MЁNYRA E ABDESIT

 
Veprimet e obliguara (farz) gjatė namazit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Eglantina Muēa   
e enjte. 02 nėntor 2006

Forma e faljes së namazit duhet të jetë e bazuar në Kur’an dhe në traditën profetike, sepse, Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur” dhe, faljen e Pejgamberit (alejhi selam) e kanë transmetuar shumë hadithe.

Ne po i përmendim veprimet e obliguara (farz) gjatë namazit:
 

1.Tekbiri fillestar:
Kjo do të thotë që të fillohet namazi duke shqiptuar frazën: “Allahu Ekber”.
Aliu (radijallahu anhu) transmeton se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Çelësi i namazit është pastërtia. Veprimi që e fut njeriun në namaz është marrja e tekbirit dhe ai që e nxjerr prej tij është teslimi.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu)
Teslimi është thënia e frazës: ”Es-Selamu alejkum ue rahmetullah” në fund të kryerjes së namazit

2. Kijami ose qëndrmi në këmbë gjatë faljes së namazeve të obliguara (për ata që munden).
Allahu i Lartësuar thotë: “Falni namazet si dhe atë të mesmin dhe qëndroni në këmbë për Allahun me devotshmëri.” (El-Bekare: 238)
Omer bin Husejni tregon se kishte pasur disa probleme fizike, kështu që e kishte pyetur Profetin (alejhi selam) në lidhje me namazin dhe ai i kishte thënë: “Falu në këmbë! Nëse nuk mundesh, atëherë falu duke qenë i ulur e nëse nuk je në gjendje të falesh as në këtë mënyrë, atëherë falu i shtrirë (në njërën anë të trupit). (Buhariu)
Pra, Allahu i Lartësuar nuk e mundon njeriun përtej mundësive të tij. Nëse personi gjatë faljes së namazit nuk mund të qëndrojë në këmbë për arsye të ndryshme, mund të falet në atë mënyrë që mundet duke e marrë shpërblimin e plotë për namazin të cilin po e fal.

3. Këndimi i Fatihasë në çdo rekat.
Ebu Hurejra (radijallahu anhu) transmeton se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Ai që fal një namaz dhe nuk e këndon kapitullin e hapjes së Kur’anit (Fatihanë) nuk është falur në mënyrën e duhur.” (Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi).

4. Rukuja (përkulja)
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Përkuluni dhe bini në sexhde...!” (El-Haxh: 77). Gjithashtu, Pejgamberi (alejhi selam) rrinte i qetë në ruku dhe thoshte: “Plotësojeni rukunë dhe sexhden, se pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, unë vërtet ju shoh edhe pas shpinës sime kur bëni ruku dhe sexhde.” (Buhariu dhe Muslimi)

5. Ngritja nga rukuja dhe qëndrimi në pozicion të drejtë.
Aishja (radijallahu anhu) ka transmetuar se kur Profeti (alejhi selam) e ngrinte kokën e tij nga rukuja, ai nuk binte në sexhde, derisa kurrizi i tij të drejtohej. (Buhariu dhe Muslimi)

6. Sexhdeja (ulja e ballit në tokë).
Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Përkuluni dhe bini në sexhde...!” (El-Haxh: 77)
Gjatë këtij veprimi shtatë pjesë të trupit duhet ta prekin tokën: balli (duke përfshirë edhe hundën), shuplakat e duarve, gjunjët dhe këmbët. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Unë jam urdhëruar që të bëj sexhde me shtatë pjesë të trupit: me ballin, (dhe ai tregoi hundën), duart, gjunjët dhe këmbët." (Buhariu dhe Muslimi)
Sexhdeja e parë, qëndrimi ulur pas saj, sexhdeja e dytë si dhe arritja e qetësisë gjatë gjithë këtyre veprimeve, janë vepra të obliguara ( farz) në çdo rekat të secilit namaz të obliguar apo vullnetar. Me arritje të qetësisë nënkuptohet qëndrimi ulur derisa kockat kthehen në vendin e tyre të mëparshëm. 

  1. Ulja e fundit dhe shqiptimi i Teshehudit.
Praktika e Profetit (alejhi selam) tregon se kur bëhet ulja e fundit në namaz, personi i cili falet duhet të shqiptojë teshehudin.

  1. Dhënia e selamit në fund të namazit.
Aliu (radijallahu anhu) ka transmetuar se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Çelësi i  namazit është pastërtia. Njeriu hyn në namaz me tekbir dhe e lë këtë namaz me dhënien e selamit.” (Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, Tirmidhiu)

Nga Rifah ibn Rafi transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Nuk është i plotë namazi i ndonjërit prej jush derisa të marrë abdes mirë ashtu siç e ka urdhëruar Allahu,  pastaj, të marrë tekbir (Allahu- ekber) dhe ta falenderojë e ta madhërojë Allahun, të këndojë çka të ketë  mundësi nga Kur’ani nga ajo që ia ka mësuar Allahu, pastaj, të marrë tekbir dhe të bie në ruku, të vendosë duart e tij te gjunjët derisa të gjitha gjymtyrët e tij të qetësohen e të lirohen, pas kësaj të ngrihet duke thënë semiallahu limen hamideh dhe të qëndrojë  në këmbë derisa çdo gjymtyrë të shkojë në vendin e vet e të qetësohet, pastaj le të marrë tekbir dhe të bie në sexhde duke e puthitur ballin e tij me tokën derisa të gjitha gjymtyrët të qetësohen e të lirohen, pastaj të marrë tekbir duke u ngritur (nga kjo sexhde) dhe të qëndrojë ulur duke e drejtuar mirë kurrizin, pastaj të marrë tekbir dhe të bie sërish në sexhde duke puthitur fytyrën e tij në tokë derisa të gjitha gjymtyrët të qetësohen e të lirohen. Nuk është i plotë namazi i ndonjërit prej jush derisa të mos veprojë kështu.” (Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi
dhe Nesaiu)

Përgatiti: Eglantina Muça
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.