MЁNYRA E ABDESIT

 
Drita e mėsuesit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e martė. 07 prill 2009



"Pyeti dijetarët nëse nuk dini." (En-Nahël: 43).

     






Allahu i Lartësuar thotë në Kur'anin fisnik:

"Allahu i lartëson ata që besuan prej jush dhe i lartëson në shkallë të lartë ata që u është dhënë dije." (El-Muxhadele, 11)

Ndërsa komentin e këtij verseti e ka bërë Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "Dijetarët janë më lart se besimtarët 700 grada dhe ndërmjet gradave distanca është 500 vite."

Të jesh mësues i denjë është diçka e shenjtë, është diçka që s’mund ta bëjë çdonjëri, është diçka që kërkon përkushtim, kujdes në të folur, në të ndenjur, në të vepruar e në arritjen e qëllimeve. Është diçka që kërkon sakrificë, durim dhe vigjilencë, sepse bëma e një mësuesi është drita vezulluese e jetëve të nxënësve të tij, të cilët e pasojnë atë (mësuesin) si dhe e imitojnë çdo veti të tij ashtu siç imiton fëmija prindin e vet.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"Vlera, dallimi e merita e dijetarit mbi të devotshmin është si hëna e plotë ndaj planetëve të tjerë. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve; profetët nuk kanë lënë trashëgim dinar dhe as dërhem, por kanë lënë trashëgim dijen, e kush merr prej saj ka marrë një pjesë të mirë."

Dobitë që sjellë një mësues i përkushtuar janë të shumta. Ato përfshijnë çdo cep të botës. Këtë e dëshmon më së miri urtësia e cila thotë: "Dy kategori prej njerëzve nëse ndreqen, ndreqet i gjithë njerëzimi; e nëse prishen, prishet i gjithë njerëzimi. Këta janë prijësit dhe dijetarët (mësuesit e denjë)."

Edhe pse jemi në një kohë ku teknika dhe teknologjia nuk ndalen së zhvilluari, prapë se prapë nevoja për dijen që buron nga mësuesi është e pashmangshme për gjithsecilin; si për skamnorin e mjerë ashtu edhe për të pasurin që kontoja e tij veç shtohet çdo orë, e edhe për atë të "pasur" e mendjemadh i cili i ndryshon kartat apo medaljet e karakterit moral sipas vendit e kuvendit siç thotë populli.

Sot, mjerisht ka shumë pak prej atyre që prioritet të vetin e kanë dijen dhe marrjen e saj nga mësuesit e sidomos nga mësuesit e denjë të lëmenjve të caktuar qofshin ata edhe mësues të rrafsheve gjithëpërfshirëse.

Nuk themi që numri i nxënësve është i vogël, por themi se numri i studiuesve është i vogël, sepse pjesa dërmuese po mjaftohet me një pjesë të dijes së kufizuar, e pak prej tyre po i hapin rrugët e mundësisë për ta shtuar atë nga këndi gjithëpërfshirës e sidomos nga ai fetar dhe i drejtë.

Arsye është se dëshira dhe dashuria për librin dhe dijen është e zbehtë në të shumtën e rasteve.

S'do mend se për të fituar dije qoftë nga libri, qoftë nga mësuesi nevojitet mund dhe sakrificë e madhe, sepse krahas durimit kërkohet edhe pjekuria e mirësjelljes si dhe lufta me egon (nefsin) në dyluftim me shpenzimet që kërkon marrja e dijes në njërën anë si dhe shpenzimet që kërkohen për nevojat personale në anën tjetër.

E përmendëm jo rastësisht, sepse nga të dy palët; edhe nga mësuesit e edhe nga nxënësit ka sprovë në raportin dhënie-marrje të dijes. Edhe mësuesi që jep ka shpenzime të ndryshme duke u nisur nga koha që i merret po edhe nga nxënësi ka shpenzime sepse buxheti i tij mund të jetë thes i shqyer ose i shtjerrë siç thotë një urtësi shqiptare. Por, në themel, mësuesit duhet të jenë më tolerantë dhe më të gatshëm për problemin në fjalë, sepse janë ata që i ka zgjedhur Zoti për dhënie të dijes së dobishme si dhe janë ata që duhet ta kenë parasysh që të lënë trashëgimtarë të tyre ashtu siç lanë të dërguarit e Allahut trashëgim dijen dhe veprën e mirë.

