MЁNYRA E ABDESIT

 
Roli i familjes nė Islam PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 29 nėntor 2006

 

Familja, e cila është epiqendra e shoqërisë, sot, në shumë vende të botës, po shkatërrohet.

Në Islam, jeta familjare është e bazuar në sakrifica, besnikëri dhe bindje. Sistemi i familjes islame i vendos të drejtat e burrit, gruas, fëmijëve dhe të të afërmve në një ekuilibër të përsosur. Ai ushqen tek individi bujarinë, dashurinë dhe sjelljet joegoiste në kuadrin e një familjeje të organizuar mirë. Qetësia dhe siguria e ofruar nga një familje e stabilizuar ka vlerë të jashtëzakonshme dhe është thelbësore për anëtarët e saj. Pa ekzistencën dhe përkrahjen e një familjeje të shëndoshë nuk mund të realizohet kurrë harmonia në një shoqëri.
Familja është sistemi më i vjetër shoqëror, të cilin e ka njohur njerëzimi, sepse ajo arrin deri tek familja e parë e Ademit, alejhi selam, për të cilën deshi Zoti që ajo të ishte bërthamë e tërë shoqërisë njerëzore. Kur’ani tregon për ambientin e qetësisë, prehjes shpirtërore, të mëshirës dhe të dashurisë, të cilën e formon sistemi familjar dhe ai e bën këtë sistem një argument prej argumenteve të urtësisë, të fuqisë dhe të madhështisë së Allahut xhele shanuhu.:
“Dhe nga shenjat (e madhështisë së) Tij është për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji i juaj palën (gratë) ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (30: 31).
Në familje ne lindim, jetojmë dhe vdesim. Prej familjeve të lumtura burojnë rrezet e lumturisë në mbarë shoqërinë njerëzore, kurse fatëkeqësinë e familjeve jo të lumtura e përjetojnë tërë bashkësia. Prej familjes pra, fillojnë themelet e shëndosha ose jo të shëndosha të shoqërisë njerëzore.
J
eta bashkëshortore është themel i familjes, kurse familja themel i bashkësisë njerëzore. Dashuria dhe harmonia në martesë dhe në familje ku çdo anëtar i familjes i përmbush detyrat e tij familjare, është kënaqësi e vërtetë dhe “XHENETI I KËSAJ BOTE”, në të cilën fitohet Xheneti i vërtetë i Ahiretit.
Joharmonia në familje rrjedh nga mungesa e vetëdijes për detyrimet dhe përgjegjësitë ndaj familjes. Shkalla e ulët e edukatës morale, alkooli dhe jobesnikëria bashkëshortore, janë shkaktarët më të shpeshtë për shuarjen e vetëdijes familjare dhe në këto familje shikojmë “XHEHENEMIN E VËRTETË TË KËSAJ BOTE” , në vuajtjet e të cilit fitohet Xhehenemi i vërtetë i Ahiretit.
Jeta bashkëshortore, sipas Islamit, duhet të vendoset në themele të shëndosha, të përforcuara me dashuri e mirëkuptim të bashkëshortëve që shkon në interes të përbashkët edhe të pasardhësve dhe ardhmërisë së tyre të lumtur.
Respektimi i përbashkët i vlerave të martesës dhe besnikëria në mes bashkëshortëve janë elementet kryesore që e fuqizojnë paqen dhe harmoninë në jetën bashkëshortore.Bashkëshorti  është përgjegjës për familjen e tij. Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: “Më i miri (më i dobishmi) prej jush është ai, që është më i miri për gruan (familjen e tij), e unë jam më i miri prej jush për familjen time”.
Ngase, në vullnetin e mirë, në fjalë të bukura dhe në veprime të njerëzishme askush nuk ka më shumë të drejtë se bashkëshortja e ndershme. Muhammedi, alejhi selam, ka thënë: “Kjo botë është kënaqësi dhe kënaqësia më e mirë e saj është gruaja e mirë. Kur e shikon atë, e gëzon, kur e urdhëron e dëgjon dhe, nëse nuk është i pranishëm, ia ruan nderin dhe pasurinë ”. Sepse, bashkëshortja e tillë e çmon bashkëshortin e vet, e çmon punën, mundin dhe kujdesin e tij për familje. Ajo kujdeset për shtëpinë dhe i edukon fëmijët.”
Gjithashtu Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Sjellja pa përgjegjësi ndaj shtëpisë dhe fëmijëve, është mëkat i madh për gruan”, sepse, siç e dimë kjo është detyrë kryesore e saj. Dihet se fëmija ka nevojë të domosdoshme për dashurinë prindërore; ajo e rrit, e frymëzon dhe i jep vullnet atij.
