MЁNYRA E ABDESIT

 
Duaja PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Senada Ramadani   
e diel. 17 maj 2009


“Më thirrni dhe m’u lutni, Unë do t'u përgjigjem!”







Allahun e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë, që të na ruajë nga çdo e keqe, të na bëjë nga robërit falënderues dhe të na falë mëkatet tona!

Salavatet dhe selamet qofshin mbi krijesën më të zgjedhur, Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasuan dhe do ta pasojnë rrugën e tij!

Allahu ka thënë:
E kur të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam me siguri afër dhe i përgjigjem çdo lutje të lutësit që më lutet. Pra, t'i përgjigjen edhe ata thirrjes sime!” (El-Bekare, 186)

Çdo ditë përballemi me probleme të ndryshme, kemi nevojë të na largohen këto probleme ose t’i zgjidhim në mënyrën më të dobishme për ne. Kemi nevojë që të na shtohet diçka nga të mirat e dynjasë. Jemi të sëmurë dhe kemi nevojë për shërim, kemi halle dhe derte. Jemi në prag të provimeve dhe duam që t’i kalojmë me rezultate të mira.

Dhe në halle dhe derte të ndryshme, kemi sëmundje të pashërueshme, atëherë kujt t’i drejtohemi?!

Allahut drejtoju, motra ime! Ngriti duart dhe bë dua Allahut se vallahi Ai ka mundësi që t’i japë të gjitha, të shërojë nga sëmundja që s’i gjendet shërimi as nga mjekët më të mëdhenj, edhe atëherë kur pasuria jote është e madhe por shërim s’ka.

Allahut drejtoju, motra ime, nëse varfëria të ka kapluar! Atij drejtoju se vetëm Ai ka mundësi për t’i dhuruar të gjitha të mirat e dynjasë dhe të mos hidhërohet me ty pse po i  kërkon.

Nëse të gjithë ta mbyllin derën, dije se Allahu nuk ta mbyll derën. Nëse të tjerët zemërohen kur ju kërkon diçka, Allahu zemërohet me ty pse s’i kërkon Atij.

Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, trasmetohet se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

'Allahu zemërohet me atë që nuk kërkon (asgjë) prej Tij.''

Tregohet se një dijetar islam, një njeriu të cilin e kishte parë duke hyrë shpesh në derën e një sundimtari i kishte thënë: “Ore ti që shkon te ai i cili ta mbyll derën para hundës, të tregon varfërinë dhe nga ti e fsheh pasurinë, po e harron Atë i cili ta hapë derën, të tregon pasurinë dhe të thotë: “Më thirrni dhe m’u lutni, Unë do t'u përgjigjem!”

Motra ime e dashur, Allahu është bujar dhe i vjen turp që t’i kthejë duart bosh kur ti i lutesh Atij. Lutu pra!

Transmeton Selman Farisiu se i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ''Allahu është i turpshëm dhe bujar. I vjen turp kur njeriu i çon duart (dhe i lutet), t'ia  kthejë bosh.” 

Motra ime, për çdo hall dhe çdo brengë që ke drejtoju Allahut, lutu për dynja dhe të mirat e saj se Allahut s’i pakëson asgjë. A nuk vëren rreth e rrotull teje se shumë gjëra që ti i sheh dhe ato që s’i sheh në vendet tjera, e gjithë kjo botë dhe pasuri që Allahu ka dhuruar në sipërfaqen e Tokës, Atij asgjë s’i është pakësuar nga pasuria e Tij?

Lute Allahun për të mirat e ahiretit, lute Allahun për Xhenet, lute Allahun për lehtësim në varr!

Motra ime, mos kërko nga njerëzit,
Por nga Ai dera e të Cilit nuk mbyllet
Allahu zemërohet nëse nga Ai nuk kërkon
Kurse njerëzit zemërohen, nëse nga ata kërkon diç.

Bë dua, motra ime, dhe ji e bindur se Allahu do ta pranojë duanë tënde.

Sufjan Bin Ujejne ka thënë: ''Asnjërin prej jush të mos e ndajë nga duaja ajo që e di për vete, ngase Allahu i Madhëruar u është përgjigjur dhe i ka plotësuar lutjet e krijesës më të shëmtuar, Iblisit, mallkimi i Allahut qoftë mbi të, kur i është lutur: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen!” (El-Hixhr, 36)

Mos u mërzit, motra ime, duke bërë dua, por lute Allahun vazhdimisht!

Dhe, në fund lus Allahun të na pranojë duatë tona dhe të na bëjë nga ata robër që i lutemi Allahut me sinqeritet!

Amin!
 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.