MЁNYRA E ABDESIT

 
Tė shikuarit e Allahut nė botėn tjetėr PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e enjte. 16 nėntor 2006


“Secili prej jush do t’a shohë Allahun në ditën kur ju do të takoheni me Të, e nuk do të ketë midis Atij dhe jush as perde e as ndërmjetës.” (Buhariu)


Shikimi i Allahut prej njeriut është një shpërblim i veçantë për banorët e Xhenetit. Ky shpërblim në vetvete është kënaqësia më e madhe nga kënaqësitë që Allahu do t’u japë trashëguesve të kopshteve të Xhenetit. Allahu thotë në Kur’an: “
Aty ata kanë çfarë të dëshirojnë e te Ne kanë edhe më shumë.” (50: 35)

Transmetohet se dy nga shokët më të shquar të Profetit, alejhi selam, Ali ibn Ebu Talibi dhe Enesi, kanë shpjeguar se pjesa e ajetit: “…e te Ne kanë edhe më shumë”,  është shikimi i Allahut prej njeriut.
Ata do ta shikojnë Allahun gjatë Ditës së Gjykimit dhe pas hyrjes në Xhenet ashtu siç dëshiron Ai.
Ai do të jetë një shikim real që i përshtatet vetëmse Allahut. Kur xhenetlinjtë do të vendosen në Xhenet, atyre do t’u thuhet: “O banorë të Xhenetit! Keni takim me All-llahun. Ai do nga ju që ta mbushni! Do të thonë: E çka është ajo (aq e rëndësishme)? A nuk na ke ndriçuar fytyrat, veprat na bëre të rënda në mizan (peshore), në Xhenet na ke futur dhe nga zjarri na ke shpëtuar!? Atëhetë Ai do ta heqë mbulesën e Tij dhe ata do të shikojnë në Të. Asgjë më e mirë nuk do t’u jepet sesa shikimi në Të. Kjo është shtesa që do t’u jepet.” (Transmeton Muslimi)

Prandaj, besimtarët do ta shikojnë Zotin e tyre në botën
tjetër me sytë e tyre, ata do ta vizitojnë atë dhe do t’i flasin. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara) që Zotin e tyre e shikojnë.” (El-Kijame: 22-23)
Gjithashtu, All-llahu thotë: “
Jo dhe jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta shohin) Zotit të tyre.” (Mutafifin: 15)
Shikimi i Allahut në këtë botë është i pamundur dhe për këtë kemi argument thënien e Allahut, xhele shanuhu, për Musain alejhi selam kur ai (Musai) i kërkoi shikimin e Tij: “
Nuk do të më shikosh”. (El-Araf: 143)

Ka një numër shembujsh në Kur’an ku Allahu na ka treguar se njerëzit do ta shikojnë Atë në jetën tjetër. Duke përshkruar disa prej ngjarjeve që do ndodhin në Ditën e Ringjalljes, Allahu thotë: “
Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara).” Që Zotin e tyre shikojnë.” (75: 22-23)
Profeti, alejhi selam, na ka dhënë shpjegime të mëtejshme për këtë ngjarje: “Sahabët e kanë pyetur Profetin, alejhi selam, duke i thënë: ‘A do ta shikojmë Zotin tonë në Ditën e Gjykimit’? Profeti, alejhi selam, është përgjigjur: “A ndieni vështirësi në shikimin e hënës, natën kur ajo është e plotë, duke mos pasur pengesë ndërmjet jush dhe asaj?” U përgjigjen: ‘Jo’. Profeti, alejhi selam, përsëri tha: “A ndieni vështirësi në shikimin e diellit në mesin e ditës?” U përgjigjën: ‘Jo.’ Atëherë, Profeti, alejhi selam, tha: “Vërtetë, kështu do ta shikoni Zotin tuaj.” (Transmetoi Ebu Hurejra)
 D.m.th. ashtu siç e shikoni në të vërtetë hënën, natën kur ajo është e plotë, apo siç e shikoni diellin në të vërtetë, kështu do ta shikoni edhe Zotin tuaj në të vërtetë. Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç e shihni këtë hënë tani, duke mos  rrezikuar ju nga të shikuarit e Tij.” Hadithi është i vërtetë, e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ky krahasim është në formën se si do të shihet e jo krahasim i All-llahut të Lartësuar dhe hënës, pasi Ai është i pastër nga të metat dhe nuk i gjason askush.

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Ai që mohon shikimin e Allahut nuk meriton ta shikojë Allahun në Ditën e Gjykimit. Allahu na ka treguar në Kur’anin fisnik se do ketë njerëz që do ndalen nga një shikim i tillë: “ Sigurisht që ata (keqbërësit) do të mbulohen ( që të mos shohin dot) atë ditë, nga të parët Zotin e tyre.” Ky ajet ka për qëllim mohuesit, prandaj, Allahu i Madhëruar i ndaloi nga shikimi i Tij për arsye të zemërimit ndaj tyre.
Gjithashtu, All-llahu thotë: “
Jo dhe jo! Atë ditë do të jenë të penguar prej (ta sohin) Zotit të tyre.” (Mutafifin: 15)
Nga ky ajet kuptojmë se derisa All-llahu do t’i pengojë atë ditë ta shohin Atë për shkak të hidhërimit ndaj tyre, atëherë, nënkuptohet se besimtarët do ta shohin Atë. Kur Allahu mbulon shikimin e gjynahqarëve për ta parë atë, kjo tregon se të pastërtit do ta shikojnë, përndryshe, nuk do të kishte dallim midis dy grupeve. Dijetarët e hershëm kanë rënë dakord njëzëri se besimtarët do ta shikojnë Allahun e Lartësuar e jobesimtarët nuk do ta shikojnë Atë.
 Prandaj, mirësia më e madhe që do të shpërblehet njeriu me të është të parët e All-llahut, xhele shanuhu, prandaj, Resulull-llahu, aeljhi selam e bënte këtë lutje: “Të lus që të ma mundësosh kënaqësinë e shikimit në fytyrën Tënde.” (Nesaiu, Ahmedi). Tha: “Kënaqësinë e shikimit”, sepse në këtë shikim ka një kënaqësi të madhe, të cilën nuk mund ta kuptojnë askush përveç atij që do ta përjetojë me mirësi dhe nder nga All-llahu, xhele shanuhu.
Lusim Allahun e Madhëruar që të jemi prej atyre!


Përgatiti: Blerta Shaqiri

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.