, edhe dënimi i Tij është shumë i ashpër. Mos e hidhëroni Allahun, kujdes, kujdes, kujdes! Ju lutem kujdes! Mos e hidhëroni Allahun që të zbret dënimi i Tij! Kthejuni Zotit tuaj të pastër si loti, të pastruar nga mëkatet duke bërë vepra të mira! Kthejuni Zotit tuaj me fytyra të ndritura, me fytyra të përulura, me fytyra të gëzuara dhe keni frikë-respekt ndaj Allahut që ta fitoni kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, Xhenetet në të cilat rrjedhin lumenj e atje ka çka syri s’ka pa, çka veshi s’ka dëgjuar dhe çka mendja s’ka ëndërruar dhe as që mundet t’i paramendojë bukuritë e Xheneteve. Kthejuni Allahut me lutje e adhurim para se t’i ktheheni të shtrirë në tokë me qefin, dhe t’ju mbulojnë me dhe në tokën e Allahut në të cilën ju e shkelët me mizori, me kryelartësi  dhe kryeneçësi! Vazhdoni, por mos harroni se ka mundësi që tani t’ju vijë vdekja dhe përfundoi puna juaj e tani janë vetëm fjalët e Allahut në të cilat nuk ka dyshim, pasi që njerëzit duhet punuar mirë në këtë dynja që të pushojnë dhe të kënaqen në të ardhmen, në Xhenetet e Allahut.

Mendo çka ke përgatitur dhe çfarë po përgatit për të ardhmen tënde, për ahiretin tënd!
Por dijeni që me mbrëmje të maturës nuk mundni t’i fitoni Xhenetet e Allahut, por ju me mbrëmjen e maturës po e shkatërroni ahiretin tuaj dhe përfundimisht është nën dijen dhe kontrollin tuaj që të vendosni çfarë do të bëni për të ardhmen tuaj. Është e drejtë e juaja që të vendosni për veten tuaj dhe që të përgatisni vendin tuaj në ahiret por prapëseprapë mos harroni,  mendohuni mirë para se të vendosni!

Kthejuni Allahut faqebardhë ashtu siç i ka hije robit të Allahut!
Vazhdoni kokulur në dynja që ta ngrehni kokën në ahiret dhe mos shkoni kryelartë në dynja pasi që në ahiret do të jeni të përbuzur, të përulur dhe të dënuar me zjarrin e Xhehenemit.  
Allahu na udhëzoftë, Allahu na drejtoftë, Allahu na faltë gabimet që i dimë dhe ato që s’i dimë!

Çdo gjë që ia kam qëlluar është nga Allahu i Lartësuar dhe çdo gjë që kam gabuar është prej meje dhe prej shejtanit të mallkuar. 

Zemra më është mërzitur andaj vendosa të shkruaj gjithë atë çka pata në zemër. Këto fjalë kanë dalë nga zemra dhe shpresoj që të depërtojnë në zemra, pasi që ua dua të mirën si vetes sime.  Jam mysliman, Elhamdulilah, e dua Allahun, e dua Xhenetin, por dua që edhe ju ta doni Allahun dhe të informoheni mirë dhe mbarë që ta fitoni kënaqësinë e Tij dhe shpërblimin - xhenetet e Tij.  
Allahu na bëftë prej banorëve të Firdeusit! Amin!
Dhe në fund, lus Allahun e Lartësuar që të mos jeni pjesë e mbrëmjes famëkeqe të maturës, që të jeni robër të Allahut e jo robër të shejtanit të mallkuar! Allahu na ruajttë dhe na faltë gabimet e kaluara!
 

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.