MЁNYRA E ABDESIT

 
Pėrputhja e punėve tė gjymtyrėve me punėt e zemrės PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte. 24 nėntor 2006


Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Vërtetë Allahu i Lartësuar nuk shikon trupat tuaj dhe format tuaja por shikon zemrat tuaja dhe punët tuaja.” (Transmeton Ebu Hurejra).


Kjo do të thotë se ka një lidhshmëri ndërmjet punëve të zemrës dhe punëve të gjymtyrëve dhe kjo lidhje është e pashkëputshme.
Ibnu Rexhepi, Allahu e mëshiroftë, ka dhënë një shembull për të treguar lidhshmërinë ndërmjet punëve të gjymtyrëve dhe punëve të zemrës. Ai ka thënë: “Zemra për gjymtyrët është si mbreti prej gjymtyrëve kurse gjymtyrët janë ushtarët, por këto gjymtyrë janë ushtarë të respektueshëm dhe të bindshëm ndaj mbretit të tyre.” 
Kjo do të thotë se punët e gjymtyrëve shkojnë në përputhshmëri me punët e zemrës.
Zemra në krahasim me organet e tjera të trupit është si sundimtari – komanduesi, në mesin e ushtarëve, të gjitha ato marrin urdhër nga ajo dhe ajo i angazhon të veprojnë si dhe ku dëshiron ajo. Të gjitha ato dëshirojnë t’i shërbejnë dhe t’i binden – varësisht si vepron ajo – me drejtësi ose pa drejtësi. Të gjitha shkojnë pas saj për t’i lidhur ose zgjidhur fijet e veprimeve. Nëse zemra ka dashuri ndaj All-llahut të Lartësuar atëherë edhe punët e gjymtyrëve do të shkojnë në atë me çfarë është i kënaqur All-llahu, dhe e kundërta nëse komanduesi (mbreti) urdhëron për diçka të keqe atëherë edhe gjymtyrët shkojnë kah punët e këqija.
Prandaj, zemra është komanduesi i organeve të tjera, të cilat i zbatojnë ato që urdhëron ajo dhe punojnë atë që u ofron ajo.

Ibadetet trupore kanë rëndësi të madhe. Ato janë rukne - pjesë kryesore të Islamit, argumente të imanit dhe shenjë e qartë që tregon dhe prezenton Islamin e bukur të njeriut, por, e gjithë kjo nuk pengon që ibadetet e zemrës të jenë më të lartësuara, më me ndikim dhe në praktikim më të vlefshme, sepse zemra është ajo e cila gëzohet kur i afrohemi Allahut, subhanehu ve teala, ajo është e nënshtruar ndaj Tij dhe ajo i jep dritë ibadetit nëpër tërë trupin.
Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur pakësohen punët e gjymtyrëve kjo do të thotë se është pakësuar edhe besimi në zemër”. Nuk mund të mendohet një njeri i cili e ka besimin e plotë kurse punët i ka të mangëta, përkundrazi, nëse njeriu i ka punët e mangëta atëherë edhe besimin e ka të mangët. Njerëzit do të shkojnë në Xhenet apo në Xhehenem varësisht nga punët e tyre. Punët e gjymtyrëve janë argument për atë që gjendet në zemër.

Ndërsa, ibadetet e zemrës i lëvizin dhe i nxisin organet për të vepruar. Sa më e madhe të jetë bindja dhe dashuria ndaj Allahut, subhanehu ve teala, në zemër aq më e madhe do të jetë nxitja dhe iniciativa e ibadeteve trupore. Nëse zemra e njeriut është e nënshtruar ndaj Allahut, atëherë, ai i kryen ibadetet trupore siç janë: namazi, agjërimi, etj. Por, nëse zemra e tij është e padëgjueshme edhe ibadetet e tij do të dobësohen kurse trupi do të bëhet i ngadalshëm dhe përtac.

Ibadetet e zemrës i pasurojnë ibadetet trupore. Ibadetet e zemrës i zbukurojnë dhe i stolisin ibadetet trupore, prandaj është dallim i madh në mes të namazit të njeriut, zemra e të cilit është e përulur dhe namazit të atij, zemra e të cilit nuk është e këtillë. Ibadetet e zemrës janë themel dhe bazë për shpëtim prej zjarrit dhe garancë për hyrje në Xhenet. Këtu bën pjesë teuhidi - besimi në njëshmërinë e Allahut (dhe ky është ibadet ekskluziv i zemrës), dashuria ndaj Allahut, malli për Të, mbështetja në Të, të drejtuarit Atij,  kërkimi i ndihmës prej Tij, poashtu, edhe të mos u dëshirosh të keqen dhe të mos u bësh keq muslimanëve në asnjë mënyrë.
Zemra është ajo që e njeh Allahun, subhanehu ve teala, lakmon kah Ai, kurse të gjitha organet e tjera e pasojnë dhe i shërbejnë asaj.
Të parët tanë të mirë – selefët kanë arritur sukses të madh me bukurinë dhe madhërinë e ibadeteve dhe virtyteve të tyre të zemrës, dhe me këtë janë dalluar prej të tjerëve.

Prandaj, nuk mjaftojnë vetëm punët e gjymtyrëve pa pasur besimin në zemër sepse  mungesa dhe gjymtësia e ibadeteve të zemrës njëkohësisht i shkatërron dhe i zhvlerëson ibadetet trupore. Mungesa e sinqeritetit, për shembull, sjell deri te mosbesimi ose hipokrizia, e që i shkatërron ibadetet trupore në tërësi, gjithashtu, nuk mjafton vetëm besimi në zemër pa punuar me gjymtyrët, si për shembull: namazi, agjërimi, etj. Punët e gjymtyrëve janë argument për atë se çfarë gjendet në zemër. Kjo është për shkak se besimi i njeriut përbëhet nga katër gjëra: thëniet e zemrës, punët e zemrës,
thëniet e gojës dhe punët e gjymtyrëve.
Prandaj, besimi i njeriut është ai i cili ndodhet në zemër dhe e vërtetojnë punët e tij.

Përgatiti: Blerta Shaqiri
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.