MЁNYRA E ABDESIT

 
Kujt ia vranė sytė dhe zemrėn mėsim-besimi nėpėr shkolla? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e enjte. 15 shtator 2011
 Zoti ka bërë që dispozitat e Tij të shërbejnë si sistemi më i mirë e më i dobishëm i jetës me bazat dhe themelet më të shëndosha për të gjithë shoqërinë.        



Është e vërtetë se arsimimi është baza e çdo qytetërimi e kulture. Proceset arsimore përbëjnë njërën nga çështjet më delikate të zhvillimit të këtyre dyjave. Historia tregon se për ngritjen dhe formimin e një shoqërie është e domosdoshme nevoja e diturisë, që do të thotë arsimimi dhe vetëdija intelektuale.

Të urtët thonë:

“Kultura dhe fuqia e një populli matet nga shkalla sa janë ata të arsimuar”. Natyrisht që nuk i ikim asaj se, të diturit (dijetarët) janë ata që e bartin fatin e shoqërisë mbi supet e tyre, që do të thotë se zhvillimi dhe ngritja arsimore e një populli varet drejtpërdrejt nga intelektualët.

E dimë se një nga ligjet e shkencës është edhe ligji i veprimit harmonik në mes faktorëve edukativ, i cili sqaron se shkolla luan një rol tejet të rëndësishëm, madje të pazëvendësueshëm. Këtë ligj më së miri e tregon dhe sqaron shkenca e pedagogjisë, madje edhe pohon se faktorët edukativ duhet të jenë si magnet, i cili pa mbivlerësuar apo nënçmuar asnjë faktor edukativ duhet t’i tërheqë dhe gërshetojë rreth vetes.

Në qoftë se bëjmë një vështrim të shkurtër retrospektiv dhe ndalemi tek faktorët edukativ, do të vërejmë qartë se edukata fetare ka ekzistuar prej se ka ekzistuar njerëzimi dhe do të ekzistojë derisa të ekzistojë njerëzimi. Andaj vërejmë se ky është një faktor që nuk duhet lënë pa përfillur (siç po bëhet sot).

Jo rrallëherë hasim edhe në paragjykimet e shumë njerëzve të ndikuar nga ideologjia bolshevike mbi kulturën fetare apo mbi fenë, si për shembull: “Feja është opium, është turp për një njeri intelektual nëse beson, është prapambeturi, diçka e kotë, etj.,” ku qeveritarët aktualë po edhe ata të shumë mandateve para tyre u bënë pengesë për futje të mësim-besimit nëpër institucionet  arsimore.

S’ka dyshim se pasojë e paragjykimeve është mosnjohja e mirëfilltë e problemit, andaj edhe jo rastësisht i dërguari Muhamed, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Ikni paragjykimeve, ngaqë paragjykimet janë fjalët më të rrejshme”.

Si pengues të futjes së edukatës fetare nëpër shkollat tona janë një mori faktorësh, mirëpo unë kisha dashur të ndalem pakëz tek ajo se çfarë po shërbehet si synim për civilizimin tonë dhe nga e ka origjinën ky “civilizim”, prej kur është Islami në vendet evropiane si dhe pse pengohet veç tek institucionet tona mësim-besimi???

Nëse i kthehemi historisë, vërejmë padyshim se civilizimi perëndimor është i ndërtuar prej tri pikave kyçe: prej atij (civilizimit) grek, romak dhe të krishterë, dhe që të tria përbëjnë një trekëndësh, kurse vija segmentuese që i bashkon këto tri pika quhet civilizim perëndimor.