Ajshja, radijallahu anhu, tregon se një rast e ka pyetur Muhamedin, alejhi selam.: ‘Ndaj kujt ka më së shumti detyrime bashkëshortja?’ Ai tha: “Ndaj bashkëshortit”. Pastaj, prapë e pyeta: ‘Ndaj kujt ka më së shumti detyrime bashkëshorti?’ Ai më tha: “Ndaj nënës së tij”.
Këtë hadith të Muhamedit, alejhi selam, mund ta kuptojmë në këtë mënyrë: pasi bashkëshorti angazhohet shumë për sigurimin e bazës materiale të familjes, gruaja detyrohet për kujdesin ndaj tij, ndërsa, nëna, pasi lind fëmijë dhe përjeton  vuajtje të mëdha rreth edukimit të tyre, bijtë detyrohen për kujdesin ndaj saj. Andaj, sipas mundit e kontributit pasojnë edhe meritat.
Hadithi i Muhamedit, alejhi selam, vlen edhe në familjen tonë bashkëkohore-moderne, ku bashkëshortja ndihmon shumë me punën e saj në sigurimin e bazës materiale.
Me qëllim që të mos ketë anarki dhe çrregullim në udhëheqjen e çështjeve të familjes, Islami udhëheqjen ia caktoi burrit. Allahu i Madhëruar thotë: "Burrat janë mbrojtësit dhe mbajtësit e grave, sepse Allahu e ka krijuar njërën palë prej tyre të shquhet mbi tjetrën, e edhe sepse ata shpenzojnë (për t’i mbajtur ato) nga mjetet e tyre të jetesës. Kështu, gratë e drejta janë të bindura me çiltërsi (ndaj Allahut dhe ndaj burrave të tyre) dhe në mungesë të bashkëshortëve të tyre, ruajnë çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (dëlirësinë, ndershmërinë dhe pasurinë e bashkëshortëve të tyre)." (En-Nisa: 34)
Udhëheqja e këtij institucioni dhe mbrojtja e tij i është ngarkuar burrit, pasi ai është më i fortë që të ballafaqohet me vështirësi të ndryshme, me peripecitë e punëve të ndryshme gjatë kërkimit të rrizkut në tokë dhe  sepse burri ka një përvojë më të madhe në njohjen e gjendjes së njerëzve dhe të jetës për shkak të natyrës së krijimit të tij dhe rolit të tij në shoqëri. Kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të kuptohet si sundim apo nënshtrim, por do të thotë sistematizim e radhitje e përgjegjësive.  
Familja është shkolla e parë për edukimin e fëmijëve. Familja e shëndoshë në shpirtin e fëmijës kultivon ndjenjën e dashurisë, respektit, bashkëpunimit, vullnetin e mirë për të tjerët, punën për të mirën e përgjithshme, si dhe sakrificën për hir të parimeve të larta.
Hulumtimet e shumta shkencore vërtetojnë se shumica e atyre që kanë devijuar dhe janë zhytur në rrugën e kriminalitetit, janë ata, që nuk kanë pasur rastin të shijojnë ngrohtësinë familjare, si dhe nuk kanë pasur rast të edukohen me vlerat dhe ndjenjat e jetës së familjes së shëndoshë.
Islami e ndaloi imoralitetin dhe ndërrmori masa të ashpra për ndalimin e tij sepse imoraliteti është sulm i hapur ndaj sistemit të familjes dhe shenjtërisë së saj. Prandaj, martesa është e vetmja mënyrë për kënaqjen e instinkteve seksuale. Kështu, Islami hapi dyert për formimin e familjeve duke iu përgjigjur natyrës së njeriut me të cilën Allahu i krijoi njerëzit. Kur’ani shpjegon se martesa ishte traditë e pejgamberëve:
“Ne dërguam edhe para teje të dërguar dhe atyre u mundësuam të kishin gra e fëmijë…” (13: 38).

Islami e sendërtoi strukturën familjare mbi baza të shëndosha, me qëllim të suksesit dhe vazhdimësisë së saj. Ato janë:

1. Besimi. Me anën e besimit dhe Sheriatit, secili nga bashkëshortët i din të drejtat dhe obligimet e veta dhe ata kanë para vetes një program të qartë për zgjidhjen e problemeve të tyre.

2. Pëlqimi. Pëlqimi i dyanshëm është baza e dytë për formimin e familjes. Martesa duhet të jetë e sendërtuar me pëlqimin dhe pajtimin e të dy palëve, sepse vetëm një martesë e tillë do të jetë e sukseshme.

3. Përgjegjësia e përbashkët. Martesa obligon përgjegjësi të caktuara, të cilat i përkufizon Sheriati.
Islami ndalon rreptësisht çdo përpjekje të jashtme për prishjen e marrëdhënieve midis bashkëshortëve. Për këtë, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk është prej nesh ai, që e largon një grua prej burrit të saj”.


Përgatiti: Fexhrie Kaçiu
 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.