MЁNYRA E ABDESIT

 
Gruaja e devotshme (8) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte. 01 maj 2009

Moszbukurimi i gruas për burrin e saj është prej shkaqeve kryesore të largimit të burrit nga gruaja e tij.




Gruaja muslimane kujdeset dhe interesohet për zbukurimin, parfumimin dhe pastërtinë e vetes. Gruaja muslimane është e vetëdijshme se zbukurimi ka ndikim të madh tek burri i saj dhe e shton dashurinë e tij edhe më shumë. Për këtë shkak, ajo është shumë e kujdesshme për zbukurimin e saj si në veshmbathje ashtu edhe në erë, pastërti, parfumim etj. Ajo e di se zbukurimi është një mjet efektiv për ta kënaqur, qetësuar dhe mjaft tërheqës për të. Gjithashtu kjo e bën atë që të kujdeset dhe të sillet edhe më mirë me gruan e tij.

Moszbukurimi i gruas për burrin e saj është prej shkaqeve kryesore të largimit të burrit nga gruaja e tij, që më pas sjell probleme. Ka shumë raste ku kalon tërë dita dhe nata dhe gruaja nuk zbukurohet për burrin e saj. Burri shpenzon pasurinë e tij për t’i blerë gruas rrobat, parfumet dhe kozmetikën më të mirë, kurse ajo nuk i përdor këto për burrin e saj, por për t’u zbukuruar para grave të tjera në festa të ndryshme si në dasma, bajrame, etj. Shumë burra presin të ndodhë ndonjë manifestim, festë apo tubim, që ta shohin gruan e tyre të zbukuruar dhe në pamjen më të bukur, kurse disa të tjerë detyrohen të bëjnë ndonjë manifestim vetëm e vetëm për ta shikuar gruan të zbukuruar.

(Në mesin tonë është shumë e përhapur që gruaja të zbukurohet kur të vijnë musafirët, aq shumë zbukurohet, saqë as burri i saj nuk e njeh. Më shumë zbukurohet për musafirë sesa për burrin e saj ose mund të themi se burri e sheh gruan të zbukuruar vetëm në tri raste: 1. Kur vijnë mysafirët; 2. në ndonjë manifestim; 3. kur shëtit me të në qytet)

Kjo pa dyshim se është padrejtësi dhe zullum i gruas ndaj burrit të saj. Ajo nuk është duke e kryer obligimin e saj ndaj burrit. Kjo shkakton problem dhe ai nuk do të jetë i lumtur me të. Kjo e detyron burrin që të largohet nga gruaja e tij dhe t’i shikojë gratë e tjera dhe të bëjë haram ose fillon të mendojë se si të martohet me gruan e dytë, e cila do t’ia shuajë epshin e tij dhe do ta kënaqë syrin e tij.

Një burrë është martuar me gruan e dytë vetëm për këtë shkak dhe pasi është martuar, kur ka shkuar te gruaja e parë, e ka parë të zbukuruar aq shumë, saqë ka menduar se nuk është gruaja e tij prej ndryshimit të madh para se të zbukurohet dhe pasi ishte zbukuruar. Ishte çuditur kur e kishte parë ashtu, pasi gjithmonë ishte mësuar ta shihte të pazbukuruar. Ai i ka treguar se nuk do të ishte martuar po të ishte zbukuruar si tani (shih. Mukavemat Es-Seadetuz-Zeuxhije të Dr. Nasir Omer).

Dijetari Ahmed El Katani, Allahu e ruajttë, ka thënë: “I bëj apel të gjitha grave që të zbukurohen për burrat e tyre muslimanë, sepse kjo i mbron ata nga gabimet. Zbukurimi i gruas për burrin e saj është adhurim dhe një mjet të cilën e do natyrshmëria e njeriut. Gruaja e mençur është ajo e cila di se si ta përfitojë zemrën e burrit të saj dhe di se si të jetë gjithmonë gruaja e tij e re në jetën e tij.