Ky qytetërim me kalimin e kohës, në vete u bë trashëgues i vlerave greke dhe romake me të gjitha karakteristikat e tyre si dhe më vonë inkuadroi krishterimin si sistem moral të mos-harmonizuar mirë me sistemin politik, ku për këtë gjë në një masë të madhe ka kontribuar edhe vetë kisha me udhëheqjen e saj, e cila me çdo kusht dhe mundësi ka penguar zbulimet shkencore me të cilat sot identifikohet Perëndimi. Pra, një qytetërim që në të kaluarën në vete zbatoi një religjion si bazë morale, sot nuk identifikohet me të dhe si rezultat i kësaj kemi edhe një sqarim edhe më detal në raport me shtetin-normën morale, që do të thotë se Perëndimi gradualisht po e humb njërën pikëmbështetje, e që pasojat e saj nuk mund të paramendohen. Andaj përderisa ky civilizim është në konfrontim edhe me civilizimet e tjera botërore, e që ky i konsideron si rivale, mendoj se më së miri dhe më së drejti jep sqarim vetëm civilizimi islam në të gjitha sferat, qoftë ato mbarënjerëzore, sociale, politike dhe morale, sepse ky civilizim (civilizimi islam) segmentohet vetëm në dy pika, në Kur’anin famëmadh dhe në veprimtarinë profetike të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e që ky segmentim është i harmonizuar dhe do të jetë i  tillë gjithmonë me të gjitha pikat e harmonizimit.

Më lart e përmendim edhe çështjen e thesareve apo prezencën e Islamit në Evropë.

Thesaret e civilizimit islam në Evropë datojnë që nga zanafilla e tij. Të nisemi nga Spanja, pastaj Sicilia e më vonë, për një kohë më të gjatë edhe në Ballkan dhe po jeton edhe në ditët tona. Fatkeqësisht, ka pasur dhe ende po ka përpjekje, e sidomos në vitet e fundit, që Feja Islame të paraqitet si fe që s’ka të bëjë me Evropën.

Është e njohur dhe e ditur se Evropa është vend shumëkulturor, dhe pa hamendje në të duhet të ketë vend edhe për civilizimin islam.

Evropa përveç shumëkulturës është edhe shumëkonfeksionale dhe kjo është më se e vërtetë. Këtë dukuri e vëren çdo njëri që i sheh gjërat ashtu siç duhet mirëpo kjo nuk ndodh edhe me disa intelektualë shqiptarë, të cilët janë inferiorë ndaj kulturës dhe civilizimit islam.

Këtë ndjenjë të tillë, të inferioritetit, mund ta quajmë një kompleks të tyre, sepse është shumë e gabuar që ne të bëhemi gjithsesi si ata (perëndimorët) ose të na kapë paniku se mos nuk mund të bëhemi si ata. Mendoj se këta intelektualë shqiptarë duhet ta dinë se Evropa nuk është dhe nuk ka qenë vetëm e krishterë. Është realitet se Evropa ka edhe civilizim të krishterë, por në të njëjtën kohë ajo ka edhe civilizim e kulturë islame, me popuj e kultura të ndryshme, duke filluar prej Spanjës, Sicilisë, pastaj Bullgarisë, Hungarisë, Bosnjës, Shqipërisë, Maqedonisë e Kosovës. Mandej kjo Evropë ka qenë edhe hebraike. Kështu që të tri fetë e mëdha, kanë qenë vazhdimisht të pranishme në Evropë.

Andaj, nga idetë dhe teoritë e dështuara kuptojmë se është e paqëndrueshme që nëse duam të jemi Evropë duhet të jemi të krishterë.

Mirëpo sot ende po ballafaqohemi me një shtresë “intelektualësh” të cilët janë të edukuar me sistemin komunist, në kohën kur feja nuk ishte vetëm problem politik, por ishte jashtë trendit modern të asaj kohe, saqë të jesh fetar në atë kohë, për të tillët ka qenë diçka e cila të turpëron në opinion, madje edhe duhej kërkuar falje, kurse nëse ke qenë afetar apo ateist, ishte krejt normale dhe e pranueshme për secilin. Kështu që afetarizmi në atë kohë ka qenë sinonim i modernizimit, e që në realitet nuk është aspak e vërtetë, sepse njeriu mundet të jetë fetar, por edhe i edukuar mirë, madje edhe modern po edhe shkencëtar i mirëfilltë.

Çështja tjetër është se ekziston edhe një fenomen tjetër, ai i persekutimit për diçka. Andaj, mendoj se neve po na cenohet e drejta e lirisë për mësim-besim nëpër shkolla, si dhe po persekutohemi për shkak të besimit.

