MЁNYRA E ABDESIT

 
Skamja ėshtė derė e hekurt PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 06 prill 2009


Ky organizim përveç që është mëkatim ndaj Zotit, është edhe shpenzim i madh...    



Varfëria është barrë e rëndë për gjithsecilin. Nëse është e pranishme, ajo manifestohet në të gjitha poret e jetës, madje ndikon edhe në kualitetin e jetës sa që nuk i anashkalon as fëmijët të cilët i pret e ardhmja e tyre.

Ndoshta më e rendit do të ishte të diskutonim për varfërinë në përgjithësi, por unë s'do të ndalem në këtë, por do të përqendrohem për vuajtjet dhe pasojat e fëmijëve (nxënësve) të varfër. Sa më i madh të jetë numri i nxënësve të varfër në shkollat tona, para mësimdhënësve paraqiten kërkesa për mbështetje dhe ndihmë atyre fëmijëve respektivisht nxënësve.

Nuk mund ta mohojmë faktin se shkolla dhe mësimdhënësi mund të bëjnë shumë për kompensim mangësie tek fëmijët kur janë në pyetje njohuritë dhe shkathtësitë e tyre, por s'mund e s'bën ta fshehim atë se shkolla dhe mësimdhënësi din ta vënë në pozitë jo të mirë dhe të rëndë nxënësin kur organizojnë mbrëmje të semimaturës e maturës.

Ky organizim përveç që është mëkatim ndaj Zotit, është edhe shpenzim i madh ku shumë prindër ndoshta edhe detyrohen të hyjnë në borxh për t’ua siguruar paratë fëmijëve të tyre. Kjo shumë parash nuk është e vogël siç pohohet nga organizatorët e tyre, sepse në kuadër të këtij shpenzimi hyn edhe përgatitja e nxënësit, konkretisht maturantit dhe semimaturantit, si: blerja e veshmbathjes, rregullimi i flokëve, grimi, etj., gjëra për të cilat aspak nuk është e nevojshme të shpenzohet, sepse ky organizim është diçka që s’ka asnjë vlerë dhe rëndësi, përderisa nuk ka arsye se për çka të festohet, sepse aty "feston" edhe nxënësi shembullor edhe i dobëti besa edhe ai që s’e ka kaluar vitin fare. Kjo me siguri se është diçka që e bën njeriun për të qeshur për shkak se është e pakuptueshme  që organizohet e shpenzohet për gjëra të tilla.  

Kur flasim për varfërinë tek nxënësit, për pozitën e tyre (nxënësve), personelit shkollor i adresohet një përkujdesje e veçantë, sepse qëndrimi zyrtar shoqëror nuk e lejon diskriminimin midis fëmijëve, madje as atë (diskriminimin) psikik, por kërkon mundësi të njëjta zhvillimore për të gjithë fëmijët si dhe respektim të drejtave të tyre për zhvillim të kualitetit jetësor.

Është e vërtetë se lufta dhe varfëria janë indikatorë me ndikim në realitetin jetësor, kurse pozita e fëmijëve nuk përkon aspak me realitetin deklarativ për të drejtat që ju takojnë, dhe ndoshta ata e vuajnë më së rëndi si luftën ashtu edhe varfërinë.

Të fokusuar për problemin akut të varfërisë themi se mësimdhënësi dhe personeli administrativ i shkollës ka disa mundësi për ta zbutur varfërinë tek nxënësit ose për t’i zbehur faktorët e padrejtësive të kushtëzuara që kanë të bëjnë me nxënësin, me qëllim që nxënësi të mos ndihet çdo ditë në dhimbje e siklet. Këtë e themi sepse më së miri e di mësimdhënësi se çfarë janë pasojat e varfërisë tek nxënësit, si dhe atë se varfëria e tyre është e llojllojshme.

Varfërinë e nënkuptojmë të gjithë si: ushqim i dobët ose jo i bollshëm, kushte të dobëta për jetesë, gjendje e dobët shëndetësore si dhe mundësi më të vogla për arsimim dhe avancim të mëtutjeshëm.

Pjesë tjetër e këtij realiteti është edhe ajo se, prindërit e varfër shpeshherë nuk kanë energji të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e fëmijëve të tyre, madje nga gjendja e rëndë sociale që kanë, ata përjetojnë më shumë strese e dhembje dhe e tërë kjo godet pa dhimbje mirëqenien e fëmijës si dhe e ndalon motivimin e tij për të pasur dëshirë për mësim dhe avancim.

Kjo gjendje e rëndë (varfëria) manifestohet edhe në privim të atyre fëmijëve të cilët ia ndalojnë vetes, për shkak që ndihen të turpshëm pse janë të varfër, që të marrin pjesë në ngjarje të suksesshme, si: në aktivitete atraktive sportive dhe në kurse të ndryshme njohurish, me përjashtim të disave të cilët e sfidojnë turpin dhe arrijnë suksese, por numri i tyre është shumë i vogël.

