MЁNYRA E ABDESIT

 
Zekati i Fitrit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Eglantina Muēa   
e premte. 25 korrik 2014

Zekati i fitrit është një lloj sadakaje e cila është obligim të paguhet në fund të muajit ramazan për çdo mysliman.





Zekati i Fitrit është lëmosha që nxirret në fund të muajit të Ramazanit, natën e Fitër Bajramit ose në mëngjes të kësaj dite para namazit të Bajramit.
E ka marrë këtë emër sepse është bërë i ligjshëm afër plotësimit të muajit, në kohën që agjëruesit mbyllin agjërimin, pra është zekati i fitrit, ose lëmosha e Fitër Bajramit, pasi të jetë plotësuar Ramazani. Gjithashtu, i Dërguari i Allahut, sal-all-llahu alejhi ve selem, dhe shokët e tij pasi kanë agjëruar Ramazanin para faljes së Bajramit kanë dhënë zekatin e fitrit.
                     
Zekati i fitrit shërben për të pastruar muslimanin nga gjynahet dhe nga fjalët e tepërta gjatë agjërimit dhe për të ushqyer të varfrit në mënyrë që ditën e Bajramit të mos lypin.

Agjëruesi në shumicën e rasteve nuk shpëton dot nga të tallurit, fjalët e kota dhe dëfrimi, e për këtë arsye zekati i fitrit bëhet pastrues i atyre fjalëve të papëlqyera apo të ndaluara në të cilat mund të bjerë myslimani dhe që mund ta pakësojnë shpërblimin e punëve dhe zhvlerësojnë agjërimin.

Zekati i fitrit është ushqim për të vobektit, të cilët janë të varfër e të pafuqishëm për të marrë pjesë bashkë me njerëzit e tjerë në gëzimin e ditës së Bajramit, pasi në hadith thuhet: “Lirojini ata nga të endurit (lypja) në këtë ditë.”

Pra, t’i ushqejmë ata dhe t’ua plotësojmë nevojat që të jenë të lirë nga të lypurit dhe të endurit në këtë ditë Bajrami, ditë e cila është për gëzim e hare.


Sasia e zekatit të fitrit


Zekati i fitrit është një lloj sadakaje e cila është obligim të paguhet në fund të muajit ramazan për çdo musliman, të lirë ose skllav, të ri apo të vjetër, mashkull apo femër.

Është detyrë e domosdoshme me argument transmetimin e Ibnu Umerit te Buhariu dhe Muslimi e i cili ka thënë:
“E ka bërë detyrë i Dërguari i Allahut  dhënien e zekatit të fitrit, një sa’ (masë) hurme (për një person) apo një sa’ elb.” (Një sa’ është sa katër grushte të mbushura dhe sasia e saj në peshë sillet nga 2.50 kg deri në 3 kg, varet nga personi). E ka bërë detyrë dhe thotë e detyrueshme, duke treguar kështu që zekati i fitrit i përket farzeve.

Ibën Mundhiri e të tjerë transmetojnë unanimitetin e dijetarëve rreth kësaj çështjeje, ndërsa Ebu Hanifja thotë se është vaxhib e jo farz. Zekati i fitrit është detyrë të paguhet nga çdo musliman i lirë që ka si pronë të vetën një sa’, hurmash ose elbi, që nuk i nevojitet si ushqim bazë për vete dhe familjen e tij për një ditë dhe një natë. Çdo musliman i lirë duhet ta paguajë zekatin e fitrit për veten, gruan, fëmijët dhe shërbëtoret apo ata që ka nën kujdestarinë e tij.

Ebu Hanifja e ka lejuar zëvendësimin e artikullit me vlerën e tij në të holla për të paguar zekatin e fitrit dhe nëse pagesa do të bëhej me grurë, gjysmë sa’ do të ishte i mjaftueshëm.

Ebu Seidi në një hadith të transmetuar nga Buhari dhe Muslimi thotë: “Nxirrnim Zekatin e Fitrit, në kohën kur i Dërguari i Allahut ishte mes nesh, një sa’ me hurma ose një sa’ me elb ose një sa’ me rrush të thatë ose një sa’ me kos të ngrirë, qumësht të ngurtësuar.”

Shumica e dijetarëve kanë mendimin se zekati i fitrit jepet vetëm nga pesë asortimentet e lartpërmendura që janë prej ushqimeve, të cilat janë elbi, gruri, hurmat, rrushi i thatë dhe qumështi i ngurtësuar, sepse ato përfaqësojnë ushqimin e zakonshëm të njerëzve, kurse Shejhul Islam Ibnu Tejmija ka preferuar mendimin se lejohet dhënia e Zekatit të Fitrit nga ushqimet më të përdorshme në atë vend, si për shembull: orizi e misri, nëse janë më të përdorshëm në ato anë dhe ky është mendim më i pranueshëm.
Disa dijetarë janë  të mendimit se veçimi i këtyre llojeve t
ë ushqimeve të përmendura në hadith është bërë për shkakun se ato kanë qenë më të konsumuarat në atë kohë, duke lejuar kështu nxjerrjen e tij nga ushqimi më i përdorshëm në atë vend siç është orizi apo misri në vendet, të cilat përdoren më tepër.

Koha e dhënies së zekatit të fitrit

Dijetaret janë dakord se zekati i fitrit është i detyrueshëm në fund të muajit ramazan, por kanë mendime të ndryshme rreth kohës së dhënies. Imam Ahmedi dhe Is’haku janë të mendimit se zekati i fitrit është i detyrueshëm të jepet në perëndim të prishjes së agjërimit, pasi është koha kur mbaron Ramazani. Ebu Hanifja thotë se zekati i fitrit duhet nxjerrë në fillim të agimit në ditën e Bajramit. Shumica e dijetarëve mendojnë se është e lejuar të paguhet zekati i fitrit një ose dy ditë para Bajramit.

Ibën Omeri transmeton se Profeti alejhi selam i urdhëroi njerëzit të paguanin zekatin e fitrit përpara se të shkonin të falnin namazin e Bajramit.
Nafiu transmeton se Omeri e paguante zekatin e fitrit një ose dy ditë para fundit të Ramazanit. Edhe imam Maliku dhe imam Ahmedi janë të mendimit se pagesa e zekatit të fitrit është e lejuar të kryhet një ose dy ditë përpara.

Themeluesit e katër shkollave juridike islame bien dakord se zekati i fitrit nuk shfuqizohet si detyrim, edhe nëse nuk është paguar në kohën e caktuar. Nëse ndodh kështu, ai bëhet një borxh mbi përgjegjësinë e personit, derisa të paguhet. Hadithi i Profetit alejhi selam thotë: “Nëse dikush e paguan zekatin e fitrit para namazit, do të quhet si një zekat (fitër) i pranuar. Nëse ai e paguan pas namazit, do të konsiderohet si sadaka e thjeshtë.”, prandaj nuk duhet te shtyhet dhënia e sadakul fitrit pas namazit te Bajramit.

Kujt i jepet zekati i fitrit

Zekati i Fitrit u takon muslimaneve të varfër. Kjo mbështetet edhe nga hadithi i mësipërm, në të cilin Profeti alejhi selam ka urdhëruar dhënien e sadakatul fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët dhe veprat e pahijshme dhe si ushqim për nevojtarët.


Përgatiti: Eglantina Muça  

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.