Pra, nëse vështrojmë realisht, në Islam është e qartë që s’ka dhunë dhe detyrim në jetë. Askush nuk mundet të pretendoj se është musliman, përderisa ai nuk beson sinqerisht, por edhe askush nuk ka të drejtë ta detyrojë tjetrin të heqë dorë nga Islami, përderisa ai e pranon atë, edhe sikur e tërë kjo botë të dëshiron ta bëj një gjë të tillë dhe edhe nëse e tëra është jomuslimane.

Një gjë duhet ta sqarojmë, se tek ne edhe pse sistemi komunist ka qenë aktiv pesë dekada apo gjysmë shekulli, e sidomos në Shqipëri, ku para disa kohe edhe në shtypin ditor të gazetës “Koha Ditore” tek kuriozitetet tregohet se Shqipëria ishte i vetmi vend në botë ateist, madje e dimë se ky shtet edhe sanksionoi fetë me ligj, mendojmë se tash është koha apo edhe shekulli që duhet kuptuar gjërat drejt dhe mirë, si dhe lirinë e të shprehurit e të veprimit ta ketë çdo njeri, çdo civilizim, po edhe çdo kulturë, si dhe të mos anashkalohet, nënçmohet e injorohet as kultura e civilizimi islam.

Pra, nëse e angazhojmë trurin dhe mendjen dhe e drejtojmë vizionin tonë drejt realitetit aktual, vërejmë se shoqëria civile tek ne është në një kaos të rëndë dhe gjendet në mes shumë vështirësive, duke u nisur nga ai i luftërave, anarkisë, kulturave, etj. Kurse kontributin që mundet ta ofroj Islami është i  pazëvendësueshëm. Urdhrat e tij janë shumë konkretë në zbatimin e tij, të këshillon të jesh bamirës ndaj të afërmve, ndaj të huajve, ta frenosh vetveten nga veprat e gjërat e këqija e të liga, ta mbizotërosh atë (vetveten), etj.

Nuk ka dyshim se ligjet e sheriatit (jurisprudencës) islam janë ligje të bazuara dhe të mbështetura në Fjalën e Zotit të Lartësuar të cituara në Librin e Tij, Kur’anin famëmadh.

Zoti ka bërë që dispozitat e Tij të shërbejnë si sistemi më i mirë e më i dobishëm i jetës me bazat dhe themelet më të shëndosha për të gjithë shoqërinë.

Pra, nga gjithë kjo që u tha më sipër, del që feja islame nuk është fe që duhet nënçmuar, injoruar e penguar që të mësohet nëpër institucionet arsimore, si dhe kjo fe nuk është fe vetëm e lutjeve-adhurimeve, namazit, zekatit, agjërimit dhe e haxhillëkut, por është edhe fe e ideve, e ligjeve dhe e sistemeve ligjore, kulturore e civilizuese, e që këto janë të pandryshueshme dhe do të jenë të pandryshueshme në saktësinë e tyre deri sa të jetë njerëzimi.

Pra, Islami është fe e adhurimit, e punës, e praktikës, është program dhe sistem ligjor që synon paqe, komoditet e kënaqësi për të gjithë, i drejtë në të gjitha normat, qoftë politike, sociale, familjare, etj.

Andaj lind pyetja, pse t’ia vranë dikujt sytë e zemrën ky civilizim, kurse ky është i  vetmi që të liron nga ankthet, prapësitë, punët e liga e të fëlliqura, përkundrazi mbushë çdo boshllëk të jetës tënde me kënaqësi.

Në bazë të asaj që u drejtua në këtë shkrim, mund të përfundojmë se feja islame është me shumë rëndësi dhe dobi për të gjithë njerëzit, si për individët ashtu edhe për shoqërinë në tërësi, pa marrë parasysh kohën dhe hapësirën. E vërteta, e drejta, e mira, barazia dhe sinqeriteti që kultivon Islami, janë çështje shumë të nevojshme që i kërkon edhe vet natyra e njeriut dhe dëshira e tij për të siguruar një jetë në paqe dhe mirëqenie të përhershme. Por, për të qenë kështu, këto parime duhet të mësohen së pari, dhe në të njëjtën kohë të zbatohen në jetën e përditshme.    

Websajti www.pertymoter.net nuk është përgjegjës për përmbajtjen e shkrimit, pasi mendimet e shprehura  në këtë material paraqesin mendimet dhe opinionet e autorit të këtij shkrimi.

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.