MЁNYRA E ABDESIT

 
Sondazh vetes PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e hėnė. 11 gusht 2008

Të gjithë këta shembuj që u përmendën na bëjnë që në fund të kemi një sondazh të kënaqshëm dhe shpresëdhënës për të dy botët.   

Nëse mendojmë t’i bëjmë sondazh vetes, nuk është e logjikshme që të mos fillojmë t’i kujtojmë gjërat më të dashura të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e pastaj të mos i kujtojmë edhe gjërat më të dashura të vargut të burrave të mëdhenj të Islamit, me qëllim që të shohim se a kemi ngjashmëri me realitetin e tyre apo jetojmë vetëm në iluzion.

- I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, gjërat më të dashura në këtë botë i kishte: erën e mirë,  gruan dhe namazin, me të cilin e arrinte kulmin e kënaqësisë së tij.

Të ndalemi tek vetja, cila ka përparësi për ne: parfumi për joshje të gjinisë së kundërt, përpjekja për të pasur një bashkëshort / bashkëshorte me "vlera" vetëm të kësaj bote,  namaz vetëm sa për të thënë po falemi apo çfarë?Përgjigjja le të jetë në ndërgjegjen reale të secilit.

- Kalojmë tek Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të. Gjërat më të dashura për të në këtë botë kanë qenë: qëndrimi pranë të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ndarja e pasurisë dhe salavati dhe selami mbi të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Nga pamundësia për ta parë të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në këtë botë, si zëvendësim, bashkojmë salavatin dhe selamin mbi të në mënyrë që të shohim se ku jemi me përmendjen e personit më të dashur, nëse mund të them kështu. E kemi më të dashurin të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, apo…?

- Gjërat më të dashura në këtë botë për Umerin, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishin:urdhërimi për të mirë e ndalimi nga e keqja dhe zbatimi i ligjeve të Allahut të Madhëruar.

Mos të themi se për të gjithë është bërë normale dëgjimi i motos së ashtuquajtur "Ec me kohën" e që ne pa asnjë rezervë i themi jo ec me kohën po me shëmtirën dhe shkatërrimin.

Nëse i përmbledhim dy ëndjet më të mëdha të Umerit Allahu qoftë i kënaqur me të, vijmë
në përfundim se nëse zbatojmë ligjin hyjnor pa vështirësi ftojmë në të mirë dhe ndalojmë nga e keqja, si dhe e mposhtim dhe e eliminojmë me sukses të madh sloganin injorant "Ec me kohën".

- Për Uthmanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjërat më të dashura në këtë botë ishin: të ushqyerit e njerëzve, përhapja e selamit dhe falja natën kur të tjerët flinin.

Nëse e ndajmë kafshatën e gojës, a e përmendim këtë, nëse po, sa herë, ose nëse e ndajmë me çfarë qëllimi e ndajmë atë? Apo, mos vallë djersën e tjetrit e shpërndan në emër tëndin, siç bëjnë shumë njerëz të kohës sonë, e që janë pasionuar pas dinarit e pasurisë!?

Kthimi i selamit tjetrit, nëse arrin te timpani yt, a e kthen apo e nëpërkëmbë atë, sepse sot
sikur duket si diçka demode të japësh selam e të kthesh selam (Zot, më fal për këtë që e them, por është një realitet i tillë i  kohës "moderne"), ndoshta më lehtë dhe më "ëmbël" duket të thuash tung, çao, etj…!!!

Namazet ditore janë obligim dhe namazi është edhe kufiri që ndan besimtarin nga mosbesimtari, por namazi i natës që është namaz vullnetar, a thua sa është mik me ne, apo nuk e njohim fare ose e njohim vetëm në sprova, telashe ose kur kemi ndonjë interes të kësaj bote.

- Atë që dëshironte më së shumti në këtë botë Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte lufta në rrugën e Allahut të Lartësuar, agjërimi në verë dhe mikpritja.

Afër logjikës, xhihad më të madh sesa t'i sfidosh mëkatet, a ka për ne sot, andaj sa jemi ne në proporcion të drejtë me këtë?
Kurse, sa i përket asaj të dytës të cilën e dëshironte më së shumti Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, na jep të kujtojmë se, çdo e kaluar i ka me vete edhe vështirësitë e mëdha, e që e ardhmja shpresohet të jetë më e lehtë, kështu që njëzetekatërorëshi gjatë kohës së agjërimit të Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka qenë shumë më i rëndë dhe i ngarkuar por edhe i rrezikshëm e besa edhe pa ushqim të mjaftueshëm ose me ushqim të ligë, krahas agjërimit të sotshëm. Andaj si jemi ne me agjërim, qoftë edhe gjatë ditëve të shkurtra?
Sa i përket mikpritjes, Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, gjente mënyrën dhe gatishmërinë më të madhe krahas të gjitha obligimeve dhe përgjegjësive që kishte, të ndante kohën edhe për miqtë e tij. Sot, shumë më lehtë mikun e pret në një kafene ose lokal jashtë shtëpisë sesa në shtëpi ose në konak, siç thotë populli. Kjo është një cilësi e marrë nga injorantët dhe jofetarët, assesi as nga tradita jonë shqiptare, ngaqë mikpritjen e shqiptarit e përmend me admirim e tërë historia e re e njerëzimit. Andaj, ku jemi ne dhe kujt po i ngjajmë në lidhje me këtë!?

