MЁNYRA E ABDESIT

 
Problem me familjen pėr shkak tė Islamit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e diel. 12 prill 2009
Pyetje:

Esselamu alejkum!

Doja t’ju pyesja për një problem midis meje dhe familjes sime.
Familja ime është muslimane por vetëm me emër jo se e praktikojnë fenë islame, madje babai thotë që është ateist.
Unë studioj jashtë Shqipërisë prej 4 vitesh dhe u bë gati 1 vit që unë, elhamdulilah, kam filluar të falem. D.m.th. unë vjet në prill fillova faljen dhe gjatë atyre muajve e ndjeja që duhet të veja  dhe shaminë dhe në korrik të po atij viti e vura.
Të gjitha këto pa dijeninë e prindërve pasi e dija që ata nuk do më përkrahnin. Unë këtu ku studioj në Itali kam dhe vëllanë (më të vogël) dhe kushërinj të cilët gjatë gjithë kohës kanë qenë kundër meje, madje kur morën vesh që unë do veja dhe shaminë i thanë prindërve të mi përpara se t’ia thosha unë.

Unë kur fola me prindërit në telefon, ata më thanë që do e diskutojmë me qetësi kur të vish në shtëpi, madje nga toni i zërit dukeshin mjaft të qetë (se ndoshta kishin frikë që po të më kundërshtonin në telefon unë nuk do shkoja fare në shtëpi).
Por, me të shkuar në shtëpi, ata më hoqën shaminë dhe filluan të mos më lejonin me falë namazet me gjithë përpjekjet e mia për t’i shpjeguar se unë kisha ndryshuar dhe nuk doja më të bëja atë lloj jete që bëja në fillim.

Në shtëpinë time gjithë atë muaj fillonin të bërtiturat që në 4 të mëngjesit dhe mbaronin në 2 të darkës, duke filluar prapë në mëngjes. Babai grisi dhe Kuranin, dhe gjithë kohës bërtiste e ofendonte kurse mami qante duke m’u lutur që t’u ktheja ajo që isha dhe mos ta prishja harmoninë e familjes. Babai më ka thënë që me shami mund të kaloj vetëm mbi kufomën e tij. 

Si e folura me të butë me ta, si kundërshtimi me forcë nuk kanë dhënë rezultat si me babin ashtu dhe me mamin me të cilën jam përpjekur të flas dhe veçantë duke ia shpjeguar gjërat me qetësi.

Ata mbas gjithë kësaj nuk më lejonin as vij në Itali për t’i vazhduar studimet këtu, por mbas shumë bisedash ata vendosën që semestrin e parë (deri në janar) unë të rrija në Shqipëri pastaj në qoftë se ata do ta shihnin të arsyeshme do më lejonin të vij këndej.
Unë gjatë asaj periudhe në Shqipëri mësoja në dhomë ku fillova të falë dhe namazet fshehtas tyre. E ata më lejuan të vij sepse menduan se unë kisha hequr dorë.

Unë tani e di që po të shkoj në gusht në shtëpi prapë do fillojnë të njëjtat diskutime, dhe mundësi me i falë namazet fshehtas nuk kam, pasi është verë dhe të gjitha dyert e shtëpisë rrinë hapur, pastaj dhe nuk do arrij dot as të agjërojë për Ramazan.

Nuk e di si veprohet në raste te tilla, pasi jam e bindur që ata jo vetëm që do më pengojnë përsëri, por ka mundësi dhe mos të më lënë më të vij për studime në Itali, gjë që për mua do të thotë jo vetëm ndërprerje e studimeve por kryesorja mos mundësi për të falur namazet.

Unë kam menduar që në gusht mos të shkoj në shtëpi. Disa herë mendoj mos të shkoj në shtëpi derisa ata të heqin dorë nga kundërshtimet e tyre dhe të më lejojnë t’i falë namazet. Unë këtu ku jam studioj dhe punoj dhe nuk është se kam nevojë nga ana financiare që ata të më dërgojnë lekë.
Në këtë rast, a e kam unë të lejuar të shkëputem prej tyre në qoftë se ndeja me ta më detyrohet me mosfaljen e namazeve dhe obligimeve të tjera?

Ma bëni hallall që e zgjata kaq shumë, por mendova se është më mirë t’ua shpjegoja gjërat në detaje.

Allahu ju shpërbleftë!



