MЁNYRA E ABDESIT

 
Kukatje hipokrizie! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e premte. 03 tetor 2008
Si ka mundësi të thotë dikush se e dua Allahun e nuk ka mundësi ta bëj sakrificën më të vogël për Të në shenjë dëshmie për atë dashuri?!                            

 
"Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t’ju dojë, t'ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë". (Ali Imran, 31)
"E sa të dërguar pati që së bashku me ta luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e Allahut, ata nuk u dobësuan dhe nuk u përulën. Allahu i do durimtarët." (Ali Imran, 146)
"… Allahu i do ata që pendohen, dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme." (Bekare, 222) 
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
"Kush i ka këto tri gjëra, e ka gjetur ëmbëlsinë e besimit:
-      Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër,
-      çdo njeri ta dojë vetëm për hir të Allahut, dhe
-      ta urrejë kthimin në kufër ashtu siç urren që të digjet në zjarr."

Pas këtyre ajeteve kur’anore dhe këtij hadithi të lartpërmendur, do të fokusohemi tek diskutimi, të cilin, e rendit dhe e rrugës do të ishte që të mos ekzistonte fare si problem në shoqërinë tonë, nëse mund ta quaj problem, ose më mirë të themi për këtë të metë në edukatën e shumë prej njerëzve të lëkundshëm.
Arsyeja e cila më shtyri të diskutoj për të është shkaku se ka kaluar në gjendje edhe të padurueshme dëgjimi i fjalëve shprehëse të një numri jo të vogël njerëzish, e që në mesin e tyre janë edhe një shtresë intelektualësh, të cilët pa hezitime e pa aspak turp nxjerrin nga goja fjalët kukatjeje në lidhje me agjërimin e muajit të Ramazanit, sa që s'dëgjon tjetër veç: kuku s'dimë si do ta përfundojmë Ramazanin se dita e gjatë, jemi në punë, buka s'po hahet, syfyri edhe më hiq, tërë ditën në këmbë, a agjërohet kështu!? E disa të tjerë i japin të drejtë vetës të shprehen: kemi dëgjuar se bën të paguhet me pare agjërimi nëse s'mundesh të agjërosh, e mbase s’po mundemi i paguajmë nga 30 euro në fund të Ramazanit edhe s’kemi borxh. Apo si të falemi për çdo ditë, madje pesë herë në ditë? Kurse disa të tjerë e japin mendimin e tyre edhe më qesharak ku thonë: Zoti s’të ngarkon përtej mundësive, e si të agjërojmë sa e gjatë dita, pa pi ujë e pa pi asnjë cigare duhan, s’po e shoh të arsyeshme me ngarkua veten me atë çka s’mundem me përballuar, etj.Subhanallah! Shprehje të cilat dalin nga gojët e atyre të cilët sikur nuk e dinë  as pse jetojnë dhe pse kanë ardhur në këtë botë, mandej edhe sikur nuk ju funksionin korja e trurit të vogël sa e si duhet për t’u njohur me dhuntitë të cilat na i ka dhuruar Allahu.  
Përmenda agjërimin, të cilin e kishim afër, por njëjtë qëndron puna edhe me ritet e tjera fetare e sidomos vë në spikamë namazin, i cili është i përditshëm dhe nuk është adhurim sezonal. Madje është shtyllë shumë bazike e Islamit.
Mjerisht, këto fjalë po dalin nga shtresa e ashtuquajtur
"intelektuale".
Si ka mundësi të thotë dikush se e dua Allahun e nuk ka mundësi ta bëj sakrificën më të vogël për Të në shenjë dëshmie për atë dashuri?! Si mund ta perceptojë logjika e shëndoshë një hipokrizi kaq të madhe, sepse kur dikush e do dikë, e dëshmon me çdo gjë, e aq më shumë kur një njeri deklaron se unë jam musliman, kurse kushti kryesor në Islam është ta duam Allahun dhe të Dërguarin e Tij më së shumti, më shumë edhe se vetën.
Në lidhje me këtë realitet ia vlen të cekim rastin e Isait, paqja e Allahut qoftë mbi të, kur iu drejtua Havariunëve (përkrahësve të tij) e iu tha: "Ju as dynjanë nuk e doni, as ahiretin. Sikur ta donit dynjanë, duhet t'i bindeni Allahut tuaj, se në dorë të Tij janë depot e dynjasë, dhe sikur ta donit ahiretin, duhet t'i bindeni Allahut, se në dorë të Tij është edhe ahireti."
Andaj, sikur vetëm pak të ndalen ata dhe të analizojnë me atë intelektin e tyre, do të vinin në përfundim se, këto fjalë dhe shprehje, të cilat po i nxjerrin nga gojët e tyre, nuk janë asgjë tjetër përveç se një deklarim kundër tyre, si dhe janë jo tjetër veç se një shpalosje e asaj se ata nuk dinë ta duan vetveten së pari e aq më pak dinë ta duan Allahun e që tek Ai është kthimi.
Lus Allahun që t’ua hap zemrat dhe të ndeshen me realitetin e qëllimit të ardhjes së tyre në këtë botë, dhe pastaj të përfshihet e tërë qenia e tyre nga pendimi i sinqertë, ngaqë Allahu derdh mëshirën e Tij pa kufi.
Të gjithëve, Allahu na mëshiroftë, na faltë dhe na shpëtoftë nga zjarri i Xhehenemit! Amin!    
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.