MЁNYRA E ABDESIT

 
Dituria PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Senada Ramadani   
e mėrkurė. 15 prill 2009


Dituria është dhuratë, të cilën Allahu Fuqiplotë ia dhuron kujt të do.   



Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Falënderojmë Allahun e Madhërishëm dhe e lusim të na shtojë diturinë, të na mundësojë ta mësojmë atë që s’e dimë e që është në dobi tonën për këtë dynja dhe për ahiret.

Dituria është një prej ni’meteve të Allahut të Lartësuar, të cilën lum kush e posedon. Ajo e ngrit njeriun, kurse mos-posedimi i saj e ul atë.Dituria është dhuratë, të cilën Allahu Fuqiplotë ia dhuron kujt të do. Allahu në Kur’an thotë:
“Ai i dhuron dituri atij që do, ndërkaq atij që i është dhuruar dituria i është dhuruar pasuri e pafund...” (El-Bekare, 269)

Subhanallah! Me të vërtetë, kujt i është dhuruar dituri i është dhuruar një pasuri e madhe, e pafund, sepse pasurinë që njerëzit e posedojnë mund ta humbin brenda ditëve, muajit apo vitit, kurse dituria nuk pakësohet dhe me përhapjen e saj veç shtohet dhe personit që e posedon atë i ripërtërihet.

Me të vërtetë, o robëreshë e Allahut, nëse ty Allahu të ka dhënë dituri ta ka dashur të mirën. Këtë e argumenton hadithi i Muaviut, i cili gjendet në përmbledhjen e Buhariut dhe Muslimit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ku thuhet:

''Kam dëgjuar të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të ketë deklaruar: “Atij të cilit Allahu ia do të mirën i dhuron zgjuarsi në fe.”

Dituria është më e dobishme se çdo gjë në jetë po edhe më e dobishme se uji dhe buka.

Imam Ahmedi ka thënë: ''Për njerëzit është më e nevojshme dituria se buka dhe uji, ngase buka dhe uji duhen një apo dy herë në ditë, ndërsa dituria sa herë që marrim frymë.”

SubhanAllah! Një fjalë shumë domethënëse e këtij personaliteti markant, mirëpo për fat të keq shumica e muslimanëve sot e neglizhojnë diturinë shkencore e mos të diskutojmë  për atë fetare. Shkollat tona janë mbushur me nxënës që s’e meritojnë as të hyjnë deri tek dera e shkollës e jo më të ulen në bankat ku mësohet dituria. Ata e zënë vendin veç për shaka dhe për budallallëqe. Ruana Zot!

Vallë, sa i kemi mbushur kokat me dituri? Sa vrapojmë tek dyert e njerëzve të ditur!

Kumejl b. Zijad En-Neha'iu ka rrëfyer: Me një rast Ali b. Ebu Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, më mori për dore dhe më shpuri drejt shkretëtirës. Kur doli nga shkretëtira, ofshau thellë dhe më tha: “O Kumejl b. Zijad, zemrat janë si enë. Më të mirat janë ato të cilat zënë më shumë.”

Dituria është më e mirë se pasuria. Dituria e mbron njeriun kurse pasurinë duhet ta mbroj pronari i saj. Dituria është gjykatës ndërsa pasuria i gjykuar.

Dituria mundëson që për së gjalli njeriu të nderohet dhe të respektohet e ngritët dhe edhe për së vdekuri, asgjë tjetër nuk e ngrit njeriun më shumë sesa dituria.

Vallë, çka e ngriti Imam Ahmedin, Buhariun, Muslimin, Neveviun, Ibën Tejmijen, Albanin, Uthejminin, Allahu qoftë i kënaqur me ta, e shumë e shumë dijetarë të tjerë? Mos vallë pasuria? Ata edhe sot përmenden në gjuhët tona, edhe pse kanë vdekur kaherë, ende mësohen librat e tyre. Ata i ngriti dituria dhe mbesin të ngritur edhe pas vdekjes së tyre.

Dituria është trashëgim nga të dërguarit e Allahut. Dituria e ruan sahibin e vet, sa më shumë shpenzohet dituria ajo veç shtohet. Njeriu kur vdes nuk ndahet nga dituria, çdo gjë  në këtë dynja mund ta posedojë edhe besimtari edhe jobesimtari mirëpo dituri të  dobishme vetëm besimtari.

Lum ata të lumët që kanë mbushur gjoksin e vet me dituri! Dituria ka për t’i ngritur në këtë dynja dhe edhe pas vdekjes, e mjerë ata të mjerët që e kanë lënë diturinë!

Një poet arab ka thënë: Kushërinjtë e mi dikur më pritninme fjalë mirëseardhjeje.Mirëpo kur e panë se u bëra i varfër fjalët e mirëseardhjes vdiqën. SubhanAllah! Kjo është çështja e pasurisë mirëpo me dituri qofsh i varfër apo i pasur në çdo mënyrë je i ngritur. Ky rast që do ta tregojmë pak më poshtë është një shembull i mirë se si dituria nga shkalla e robit e ngrit njeriun në shoqëri të sundimtarëve. Transmeton Muslimi se Nafi' Ibnul-Harith një herë kishte ardhur te Omer b. Hatabi derisa kz i fundit ishte në Afsan të cilin Omeri që më herët u kishte lënë Mekasve mëkëmbës, andaj Omeri e pyeti: ''Cilin e ke lënë të zëvendësojë tek banorët e Luginës (d.m.th. Mekës)? Për zëvendës timin ua kam lënë Ibni Ebxhen, - u përgjigj ai. ''Po kush është ky Ibni Ebxhe?'' - e pyeti. “Një nga robërit tanë të liruar?'' Omeri pas kësaj e pyeti: ''Ua ke lënë për zëvendës një rob të liruar?'' – “Ai e lexon Librin e Allahut dhe i njeh mirë obligimet (farzet), - u përgjigj ai, pas çka Omeri deklaroi: ''Vallë, nuk ka thënë i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Allahu me këtë dituri njerëzit do t'i lartësojë e disa do t’i rrëzojë.” Bëhu i lartësuar e mos u bë i rrëzuar, o rob i Allahut!

Dhe në fund po e përfundoj me një poezi arabe:

Nderi u përket vetëm të diturve,
Ata janë në rrugë të drejtë
dhe udhëzim për ata që rrugë kërkojnë.
Çdo njeri çmohet sipas sjelljes së tij të mirë.
Ndërsa injorantët janë armiqtë e dijetarëve.
Fito dituri, me të do të jesh gjithnjë i gjallë.
Bota është e vdekur, njerëzit e ditur të gjallë.

Lusim Allahun e Madhërishëm, të na falë ku kemi gabuar, të na përmirësojë neve dhe të gjithë myslimanët, të na shtojë diturinë e hairit dhe të mos na bëj që të vdesim injorantë, por na ngrittë me dituri!Dhe, lusim Allahun e Madhërishëm të na bëj që të kemi dobi prej diturisë edhe në varr! Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
 “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme (hajratit), diturisë prej së cilës kanë dobi të tjerët dhe lutja e pasardhësit të mirë, i cili lutet për të vdekurin.” 

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.