MЁNYRA E ABDESIT

 
Haxherja, simbol i durimit dhe i sakrificės PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Eglantina Muēa   
e martė. 21 nėntor 2006

 

 
Festa e Kurban Bajramit na sjell ndërmend sakrificën e familjes së Ibrahimit alejhi selam, e cila përfaqëson shembullin e nënshtrimit ideal ndaj Zotit, siç udhëzon edhe Kurani Famëlartë: “O ju që besuat, hyni në Islamin e tërësishëm (përqafojeni fenë islame në tërësi), ...” [Kuran, 2: 208]Kurban Bajrami është një festë e cila sjell gëzim dhe hare. Por në të vërtetë ajo vjen pas një sakrifice. Kjo festë lidhet ngushtë me një ngjarje të veçantë si haxhi, me një qytet të veçantë si Meka dhe me një familje të veçantë si ajo e Ibrahimit alejhi selam.
Është e zakonshme që të kujtohet sakrifica e Ibrahimit dhe e Ismailit, paqja qoftë mbi ta, por le të ndalemi pak edhe te Haxherja (Allahu qoftë i kënaqur me të), gruaja e Ibrahimit dhe nëna e Ismailit, te kjo grua dhe nënë shembullore.

Haxherja, bashkëshortja e Ibrahimit alejhi selam, ishte një grua e bindur në njëshmërinë e Allahut të Lartësuar dhe e dëgjueshme ndaj burrit të saj. Ajo iu bind pa hezituar urdhrit të Zotit për të shkuar bashkë me foshnjën e saj në luginën e shkretë dhe shterpë të Mekës. Në atë kohë Meka ishte ende e pabanuar. Kur Ibrahimi alejhi selam i la Haxheren dhe Ismailin në atë vend të shkretë, ajo e pyeti: 'O Ibrahim! Ku po shkon, a po na lë në këtë luginë ku nuk ka asnjë njeri dhe asgjë për të jetuar?' Ajo ia përsëriti pyetjen shumë herë atij, por ai nuk i kthente përgjigje. Më pas ajo e pyeti: 'A të ka udhëzuar Zoti të veprosh kështu?' Ai u përgjigj, 'Po.'... [Sahih Buhari, volumi 4, nr. 583, Libri i Profetëve]
Kjo përgjigje mjaftonte për të, pasi e dinte se ky ishte plani i Allahut të Madhëruar. Dhe ajo atëherë tha: “Zoti nuk do të na braktisë.”
Pas largimit të Ibrahimit alejhi selam, ushqimi dhe uji që ai u kishte dhënë u harxhuan, kurse Meka ishte vend i pabanuar. Zoti i Madhëruar e vuri Haxheren para një sprove të madhe. Situata në të cilën ndodhej ajo dhe foshnja e saj ishte tepër e rëndë. Në atë luginë të pabanuar, pa bukë dhe pa ujë, pa mbrojtje e strehim, nënë Haxherja besoj se duhet të jetë ndier e vetmuar, e pikëlluar e ndoshta edhe e trembur. Dielli i nxehtë e përvëlues binte mbi të dhe fëmijën që ajo mbante në krahë. Në atë shkretëtirë të shkretë nuk gjendej asnjë shtëpi, asnjë burim uji, asnjë hije peme. Asgjë!
Ismaili i vogël nisi të qajë dhe bashkë me të qante edhe zemra e nënës. Nënë Haxherja duhet të gjente ujë sa më parë. E shqetësuar, por pa e humbur besimin dhe nënshtrimin e saj total ndaj Zotit dhe e bindur në ndihmën e Tij, ajo filloi të kërkonte ujë për fëmijën e saj dhe për veten. Haxherja nisi të vraponte mes kodrave për të gjetur ndonjë oazë. Vrapoi drejt njërës kodër, por nuk pa asgjë. Vrapoi te tjetra, por edhe aty asgjë. Ndërkohë e qara e Ismailit ia therte zemrën. Ajo u kthye te fëmija për ta qetësuar, por e habitur e pa duke goditur rërën me këmbët e tij të vogla. Dhe ndihma e Allahut të Madhëruar erdhi. Zoti bëri që nga thellësitë e kësaj toke të thatë e pajetë të buronte uji i Zemzemit. Pas vështirësisë, për Haxheren dhe Ismailin e vogël erdhi lehtësimi.
Menjëherë ajo e falënderoi Allahun e Madhëruar dhe i dha fëmijës për të pirë. Ai pushoi së qari dhe u qetësua. Pak më vonë aty erdhi edhe fisi i Xhurhumëve, të cilët kishin parë zogjtë duke fluturuar drejt luginës dhe e kishin kuptuar se aty kishte ujë. Ata kërkuan leje për t'u vendosur aty dhe gradualisht Meka u bë një vend i populluar. Më vonë Ismaili alejhi selam do të bëhet paraardhës i fiseve nomade arabe, të ndarë në disa fise.
 Ibrahimi alejhi selam u kthye pas disa vitesh në Mekë dhe bashkë me Ismailin e rritur ndërtuan Qaben e shenjtë. Por sprova e familjes së Ibrahimit nuk përfundon këtu.
Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti?” Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!” [Kuran, 37:102]
Ibrahimi alejhi selam, babai që iu bind urdhrit të Allahut, e mori djalin e tij dhe e çoi në kodrën Merva pranë Qabes dhe e shtriu në tokë. Ai ishte i gatshëm ta sakrifikonte. Në të njëjtën kohë, dhimbja e nënës ishte edhe më e madhe, por besimi i saj në Zot e bënte atë ta duronte këtë dhimbje së bashku me peshën e madhe të mendimit se djalin e saj të vetëm e priste vdekja.
E kur ata të dy iu dorëzuan urdhrit të Zotit dhe e përmbysi atë në fytyrë (në ballë). Ne e thirrëm atë: “O Ibrahim!” Ti tashmë e zbatove ëndrrën! Ne kështu i shpërblejmë të mirët! [Kuran 37: 103-105] I kënaqur me Ibrahimin alejhi selam dhe me nënshtrimin dhe dashurinë e tij të thellë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi atë që të sakrifikonte një kafshë, ashtu siç bëjnë sot haxhilerët në haxh dhe muslimanët në të gjithë botën për Kurban Bajram.
Kjo na bën të kuptojmë se Allahu i Lartësuar nuk donte të sakrifikonte Ismailin, por të vinte në provë Ibrahimin alejhi selam dhe bashkë me të edhe Haxheren, e cila e kishte rritur Ismailin me shumë mundime, larg burrit dhe familjes së saj. Por ajo që u sakrifikua ishte dashuria e madhe e prindërve për Ismailin, ndërsa Ismaili mbeti gjallë. Allahu i Madhëruar e ngriti familjen e Ibrahimit në piedestalin më të lartë. Ibrahimi alejhi selam si baba u sprovua me sakrifikimin e djalit, Ismaili ishte vetë sakrifica, kurse Haxherja u sprovua me humbjen e fëmijës së saj të vetëm.
Sakrifica e madhe e Haxheres na mëson se jeta e secilit prej nesh është dhuratë nga Zoti dhe se duhet jetuar sipas vullnetit të Tij. Allahu në Kuran thotë:
Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)! [Kuran 6: 162-163]
Kurban Bajrami na kujton në ditët e sotme sakrificën e kësaj familjeje të nderuar, kësaj familjeje (të nënshtruar) muslimane. Kjo familje nuk u hamend kurrë në dhënien e përgjigjes së duhur ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar. Ashtu si Ibrahimi dhe Ismaili alejhi selam, edhe Haxherja nuk vuri asgjë para dëshirës së Allahut, duke pranuar me gjithë zemër sprovën që iu dha dhe duke e kaluar atë me sukses.
Duke e bërë ecjen mes Safasë dhe Mervas një pjesë të haxhit, Allahu i Lartësuar ka nderuar edhe Haxheren. Nuk duhet të harrojmë se këto dy kodra janë të njëjtat kodra mes të cilave Haxherja vrapoi e dëshpëruar për të gjetur ujë për foshnjën e saj, Ismailin
.
”Safa dhe Merva janë nga shenjat (për adhurim) e Allahut, e kush e mësyn shtëpinë për haxh
(Qaben për haxh) ose për umre (vizitë jashtë kohës së haxhit), nuk është mëkat për të t'i vizitojë ato të dyja (të ecë në ato dy vende). E kush bën ndonjë të mirë nga vullneti (jo obliguese), s'ka dyshim se Allahu është Shpërblyes i Gjithëdijshëm." [Kuran, 2:158]
Edhe sot uji i Zemzemit freskon haxhilerët që shkojnë në Mekë. Gjatë bërjes së sajit (ecjes mes Safas dhe Mervas) ata sjellin ndërmend historinë e Haxheres, kur ajo kërkonte ujë për fëmijën e saj. Haxhilerët kujtohen për familjen e Ibrahimit alejhi selam edhe atëherë kur therin një dash për Kurban Bajram.
Por historia e Haxheres gjithashtu na bën të pyesim veten: A jemi ne të gatshme të sakrifikojmë për hir të Allahut?
Sot nuk kemi nevojë të bëjmë kurban fëmijët tanë si Haxherja, por nën “thikën e kurbanit” duhet vënë egoizmi, mendjemadhësia, përgojimi, smira, zilia, ambicia për karrierë në dëm të fesë si dhe shumë e shumë vepra të tjera që na largojnë nga mëshira e Allahut të Lartësuar.
Duke shpresuar që sakrifica e Haxheres dhe e familjes së Ibrahimit të bëhen për ne shembuj të bindjes dhe nënshtrimit ndaj Allahut të Lartësuar, e lusim Atë që ky Kurban Bajram të jetë plot bereqet për të gjithë muslimanët e muslimanet në botë.


*Ky artikull u botua për here të parë në numrin 46 të revistës “Argumenti”.

 

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.