Përgjigje:

Alejkum Selam ve Rahmetullah!
Motër muslimane!
Shqetësimi i juaj për gjendjen që e përjetoni, padyshim qenka edhe shqetësim i yni për aq sa kemi mundësi të solidarizohemi me ty.
Fillimisht, e lus Allahun Fuqiplotë, që ta forcojë zemrën tënde në Islam, ta shndritë jetën tënde me dritën e Kur’anit, ta lehtësojë sfidën familjare për ta tejkaluar me metodat profetike dhe të ruajë nga rrugët e këqija të dynjasë! Amin!

E rrugës është që të porosis të punoni me familjen në mënyrën më të lehtë dhe më të butë, në sqarimin e përzgjedhjes suaj, shkaqet që të çuan në këtë përzgjedhje si dhe obligimin e përqafimit të Islamit si rrugë e vetme për të shpëtuar nga dënimi i Allahut. Ju thoni se i keni provuar të gjitha mënyrat e komunikimit dhe nuk kanë sjellë dobi, përveç nëse ti heq dorë nga pozicionimi yt.

Nuk lejohet që ju ta lëni faljen e namazit apo agjërimin e Ramazanit për hir të dëshirave të familjarëve. Nuk ka respektim të krijesës në gjërat ku mëkatohet ndaj Krijuesit. Ky është rregull. Por mundohu që nëse e kërkon nevoja, t’i kryeni ritet edhe fshehtas derisa Allahu të bëjë një zgjidhje për ju.


Nuk e di se si ju jetoni në Itali, por nëse jetoni e shoqëruar me vëllanë tënd do të ishte gjithçka në rregull, por nëse jetoni e vetmuar apo pa ndonjë kujdestar, ky do të ishte një problem shtesë, që frikohem se duke e ruajtur namazin, shaminë dhe fetarinë tuaj, të rrezikoni ta humbni nderin, dinjitetin dhe moralin tuaj. Pra, nuk lejohet po ashtu të rrini e vetmuar në vend të huaj, pa ndonjë mashkull të afërm.

Nga përshkrimi i juaj të gjendjes suaj po kuptoj se familja e juaj ju duan shumë dhe kanë dëshirë të jetojnë me ju në mënyrën që ata e shohin më të mirë për jetesë. Mundohen që të mos i dalësh dore nga parimet e jetesës së tyre, që e ushtrojnë për mot. Andaj duhet kuptuar këtë fakt dhe duhet sjell me ta nga këndi i dashurisë që e ushqejnë për ty, dhe kështu me dashuri t’ua sqarosh pozicionin tënd ndaj Islamit dhe ndaj tyre, duke u munduar që mos ta humbasësh as fenë e as familjen. Përndryshe ndërhyrja e tyre në çështje të besimit dhe fesë tënde është shkelje e të drejtave të njeriut dhe çdo ligj në këtë kohë, qoftë ai i Shqipërisë apo tjetri i Italisë do të gjykonte në të mirën tënde.

Mendoj se zgjidhja ideale është që Allahu t’i udhëzojë prindërit e tu në Rrugën e Drejtë. Kjo nuk është e vështirë për Allahun. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë të shikoni mundësinë e martesës me ndonjë djalë të devotshëm mysliman, me të cilin do t’i kultivonit vlerat e mirëfillta islame. Nëse edhe kjo nuk ndodh, atëherë kthehu në familje dhe dialogo me ta me mënyrën më të mirë siç thotë Allahu: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Nahël, 125)

Nëse dialogu me ta është pa rezultate pozitive konkrete, atëherë kërko nga organet e rendit që të dalin në ndihmë për t’i jetësuar të drejtat e tua fetare, pa kërkuar ndëshkimin e familjes.


Por para gjithave, bë dua të vazhdueshme dhe mos u ndal që Allahu t’i udhëzojë familjen tënde në Rrugën e Drejtë dhe ta kaloni këtë sprovë të fillimit tuaj në Islam me notë kaluese dhe komuniko me ta vazhdimisht, pavarësisht qëndrimit të tyre, se komunikimi dhe mirësjellja me ta është obligim i vazhdueshëm për fëmijët edhe nëse ata janë fare jomyslimanë.
Duaja e sinqertë drejtuar Allahut nga robi i sinqertë, bën çudira, andaj mos neglizho në këtë!
Allahu e di më së miri!



                                                      Muhamed Dërmaku
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.