Lidhur me këtë, e vërejmë se në popull është formuar ose krijuar një bindje se në vende garuese duhet të jetë pjesëmarrës vetëm fëmija i familjes së pasur, pa marrë parasysh se di apo nuk di ai fëmijë ose a ka kapacitet që të jetë pjesëmarrës në aktivitete të tilla garuese apo nuk i ka ato. Kjo bindje është e tillë jo për tjetër, por për shkak se mendojnë se me para arrijnë çdo gjë. E ne themi se ai mund të arrijë por a thua sa ka mundësi ta mbrojë me njohuri atë ku ka "arritur"?

Në këtë rast, asgjë s’kemi kundër fëmijëve të familjeve të pasura, sepse në shumë familje të pasura ka fëmijë që janë kapacitete dhe janë shumë të zgjuar, por jemi kundër asaj që të nënçmohet e të nëpërkëmbet fëmija i familjeve të varfra, si dhe apelojmë që t’iu jepet mundësia edhe atyre fëmijëve të varfër që të shpalosin njohuritë dhe shkathtësitë e tyre, si dhe jemi kundër asaj që të mundohen me gjëra të cilat s’ka nevojë të organizohen e që të vihen në siklet vet nxënësit, por edhe familjet e tyre për shkak të kushteve të rënda që kanë, të cilat ua ndalojnë që t’i realizojnë ato gjëra që s’kanë asnjë vlerë të vetme domethënëse, si mbrëmja e maturës apo e semimaturës.


Vështirësitë dhe ndikimi i varfërisë në familje

Padyshim që varfëria është një situatë komplekse e me stres, e cila e godet tërë sistemin familjar. Lufta për ekzistencë, përpjekjet për të mbijetuar, brengat, hallet, vuajtjet e dhimbjet e përditshme të jetës, rrisin tensionin, shtojnë padurimin në familje, saqë nganjëherë kjo gjendje i bën fëmijët të rezistojnë ose edhe të jenë viktima të këtij procesi ose ka raste kur edhe veprohet keq ndaj tyre.

Gjendja e varfërisë e imponon ndjenjën tek të varfrit, se ata nuk mund ta udhëheqin jetën e tyre vet, sepse ata varen nga të tjerët, se fati i tyre varet nga të pasurit saqë ata (të varfrit) ndihen të ndrydhur nga çdo rrethanë jetësore. Gjithashtu kjo gjendje ndikon me të madhe edhe në zvogëlimin e energjisë për jetë dhe për shtimin e përpjekjeve për të ndryshuar rrethanat jetësore dhe mposhtjen e vështirësive.

Në kuadër të gjithë këtyre problemeve, varfëria te fëmijët mund të ndikojë edhe  në pamjen e tij, sepse ai ka një veshmbathje e cila dallon dukshëm nga shtresa tjetër, por edhe pamja e tij fizike është e verdhë (e zbehtë).

Këta fëmijë e ndalin veten nga përzierja me familjet ku dominon bota materiale dhe luksoze, ata e përjetojnë veten dhe prindërit e tyre si shtresë e rangut shumë të ulët, saqë nuk kanë guxim as t’i shprehin njohuritë dhe shkathtësitë që kanë, për shkak se ndihen keq pse janë të varfër.

Krahas gjithë këtij kaosi dhe këtyre problemeve të cilat i sjellë varfëria në familje, saqë shpesh e humb edhe autoritetin e prindërve tek fëmijët për shkak se ata s'mund t'ua realizojnë kërkesat e fëmijëve të tyre, në kohën e sotme ekzistojnë shërbime të shumta si dhe mundësi për t'iu ndihmuar këtyre rasteve. Si shembull konkret dua të shkoqis e të vë në vëmendje grumbullimin e një shume të konsiderueshme parash, të cilat mblidhen për mbrëmje të semimaturantëve dhe maturantëve, mbrëmje këto pa asnjë vlerë domethënëse, përkundrazi, vetëm shpenzim i madh së koti dhe i garantuar në mëkat.

Përderisa realiteti i tyre është kështu, a nuk do të ishte diçka humane, e dobishme, e vlefshme, lakmuese, inspiruese dhe për t’u krenuar për të gjithë ata që kanë qëllim që me këto shuma të majme parash të ndërtohet një shtëpi e vogël modeste për një familje që s’ka strehë mbi kokë, ose të ushqehen e të vishen e mbathen disa familje që s’kanë me çka ta njomin kafshatën e bukës, ose të ndihmohet ndonjë skamnor hallexhi për t’u shëruar për shkak se lëngon nga sëmundja e rëndë por që ka shërim, vetëm se i mungojnë mjetet financiare për t’u shëruar.

Mendja e kthjellët, vigjilente, e mençur dhe e ndritur nuk do ta humbte një shans të tillë human dhe bamirës, ngaqë vetëdijesohet se një mbrëmje e tillë çoroditëse shkon e harrohet si diçka e pa qenë kurrë, kurse ndihma një të varfëri do t’i jetë gjithmonë fotografi e gjallë para vetes, madje bëhet inspiruese edhe për iniciativë të mëtutjeshme.

Andaj dyert e hekurit t’i bëjmë nga druri, ngaqë në atë shoqëri ku ka më pak probleme, ka gëzime, kënaqësi, nder dhe respekt.

Dhe në fund, lus Zotin që ta udhëzojë popullin tonë dhe ta bëj të vetëdijshëm për gjëra të mbara! Amin!  

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.