MЁNYRA E ABDESIT

 
Vetėm 23 vjet jetė thirrje, deri nė kataklizėm tė kozmosit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 03 nėntor 2008

Ky njeri me vetëm 23 vitet e tij kontribut me inspirimet e tij hyjnore e tundi dhe po e tundë botën që ta kuptojë të vërtetën dhe të shpëtojë nga humbja e injorancës.

 

 
 


Posa të përmendet emri i Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, jo vetëm tek besimtarët e besimit islam, por në gjithë botën intelektuale duke u nisur nga populli ynë e më gjerë, të cilët kanë sadopak njohuri për historitë botërore, na sillet në mend një histori e bujshme dhe krenare e plot elan e krijesës më të dashur dhe më të përzgjedhur nga mbarë njerëzimi, i cili ka një personalitet shumë të veçantë dhe dominues, e të cilin personalitet e karakterizojnë vetëm faktorë të mirë, si: morali i lartë, besnikëria, sinqeriteti, mishërimi me të tjerët në hallet e dertet e tyre, fisnikëria, bujaria, etj.

Të gjithë këta faktorë që u përmendën e që ka edhe shumë të tjerë të cilët s’i kemi përmendur, padyshim se i ka pasur dhuratë nga Zoti i Madhëruar dhe në krye mençurinë (të kultivuar mirë dhe pa asnjë mangësi) ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka shfrytëzuar ashtu si duhet, duke punuar me mend, rend e urtësi në gjithë veprimtarinë e tij. Kështu që, pasi u pajis dhe u brumos me dije nga burimi i  pashtershëm, Kur’ani famëmadh, në moshën e tij 40 vjeçare, një moshë kur njeriu piqet dhe kalitet për të përballuar sfida të ndryshme të jetës, iu rrek me një përkushtim të denjë thirrjes në Rrugën e Drejtë, e cila të shpie në piedestalet më të larta.

I Dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që nga viti 610, erdhi dhe mbeti më i zgjedhuri nga të zgjedhurit e Zotit me një mision shumë të qartë, mision i cili thirr në besim të kulluar në një Zot të vetëm. I Dërguari i Zotit (Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) fillimisht selinë e pati në Mekën e bukur prej ku filloi që të shpalosë faqet e obligimit të tij, e më pastaj u shpërngul në Medinën e ndritshme.

Ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte kudo ku e kërkonte nevoja, si një mësues, këshillues, udhërrëfyes e bujar, i cili shërbeu në një kohë shumë të ndërlikuar dhe të rëndë. Nga urtësia e tij që kishte, asnjëherë nuk paraqitej si kontrollor, oficer apo si diktator, por paraqitej si mësues e udhërrëfyes i mësuesve.

Jeta dhe vepra e tij studiohet e shfletohet, madje nga shumë studiues e analistë të fushave e lëmenjve të ndryshëm, të cilët as nuk i takojnë besimit Islam, edhe preferohet për tu praktikuar e zbatuar. Për këtë dëshmojnë shumë fakte dhe argumente, të cilat ruhen në faqe të historisë së njerëzimit, duke u nisur nga mbreti i Persisë Herakli, duke arritur madje edhe tek shumë funksionarë të ditëve të sotme të këtij shekulli.

Me mençurinë që pati, misionin e tij e lidhte ngushtë me punën e tij, jo me politika të ditës a karrierë kushtetore që mund t’i ofroheshin atëherë, por e mishëroi punën e tij vetëm me thirrje në besim, në të cilin duhet të adhurohet vetëm Një Zot, si dhe u mishërua me njohjen e rrethanave të caktuara shoqërore e politike në të mirë të njerëzimit dhe të zgjimit nga injoranca e thellë, ndihmesë dhe kontribut ky të cilin e vijoi gjatë gjithë jetës së tij deri në vdekje.

Këtë që e thamë, më së miri e vërtetojnë veprat nga autorë të ndryshëm, që tubuan veprimtarinë dhe thëniet e tij tashmë edhe të botuara dhe të njohura në mbarë rruzullin tokësor.

Nga e tërë biografia e tij del që, lavdinë nuk e arriti me pushtet ushtarak, as me karrierë politike, as me para e shërbesa biznesi, por me urtësi dhe me punët e fjalët e tij të ëmbla.