Si mostër mund të përmendim rastin e Imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë, i cili e konsideroi tejet lart diturinë dhe njëkohësisht e respektoi sakrificën e nxënësit të tij i cili udhëtoi nga Andaluzia e atëhershme për tek Imam Ahmedi në Bagdad. Nuk themi që nuk ka edhe tek ne nga ata të cilët sakrifikojnë për dhënie të dijes, por themi se shumë shpesh janë neglizhentë dhe me këtë japin mundësi të gabimeve tek nxënësit e tyre.

Ndoshta më qartë do ta arsyeton shembullin verseti kur'anor i cili thotë:

"Pyeti dijetarët nëse nuk dini." (En-Nahël: 43).

Jemi të vetëdijshëm se dhënia e dijes dikujt tjetër është xhihad në vete, sepse kjo është një humanitet me peshim të pamasë, sepse ai detyrohet që të kërkojë sa më shumë, që të jep më shumë e ndoshta edhe ta përjetojë ndjeshëm forcën e hadithit i cili thotë:

"Allahu dhe engjëjt e Tij, banorët e tokës e të qiejve, deri edhe milingona në folenë e saj dhe peshku në det, luten për kërkuesit e diturisë.”

Padyshim që secili që ka lindur edhe do të vdes, proces ky i miratuar nga Allahu, por të lindësh për të mos vdekur kurrë është diçka që nuk e arrijnë të gjithë, por që duhet ta synojnë mësuesit. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"Kur vdes biri i Ademit ndërpritet puna e tij përveç tri gjërave:...  dija që përfitojnë të tjerët prej saj..."

Përsëri ai i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"Dynjaja është e mallkuar dhe krejt çka ndodhet në të, përveç përmendjes së Allahut të Lartësuar dhe çfarë lidhet me të, dijetarit dhe nxënësit."

Të parët tanë (selefi) e kanë përjetuar thellë vdekjen e dijetarëve. Për një gjë të tillë,  Ebu Derda është shprehur në mënyrën më të ndjeshme duke thënë: "Vdekja e një fisi të tërë është më e lehtë se vdekja e një dijetari".

Në këtë pohim sigurisht ai e ka futur edhe familjen e tij: nënën, babanë, gruan e fëmijët…

Kjo na shtyn që të bëjmë zigzage në diskutimin bashkëbisedues se ndoshta është koha më e nevojshme që sa më shumë të bëhet shpërndarja e dijes së dobishme. Arsyet për këtë janë të shumta e që s'duan koment, por më së miri për këtë na flet hadithi i cili thotë:

"Njerëzit janë si mineralet, disa janë si floriri e disa janë si argjendi, më i miri prej jush në injorancë (xhahiljet), është edhe më i miri prej jush në Islam nëse pajiset me dije."

Gjithashtu i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

"Të paditurit janë armiqtë më të betuar të dijetarëve."

Lidhur me këtë shtrohet pyetja: si ka mundësi që një mësues të lejojë të ketë armiq për shkak të neglizhencës!?

Mund të themi se sot pa asnjë vështirësi vërejmë se njerëzit për një hiq gjë bëjnë bela e shëmtira sa që për shumë prej tyre mund të pohosh se sikur ju ngjajnë kafshëve të egra me sjelljet ekstravagante .

Jo rastësisht, Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Sikur të mos ishin dijetarët, njerëzit do të bëheshin si egërsira."

Përsëri na vjen një pyetje tjetër: a thua vallë, çfarë mund e duhet të bëjnë ata të cilët janë të dobët nga koeficienti i dijes kur gjinden përballë atyre që ju ngjajnë banorëve të pyjeve të pashkelura? Me çka të mbrohen apo çfarë t’iu thonë?

Muadh Ibën Xhebeli, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Mësojeni dijen pasi mësimi i  saj për hir të Allahut është devotshmëri, kërkimi i saj është adhurim, ekzaminimi i saj është xhihad, të mësuarit atij që nuk e din është lëmoshë, të mësuarit familjes së tij afirmim. Ajo është shoqërues në vetmi."

Për të mos pasur frikë se po shkelim kufijtë e hakut ndaj mësuesve, themi se nuk është e lehtë përhapja e dijes sa kërkohet, por edhe nuk është e parealizueshme e sidomos kur kihet parasysh shpërblimi që mund të merret prej saj (përhapjes së dijes).

Mund ta cekim rastin e Musait kur Allahu e inspiroi duke i thënë:

"O Musa, mësoje të mirën dhe ua mëso atë njerëzve, pasi Unë ua ndriçoj varret mësuesit dhe nxënësit të dijes në mënyrë që të mos ndihen të vetmuar në to."

Për fund, e lus Allahun që të na e shtojë dijen e dobishme, veprat e mira, sinqeritetin dhe devotshmërinë dhe të na bëjë prej të shpëtuarve në të dy botët. Amin!    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.