Fjala e mirë është zbukurim i saj, buzëqeshja e saj tërheqëse është zbukurim i saj, era e saj e mirë është kënaqësi, fustani i saj i hijshëm edhe me një zbukurim modest. Ti oj motër muslimane je hyria e tij në dynja dhe mbretëresha e pallateve në xhenet, me lejen e Allahut.

Mësoj, oj motër, prej Kuranit moralin dhe sjelljet e hyrive të xhenetit dhe garo me to për ta përfituar zemrën e burrit tënd. Bëje dynjanë e tij xhenet, vishi rrobat e mira, parfumohu mirë.

Është për t’u çuditur me atë grua që në periudhën e menstruacioneve nuk i kushtojnë rëndësi vetes, nuk rregullohet gjatë të përmuajshmeve për burrin e saj duke menduar se menstruacionet janë ndarje mes saj dhe burrit të saj.
Ku është zbukurimi i gruas në fytyrën, flokët, rrobat dhe erën e saj?
A ka ndonjë kundërshtim mes zbukurimit dhe menstruacioneve?!
Jo, ajo duhet të kujdeset për burrin e saj dhe të zbukurohet e të hijeshohet për burrin e saj.

Ebul Ferexh në librin e tij “Nisau Ma Manahu“ ka thënë: “Gruaja duhet të gjejë simpati te burri i saj duke iu zbukuruar atij, që të jetë tërheqëse për të. Duhet të zbukurohet me flori dhe me veshje të ndryshme, duke përdorur edhe makijazh të ndryshëm. Ajo duhet të ketë kujdes që të mos përdorë ndonjë aromë që e pengon burrin e saj ose që nuk i pëlqen atij.”

Kurse Berkuki ka thënë: “Bukuria e gruas dhe zbukurimi i saj është shkaku kryesor për tërheqjen e burrit dhe për ta magjepsur atë. Zbukurimi kryesor është pastërtia dhe për këtë shkak duhet të ketë kujdes gruaja që mos t’i bjerë në sy burrit të saj diçka që ai e urren, bie fjala ndyrësirë, erë e keqe etj.

Një grua e këshilloi bijën e saj duke i thënë: “O bija ime, mos harro pastërtinë e trupit tënd. Nuk ka dyshim se pastrimi i trupit tënd shton dashuri te burri yt, pastërtia e shtëpisë ta zgjeron gjoksin, ta ndriçon fytyrën dhe të bën të bukur, të dashur dhe të respektuar te burri yt. Gjithashtu do të të falënderojnë familja jote, shoqet e tua dhe të afërmit e tu. Dhe kushdo që të sheh të pastër dhe shtëpinë e rregulluar, do të gëzohet dhe do të ketë mendim të mirë për ty.”

Fatkeqësisht, shumë gra e lënë pas dore zbukurimin pasi kalojnë disa vite martesë; disa duke menduar se pas shtimit të dashurisë mes bashkëshortëve nuk është e nevojshme zbukurimi i saj, kurse disa të tjera mendojnë se pasi kanë mbushur disa vite, nuk u takon të zbukurohen dhe se zbukurimi ka qenë në rini. Nuk ka dyshim se këto mendime janë të gabuara.

Zbukurimi i gruas për burrin e saj është obligim dhe nuk largohet ky obligim edhe nëse kalon shumicën e jetës së saj. Sa e sa burra janë martuar edhe pse kanë mbushur të pesëdhjetat për shkak se gruaja e parë ka lënë pas dore zbukurimin e vetes.
Prej pastërtisë së gruas është: pastërtia e trupit, pastrimi i qimeve të sqetullave, pastrimi i dhëmbëve, zbukurimi i syve me makijazh, shkurtimi i thonjve etj.

Filloni, pra, o gra të besimtarëve, zbukurohuni për burrat tuaj dhe dijeni se zbukurimi është ndër shkaqet kryesore për tërheqjen e burrit tuaj dhe prej rrugëve më të mira për ta kënaqur burrin. Në shumë raste zbukurimi anashkalon dhe asgjëson shumë probleme bashkëshortore.



Përktheu: Eroll Nesimi
 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.