Kjo figurë dhe ky personalitet kaq i ngritur me gjithë këtë renome, kishte pasuri materiale aq të vogël sa sot vështirë është të mendohet ajo në krahasim me pasuritë që posedojnë udhëheqësit e të gjithë popujve. Mirëpo, kjo aneksi pasurie që kishte, aspak nuk e pengoi në mençurinë e moralin e tij, saqë nuk e bëri as lakmitar ose xheloz të bashkëkohësve të tij të cilët jetonin e “argëtoheshin” në kolltukë mëndafshi, ari e argjendi. Përkundrazi, pati stimulim mbi bazë morale, prandaj, me të drejtë, po e përmendim në mënyrë shumë të veçantë dhe të lavdishme, sepse është e vërtetë, se emri dhe mesazhi i tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ecte më shpejt se që arrinin këmbët e tij.

Kontributi i tij në vazhdim bëhej edhe më i dukshëm, sepse duke ushqyer trungun e gjeneratës së parë të dijetarëve të asaj kohe dhe duke u dhënë bulëzim e fryte pareshtur këtij brezi dijetarësh, përgjithësisht atij i rritej edhe autoriteti i tij, saqë sot e asaj dite, emri i tij ka arritur të dëgjohet e njihet me plot lavdërime edhe në anët më periferike të mbarë botës.

Ç’është e vërteta, mesazhi i tij edhe sot ecën me gati të njëjtin ritëm nga njerëz të ndërgjegjshëm dhe personalitete të larta, të cilat kujdesen për ruajtjen e përputhshmërisë identike të fjalës dhe veprës së tij profetike.

Modestia dhe afria që kishte me të gjithë njerëzit e të gjitha moshave, ishte e pranuar lehtë nga ta, saqë u jepte energji dhe dëshirë e vullnet që ta pasonin. Madje edhe fëmijët e vegjël gjenin forcë që ta mundnin turpin që ka çdo fëmijë kundrejt një të rrituri dhe ta shprehnin tek ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dëshirën apo mllefin e tyre.

Në çdo takim dhe ndejë me të, njerëzit kishin rastin të mësojnë shumë gjëra të vlefshme dhe edhe sot mësohet prej tyre, madje me një specifikë të veçantë, ngaqë kanë kaluar plotë katërmbëdhjetë shekuj, kurse ndjenja mbretëron në zemër si të ishte ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i gjallë në mesin tonë. Do të thotë, aq e kanë vlerën dhe fuqinë e lartë mësimet e tij, saqë historia nuk kujton asnjë personalitet si personalitetin e  Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka aq shumë ndikim te njerëzit e kësaj bote.

Tërë këtë duhet thënë me plot përgjegjësi, jo sa për të thënë, por për hir të së vërtetës se mundi dhe kontributi i tij vetëm për 23 vjet thirrje, është plot lëvdata dhe me shumë pasues deri në kataklizmin e kësaj bote, vite këto të cilat meritojnë vetëm lavdërime, përshëndetje, krenari dhe mburrje sidomos për ata të cilët veprat e tyre i kanë në përputhshmëri të plotë me veprat dhe fjalët e këtij personaliteti e këtij dielli ndriçues të mbarë njerëzimit.

Sidoqoftë, jeta, vepra dhe thënia e profetit Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk mund të përmblidhet në fjalët dhe shkrimet e asnjë krijese, edhe pse është i vetmi njeri dhe personalitet në botë që nga krijimi i saj që e di historia, që i studiohet jeta, vepra dhe thënia e tij me një përpikëri e përkushtim të përkryer, ngaqë kundrejt personalitetit të tij, të gjithë jemi të vegjël, edhe nëse posedojmë titujt më të lartë akademikë, ngaqë ky njeri me vetëm 23 vitet e tij kontribut me inspirimet e tij hyjnore e tundi dhe po e tundë botën që ta kuptojë të vërtetën dhe të shpëtojë nga humbja e injorancës.

Në vend të përfundimit, e lus Zotin Fuqiplotë me tërë qenien time që të na bëjë pasues të denjë të tij dhe të jemi në fqinjësi me të në botën e amshueshmërisë. Amin!    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.