MЁNYRA E ABDESIT

 
Forma e abdestit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Bekir Halimi   
e hėnė. 11 gusht 2008

Ky është abdesi më i plotë që njeriu mund të merr për namaz.  
 

Transmeton Humrani, shërbëtori i Uthmanit,
Allahu qoftë i kënaqur me të, se: ”Një herë Uthmani kërkoi ujë që të marrë abdest dhe pastaj i lau duart tri herë, lau gojën dhe hundën, pastaj e lau fytyrën tri herë, dorën e djathtë deri në bërryl tri herë, dorën e majtë deri në bërryl tri herë, pastaj fërkoi kokën (i dha mes’h), e pastaj lau këmbën e djathtë tri herë deri në zog të këmbës, e mu kështu lau edhe të majtën, e në fund tha: ”Kështu e kam parë Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke marrë abdes. E pasi që e kreu tha se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:|

“Ai që merr abdes sikurse unë, e pastaj i falë dy rekate duke mos bërë mëkate, Allahu ia falë atij mëkatet e bëra më parë.”

Ibën Shihabi ka thënë: ”Dijetarët tonë kanë thënë: ”Ky është abdesi më i plotë që njeriu mund të merr për namaz.” (Buhariu dhe Muslimi)

Të bërit nijet, duke u bazuar në fjalën e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili ka thënë:

“Veprat vlerësohen sipas qëllimit.”

Nuk është e lejuar shprehja e nijetit me fjalë, ngase një gjë e tillë nuk transmetohet nga Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.

Përmendja e Allahut të Madhërishëm në fillim të abdesit
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“S’ka namaz ai i cili nuk merr abdes dhe s’ka abdes ai që s’e përmend emrin e Zotit kur fillon të marrë abdes.” (Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe)

Kontinuiteti gjatë marrjes së abdestit

Halid Ibën Ma’dani ka thënë: ”I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e pa një njeri duke u falë e në këmbën e tij kishte hapësirë sa një dërhem që nuk e kishte lagur me ujë (gjatë abdesit), e ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e urdhëroi të marrë abdes sërish dhe ta përsërisë namazin.” (Ebu Davudi)
Nga kjo kuptohet se organet e abdesit duhet larë në kontinuitet, e nëse ka ndërprerje mes larjes së një organi dhe tjetrit, duhet filluar abdesin prej fillimi.


Farzet e abdestit 

Farzet e abdestit janë: 

- Të larët e fytyrës. Këtu bën pjesë edhe të shpëlarit e gojës dhe hundës.

- Të larët e duarve deri në bërryla.

- Të dhënit mes’h (të fërkuarit e) krejt kokës dhe veshëve, ngase veshët bëjnë pjesë në kokë.

- Të larët e këmbëve deri në nyje. Të gjitha këto duke u bazuar në fjalën e Allahut:

“O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjtë. Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)! Në qoftë se jeni të sëmurë ose në ndonjë udhëtim; ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. All-llahu nuk dëshiron (me obligim për abdes e larje) t’iu sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkateve), t’ju plotësojë të mirën e Tij ndaj jush, që t’i falënderoheni.” (El-Maide, 6)

Sa i përket gojës dhe hundës, kjo vepër është vaxhib, ngase Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar besimtarët në Librin e Tij, që t’i lajnë fytyrat, ndërsa Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, çdo herë kur e lante fytyrën, lante edhe gojën e edhe hundën. Dhe të gjithë ata që transmetojnë formën e abdesit të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përmendin edhe larjen e gojës dhe hundës gjatë larjes së fytyrës që përmendet në Kur’an. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Kur ndokush prej juve të marrë abdes, le të futë ujë në hundë e pastaj le ta qet (nga hunda).” (Davudi dhe Nesaiu)

E gjithashtu ai, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Laje mirë hundën, përveç nëse je duke agjëruar.” (Ebu Davudi)

“Kur të marrësh abdes laje gojën.” (Ebu Davudi)

Kurse, sa i përket fërkimit të kokës, ne veç përmendëm se duhet fërkuar (mes’h) krejt kokën, ngase Allahu i Madhërishëm kur na tregoi në Kur’an formën e abdesit, na urdhëroi që ta fërkojmë krejt kokën në mënyrë të përgjithshme, gjë e cila kërkon sqarim në Sunnetin e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kurse imam Buhariu dhe Muslimi na tregojnë se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur merrte abdes fërkonte tërë kokën dhe kjo është argument për domosdoshmërinë e dhënies mes’h krejt kokës. Nëse thuhet se Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka dhënë mes’h pjesës së përparme të kokës dhe imames (kapelës dhe shallit) të tij, ne përgjigjemi dhe themi: ”I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka dhënë mes’h vetëm pjesës së përparme të kokës nga shkaku se ka vazhduar të dhënit mes’h pjesës së mbetur të imames. Mirëpo kjo nuk është argument për të thënë se mjafton dhënia mes’h një pjese të kokës. (Tefsiri i Ibën Kethirit për ajetin).

Pra, nënkuptojmë se duhet dhënë mes’h krejt kokës, kurse ai që i jep mes’h kokës mund ta fërkojë vetëm kokën ose vetëm imamen, ose kokën dhe imamen. Dhe, çdonjëra prej këtyre veprimeve është e vërtetë.

Kurse, sa i përket veshëve, fërkimi i tyre është i obliguar duke u mbështetur në fjalën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

“Dy veshët janë prej kokës.”

Futja e ujit në brendi të mjekrës. Kjo bëhet duke u bazuar në transmetimin e Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: ”Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kur merrte abdes, merrte një grusht me ujë dhe e fuste në brendi të mjekrës, e fërkonte këtë me ujë dhe thoshte:

“Kështu më ka urdhëruar Zoti im subhanehu ve teala.” (Ebu Davudi dhe Bejhekiu)

Pastrimi i mesit të gishtërinjve të dorës dhe këmbës duke u bazuar në fjalën e Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

“Merr abdes mirë, pastaj pastroji gishtat në mes dhe laje hundën mirë, përveç nëse je duke agjëruar.” (Ebu Davudi)
                                    

                                       



 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.