Në vazhdimësinë e zinxhirit i gjejmë edhe burrat e tjerë të Islamit, të cilët lanë një shembull admirues me gjërat më të dashura të tyre, cilësi kjo e trashëguar nga gjeneratat e para të tyre.

- Tregohet se Imam Ebu Hanifja, gjërat që i donte më së shumti në këtë botë ishin: të kërkuarit e dijes, thjeshtësia dhe zbrazja e zemrës nga dashuria për dynjanë.  

Nëse mendojmë ose supozojmë se dëshira e madhe për librin është shumë aktuale në kohën tonë, mendoj se gabojmë për këtë, sepse sot rreth asaj se sa janë të interesuar njerëzit rreth leximit të librave si dhe blerjes së tyre më së miri tregon fakti se njerëzve iu vije më lehtë të blejnë diçka që është luksoze e që bën të mos blihet fare sesa të blejnë një komplet apo vëllim të librave që ta lexojnë së pari vet e pastaj t’i edukojnë edhe anëtarët e tjerë, se shpirti ka nevojë gjithnjë për rigjenerim të tij, e rigjenerimin e shpirtit e bën  të lexuarit e dobishëm nga librat e dobishëm.
Pastaj, realiteti tjetër rreth thjeshtësisë. Sa gjë e dobishme do të ishte për shoqërinë tonë njerëzore të takojmë njerëz modestë dhe të edukuar mirë, por, mjerisht që modestët dhe të
edukuarit rrallë takohen sot, sepse e mira dhe e keqja i kanë ndryshuar vendet mes vete.

E sa i përket zbrazjes së zemrës kundruall lakmisë dhe bëmave të kësaj bote, tregon fakti se si njerëzit i kanë ndryshuar idealet e tyre. Lehtë vëren se si e sa janë të zhytur në fundërrinat e kësaj bote, e cila herë pas here shfaq spektakle joshëse e degjeneruese me kuptimin e plotë të fjalës. Por, ikjes prej saj ose edhe zbrazjes prej lakmisë ndaj saj mund t’ia dalë mbanë vetëm besimtari i sinqertë edhe vetëm ai që do.

- Imam Maliku ka deklaruar se gjërat më të dashura për të në këtë botë kanë qenë: qëndrimi pranë vendit që ishte falur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, qëndrimi në qytetin e tij dhe respekti për familjen e tij.

Jo të gjithë mund ta gëzojnë mundësinë e shkuarjes në Medinën e ndritshme po edhe të qëndrimit në të dhe adhurimit në atë vend ku është falur i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, por edhe jo të gjithë e gëzojnë ëmbëlsinë e bereqetit të këtyre dhuntive edhe pse qëndrojnë në këto vende. E sa i përket respektit të familjes së të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk kërkohet nga ne diçka e jashtëzakonshme e as diçka e paarritshme, por respektim ndaj tyre nga ana jonë konsiderohet përputhshmëria me moralin dhe edukatën e tyre fetare-islame, thënë shkurt, pasimi ynë në dijen e tyre, si në veshmbathje, në të ushqyer, në të ecur, në të ndenjur, në të folur, në thirrje (da’ve),  etj.- Për Imam Shafiun gjërat më të dashura në këtë botë kanë qenë: sjellja e mirë me njerëzit, lënia e sjelljes artificiale dhe ndeja me njerëzit e mirë.

Të kesh sjellje të mirë sot me njerëzit, është një cilësi e lartë humane po edhe bamirësie, sepse kërkohet durim dhe maturi për shkak të papjekurive që i posedojnë njerëzit e të gjitha grupmoshave. Por, s'do të thotë që është e paarritshme, sepse sfidimin më të rëndë e kalon me heshtje dhe me këtë e injoron injorancën, e cila të privon për betejë. Por, s'do të
thotë që edhe gjithmonë të heshtësh, por nëse flet, fol me maturi dhe fol fjalë që nuk t’i merr era, siç thotë populli.
Ndërsa, sa i përket sjelljes artificiale, kjo tanimë është bërë normale dhe e modës. Mjerisht, sot është vështirë të takosh miq, sepse interesi i dynjasë i ka pushtuar tërësisht zemrat e njerëzimit dhe gati thuajse ka shkatërruar çdo gjë të mirë dhe me vlerë e që si pasojë e kësaj ka ardhur deri te ftohja dhe zhdukja e dëshirës për shoqërim me njerëz të urtë dhe të ditur, të cilët vazhdimisht këshillojnë për të mirë dhe që ndalojnë nga e keqja me këshillën e tyre.

- Gjërat më të dashura në këtë dynja për mua, ka thënë Imam Ahmedi, janë: ndjekja e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, bereqeti me nurin e tij dhe ndjekja e gjurmëve të tij.

Për të gjitha këto ëndje të Imam Ahmedit e të gjitha të tjerat që u thanë më lart dhe për t’i ardhur në fund tërë këtij diskutimi, themi se, nëse me dëshirë dhe vullnet e pa imponime kemi deklaruar se për ne është Allahu Zot dhe Muhamedi i dërguar i Tij, duhet ta pyesim veten se sa jemi në përputhshmëri me Sunnetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, sepse përputhshmëria me Sunnetin e tij i ngërthen në vete të gjitha dëshirat më të mëdha.

Të gjithë këta shembuj që u përmendën më lart na bëjnë që në fund të kemi një sondazh të kënaqshëm dhe shpresëdhënës për të dy botët.     
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.