MЁNYRA E ABDESIT

 
Gruaja e devotshme (10) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 13 maj 2009

Prej moralit të mirë të gruas muslimane është respektimi i prindërve të burrit, posaçërisht kur ata janë të moshuar.




Gruaja e devotshme e respekton familjen e burrit, prindërit dhe motrat e tij, i viziton ata dhe me këtë vepër gëzon burrin e saj dhe afrohet tek Allahu me këtë lloj adhurimi.

“Prej edukatës islame është që gruaja të ketë për synim ta gëzojë burrin më shumë sesa veten e saj dhe ta respektojë familjen e burrit, në veçanti prindërit e tij. E kjo arrihet posaçërisht kur jeton së bashku me ta dhe duhet ta dimë se respektimi i tyre është si të respektosh burrin tënd, t’u bësh mirë atyre është si t’i bësh mirë burrit tënd për shkak se ti po e gëzon burrin tënd me këtë vepër dhe me këto sjellje ti vetëm se po i forcon marrëdhëniet bashkëshortore me butësi, mëshirë dhe dashuri.” (Avdetul Hixhab 2/506)

Këtë vepër gruaja e devotshme e bën duke iu nënshtruar fjalës së Pejgamberit salallahu alejhi ue selem, i cili thotë: “Nuk ka dyshim se respektimi dhe nënshtrimi më i mirë është kur mashkulli respekton të dashurit e babait të tij.” Muslimi, Ebu Davudi dhe Termidhiu.
(Kur prej nënshtrimit ndaj prindërit konsiderohet edhe sjellja e mirë me të dashurit e prindit, atëherë si do të jetë çështja me respektimin e prindit, kur Pejgamberi salallahu alejhi ue selem na ka mësuar që të sillemi mirë dhe t’i respektojmë të dashurit e prindërve tanë. Sigurisht që është më primare t’i respektojmë dhe dëgjojmë prindërit e burrit.)

Prej moralit të mirë të gruas muslimane është respektimi i prindërve të burrit, posaçërisht kur ata janë të moshuar. Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk i respekton të moshuarit tanë dhe nuk i mëshiron të vegjlit tanë dhe ai i cili nuk ua di vlerën dijetarëve tanë.” Ahmedi dhe Hakimi. Shejh Albani ka thënë se hadithi është hasen. Shih Sahih Et-Tergib nr. 96.

Dr. Muhamed Es-Sibag, Allahu e ruajttë, ka thënë: “Gruaja gjithmonë duhet ta ketë parasysh dhe të mos harrojë që prej fillimit se kjo grua për të cilën shpesh mendon se është konkurrente e saj, është nëna e burrit, të cilën ai sado që të mundohet, nuk do të ketë mundësi ta nënçmojë ose mos ta respektojë. Ajo është nëna e tij, e cila e ka mbajtur në barkun e saj nëntë muaj, e ka ushqyer me qumështin e saj dhe e ka kaluar tërë jetën e saj duke u kujdesur për të derisa është bërë burrë.

Dhe dije o ti grua se burri yt e do familjen e tij më shumë se familjen tënde njësoj sikurse edhe ti e do familjen tënde më shumë se familjen e tij, prandaj ki kujdes, mos e ofendo atë duke folur fjalë të këqija për familjen e tij, sepse kjo është shkak që ai të largohet prej teje.

Nuk ka dyshim se pakujdesia jote ndaj respektimit të familjes së burrit është pakujdesi ndaj respektimit të vetë burrit tënd. Edhe nëse kjo nuk vërehet te burri, patjetër që kjo sjellje do ta zvogëlojë dashurinë e tij ndaj gruas.
Po ashtu, duhet ditur se burri i cili e do familjen e tij dhe i nënshtrohet prindërve të tij, është një burrë i devotshëm dhe e meriton që ta respektojë gruaja e tij dhe duhet të shpresojë prej tij shumë të mira.” Nedharat fi Usretil Muslime.

Kurse ajo grua e cila mendon se nëse i shkatërron marrëdhëniet mes burrit dhe familjes së tij, atëherë burri do ta kalojë kohën vetëm me të dhe fëmijët e tij, kjo grua është shumë naive dhe po e fut kokën e saj në dhe. Kjo grua nuk është e devotshme dhe nuk i frikësohet Allahut dhe asaj me këtë vepër do t’i mjaftojë dënimi i Allahut për mëkatin nxitjes së burrit që të mos i respektojë prindërit e të mos u nënshtrohet atyre. Ah sa e keqe është kjo grua!

“Nuk ka dyshim se mosrespektimi i prindërve është shkatërrim për një burrë, po ashtu edhe për gruan dhe familjen e tij. Duhet ditur se mosrespektimi i prindërve është prej mëkateve që Allahu i Lartësuar dënimin e këtij mëkati e shpejton në dynja.

Transmeton Ebi Bekrete, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Dy personave Allahu i Lartësuar ia shpejton dënimin në këtë dynja (para ahiretit): zullumqarit dhe mosrespektimi i prindërve.” (Buhariu në Et-Tarih, Taberaniu në El Kebir dhe shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih Sahih El Xhami 1/99. Nedharat fil Usretil Muslime.

Nuk ka dyshim se gruaja e devotshme e cila i frikësohet Allahut është ajo grua e cila i ndihmon burrit të saj në çdo të mirë, e këshillon atë duke ia treguar çdo punë të mirë dhe po ashtu e porosit atë që t’u nënshtrohet urdhrave të Allahut në çdo gjë dhe njëkohësisht e nxit atë që t’i respektojë, nderojë dhe të sillet mirë me prindërit.

Dhe kjo grua me këtë moral të lartë dhe me këto sjellje të mira do t’i shohë frytet e këtyre sjelljeve në këtë botë duke e respektuar fëmijët e saj atë, posaçërisht kur ajo është e moshuar dhe në botën tjetër (inshallah) do të ketë shpërblim të madh tek Allahu i Madhëruar.

Tregon Ebu El Ferexh ibn Xheuzi për një grua të devotshme, e cila falte namaz nate pa pushuar fare dhe gjithmonë i thoshte burrit të saj: “Ngrihu, mjerë për ty, deri kur do të flesh? Ngrihu, deri kur do të jesh kështu i pakujdesshëm? Pasha Allahun, mos fito pasuri prej haramit, pasha Allahun mos hyr në xhehenem për mua, respektoje nënën tënde, vizitoje familjen, mos i ndërprit marrëdhëniet me ta e Allahu t’i ndërpresë me ty.” Sifetus-Safve 4/437.

 

Përktheu: Eroll Nesimi
 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.