MЁNYRA E ABDESIT

 
Tė bėsh mirė ėshtė lehtė, tė jesh i sinqertė ėshtė vėshtirė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 23 mars 2009

Në vend se të nisnin shkollat tona të merrnin edhe mësuesin teolog (mësuesin e besimit), ato sikur shprehin gatishmëri për largim...

  



Nuk do të diskutojmë as për sinqeritetin e as për mirësinë, por për një gjë e cila po të vihet në peshojën e respektimit të drejtave të tjetrit do të dëshmojë vlerat e të dyjave: mirësisë dhe sinqeritetit.

Çdo reformë e re në çdo sferë është këndellje e situatës gjegjëse të atij njeriu apo asaj shoqërie, si në aspektin emocional ashtu edhe në aspektin e veprimtarisë së tij për shkak se e largon nga rutina apo edhe nga pushtimi i pasivitetit të tij.

Është fare e kuptueshme se pikërisht reformës i kushtohet rëndësi, sidomos në arsim ku përgjithësisht i kushtohet vëmendje e shtuar. Posaçërisht në vitet e fundit pareshtur është folur e është shkruar për këtë proces si një rrugë drejt avansimit dhe ngritjes cilësore të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ç'është e drejta, në këtë rrugë, jo rrallë fitohet përshtypja sikur është harruar një segment tjetër shumë i rëndësishëm. Kjo përshtypje fitohet së paku mbështetur në atë që thuhet dhe që organizohet për reformën.
Tani, kur bëhet fjalë për reformën në arsim (ndonëse nuk po vihen të gjitha në praktikë ose sikur nuk po përdoret kjo sintagmë), s'ka si të mos bëjë njeriu një analizë, qoftë edhe përciptazi, të faktorëve që pak a shumë e ndihmojnë, mundësojnë, do të thoshim, edhe e kushtëzojnë reformën. Fjala vjen, shkollat tona kurrë nuk kanë arritur të kenë një shërbim të mirëfilltë psikologjik-pedagogjik, i cili do të merrej me analizën dhe studimin e të gjitha ecurive në procesin edukativo-arsimor.
Më shumë se kaq, të rëndon fakti se pas luftës së fundit, në vend që të kompletohej gjysmëshërbimi që ekzistonte nëpër shkolla, ai u shua fare. Në vend se të jenë funksionarë ende pedagogët dhe mjekët, ata më nuk zënë vende në shkolla.
A thua, si mund të merret me mend një qëndrueshmëri e proceseve, nëse nuk sigurohet një mbështetje profesionale? Në vend se të nisnin shkollat tona të merrnin edhe mësuesin teolog (mësuesin e besimit), ato sikur shprehin gatishmëri për largim e diskriminim ndaj nxënëseve të cilat duan ta praktikojnë besimin e tyre. Një gatishmëri të tillë edhe më të rëndë po e shprehin edhe ndaj atyre mësueseve të cilat largohen nga vendet e punës pa asnjë diskutim, vetëm e vetëm pse e zbatojnë një rregull fetar për to - vënien e mbulesës islame.

Vallë, çfarë reforma mund të jenë këto dhe me cilin vend të botës krahasohen për diskriminime të tilla, dhe çfarë drejtësie gjinore po servohet te ne!?
Në vend që të zë vend meritor edhe mësim – besimi nëpër shkollat tona, për hir të asaj se ende janë kohë dhe vite të vështira ku ende po shpërfaqen traumat e viteve trishtuese të përjetuara në luftë, si dhe si pasojë e mos edukimit të të rinjve si duhet, po e gjejmë prezente në ta alkoolin, drogën dhe imoralitetin (për të mos thënë prostitucionin për shkak të koeficiencës së shumicës injorante), kjo lëndë shihet me një sy injorues. Nuk e mohojmë faktin se, edhe pedagogu, sociologu e mjeku janë më se të nevojshëm për këto shërbime, por themi se krahas tyre rol të madh zë e luan edhe lënda e mësim-besimit. Madje, me plot bindje dhe përgjegjësi e themi se kjo lëndë mundet dhe ka aftësinë e forcës së asaj që ta zëvendësojë edhe psikologun edhe sociologun në komunikim me nxënësin.

Më habit fakti se, si ka mundësi që të heshtet përballë të gjitha këtyre krajatave të së përditshmes në tranzicion, e cila nuk po shpreh mëshirë por po gëlltitë çdo ditë nga një gjah të saj, kurse ngritet zë e ndërtohen mënyra kurthash ndaj intelektualëve besimtarë të cilët mundohen e përpiqen që sa më shumë ta largojnë të keqen nga shtresa e atyre të rinjve të cilët janë futur në llumëra injorancash.

Nuk themi se vetëm vendi ynë po ballafaqohet me devijime të një grupi të rinjësh, një problem i tillë ekziston në tërë botën, gjë për të cilën vendet e zhvilluara organizojnë aktivitete të ndryshme kreative për t'i larguar sa më shumë adoleshentët dhe delikuentet e tyre nga e keqja, por siç dihet në mënyrë reale, ata janë shumë më tepër  në numër popullsie, si dhe nuk kanë patur vite të hidhura pushtimi e lufte siç ka patur populli ynë, nga të cilat vite ende po ekzistojnë edhe shfaqen gjurmët pa asnjë problem.

Jemi në dijeni se, Evropa ka hyrë në mënyrë të padiskutueshme në Epokën e Dijes, me gjithçka që nënkupton kjo për jetën shoqërore dhe kulturore. Një rrugëtim të tillë po e pretendon edhe populli ynë për t'u futur në të, përmes reformave të mësuarit, të jetuarit e të punuarit, por si duket është larg, sepse duhet të bëhen ndryshime individuale e shoqërore, si dhe të bëhen përshtatje të këtyre ndryshimeve në funksion të rritjes së mirëqenies dhe kualitetit të jetës për të gjithë.

Meqë në Kosovën tonë të sotme jetojmë në një botë socio-politike komplekse, më shumë se kurrë, të gjithë pa dallim posti e etnie duan ta planifikojnë jetën e tyre. Por, duhet të mësohemi të gjithë se duhet të jemi të ditur për të jetuar pozitivisht në këto shumëllojshmëri gjuhësh dhe kulturash, dhe të dimë ta respektojmë të drejtën e tjetrit qoftë në anën kulturore qoftë në atë fetare, e jo të bëhet padrejtësi e shkelje e të drejtave, sepse përndryshe kjo e ashtuquajtura reformë, qoftë reformë në shoqëri, qoftë reformë në arsim në të cilën jemi tani, askund nuk do të na shpie përveç se në këtë lënie-ngecje ku edhe jemi.

Nëse duam integrim në atë Evropën e Dijes, duhet të respektohen të drejtat e gjithësecilit e sidomos ato në arsim për mësimdhënie e mësimnxënie edhe të atij arsimimit religjioz, për arsye se, Arsimi, në kuptimin e tij më të gjerë, është çelësi për të mësuar e kuptuar se si përballohen këto sfida të integrimeve të larta, si dhe, si do të arrihet standardizimi i vlerave dhe kreativiteti në përmirësimin e jetës dhe ecja në hap me ndryshimet që po ndodhin në botë.
    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.