E, ti motra ime, kur të mbulohesh, ke hyrë në rrugën e Allahut.
Arsyetimi i shtatë: ”E di se mbulesa është urdhër i Allahut, por do ta vë atëherë kur të më udhëzojë Allahu.”
Motra ime! Ke pyetur vetveten nëse e ke kërkuar udhëzimin e Allahut? E, nëse e ke kërkuar, si e ke bërë atë?
Siç e përmendëm më sipër, Allahu nuk e do dhunën, Ai është i Urtë dhe i Butë dhe do që Atij t'i binden me vet-vullnet, pa shtypje. Por, Allahu për udhëzimin e Vet ka vënë shkaqe dhe secili njeri që sinqerisht i përmbahet atyre shkaqeve, Allahu me mëshirën e Vet e udhëzon.
Motra ime në Islam! Një prej shkaqeve për të kërkuar udhëzimin e Allahut është sinqeriteti, pastaj vullneti e pastaj përpjekjet dhe lutjet e tua të vazhdueshme. Një prej lutjeve që ne e bëjmë gjatë namazit është: “Na udhëzo në Rrugën e Drejtë.” (El-Fatiha, 6)
Prej shkaqeve të gjetjes së udhëzimit është edhe shoqërimi me motra të devotshme e vepërmira.
Motra ime! Kërkoje udhëzimin e Allahut, e kurrë nuk do të zhgënjehesh!
Arsyetimi i tetë: ”Ende nuk ka ardhur koha, jam akoma e re. Do të mbulohem pasi të rritem edhe pak... pasi të shkoj në Haxhillëk.”
O motër! A e di se, engjëlli i vdekjes është i urdhëruar që kur të vije afati i ndarjes prej kësaj jete, të mos jep kohë as edhe një sekondë? Atë engjëll të vdekjes e ke në prag të shtëpisë, derisa t'ia jep urdhrin Allahu për hapjen e derës, e atëherë nuk do të kesh kohë madje as për pendim! Engjëlli i vdekjes nuk është i urdhëruar t'i kategorizojë njerëzit në bazë të moshës së tyre apo qëllimeve të tyre. Je adoleshente apo s'je, për melekun e vdekjes je vetëm krijesë me shpirt, dhe atë shpirt meleku është i urdhëruar prej Allahut të ta marr!
“Po, Allahu kurrsesi askënd nuk e shtyn për më vonë, kur atij t'i vijë afati i vet...” (El-Munafikun, 11) Të pyes, o motra ime: Po sikur të vijë afati, e të gjej ty të pambuluar, me mos- dëgjueshmëri ndaj urdhrit të Allahut, si do të dilje para Tij?
Shpejto sa nuk është bërë vonë! Bëje zgjedhjen në jetë! Do të jetosh pak kohë në këtë jetë përplot sprova dhe kthimi i të gjithëve është tek Allahu. Përshpejto, hyr në hijen e Allahut se në Ditën e Llahtarshme të Gjykimit nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Tij! Përshpejto në dëgjueshmëri ndaj Allahut, sepse vërtet është një fitim i madh! “Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe Xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit dhe tokës...” (El-Hadidë, 21)
Motra ime! Allahu nuk të le në harresë përderisa ti nuk e le në harresë Atë. Ai, i Mëshirshmi, do që ti të fitosh faljen dhe mirësitë e Tij. Jepi vetvetes sate të drejtën për të qenë e përkushtuar në fenë e Tij! A e di se, një kategori e njerëzve, të cilët fshehën pabesimin ndërsa shfaqën besimin, janë ata që e harruan Allahun, kështu që Allahu i la në harresë. Ata e harruan edhe vetveten dhe kështu e humbën këtë jetë. Jetuan gjithnjë me mundime dhe pasiguri, ndërkaq humbën edhe jetën e amshueshme ku do t'i nënshtrohen një dënimi të dhembshëm e të pambarueshëm!
“...E harruan Allahun, prandaj Allahu i la në harresë...” (Et-Tevbe, 67)
Motër muslimane! Të këshilloj që të mos hysh në kategorinë e atyre njerëzve, të cilët humbën vetveten e tyre duke menduar se janë në rrugë të drejtë! Lanë në harresë fjalët e Allahut dhe kështu u bënë njerëz të pavirtytshëm e të prishur.
Allahu i Mëshirshëm na porosit:
“E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.” (El-Hashr, 19)
Të përkujtoj moj motra ime, se në Ditën e Gjykimit Allahu do të të pyes për rininë se si e ke jetuar e për çdo sekondë të jetës sate! A e di se kush është rritur me Islam i është siguruar Xheneti!
Arsyetimi i nëntë: Kam frikë se, në qoftë se mbulohem, të tjerët do të kenë paragjykime për mua dhe do të thonë se jam në ndonjë grup të veçantë, etj.”
Motra ime! Ta sqaroj një gjë: në Islam ka vetëm dy rrugë, të cilat janë përmendur në Librin e Allahut, Kur'anin: partia e Allahut, të cilën Allahu e inkurajon dhe e ndihmon përderisa janë të dëgjueshëm ndaj urdhrave të Tij dhe largohen prej veprave të liga dhe partia e shejtanit të mallkuar, cili është i afatizuar, armik i Allahut, çrregullues në tokë bashkë me ithtarët e tij.
E, ti motra ime, kur të mbulohesh, ke hyrë në rrugën e Allahut, je kapur për të Fuqishmin, je prej të shpëtuarave, e po bëre të kundërtën, nuk je e dëgjueshme ndaj urdhrave të Allahut. Atëherë ke zgjedhur një barkë të cilën e drejton shejtani i mallkuar dhe në të cilën janë mosbesimtarët dhe hipokritët, të cilët ai i bartë në valët e detit, drejt humnerës. Allahu na ruajttë!
Motra ime e nderuar në Islam! Kthehu tek Allahu, drejtoje fytyrën kah Ai, e mos përfill fjalët e atyre që kanë hipur në barkën e shejtanit të mallkuar! Fundi i tyre gjithsesi është ferri e tmerri!
Ty motra ime të duhet vetëm një gjë: t'i mbështetesh Allahut, pra të kërkosh ndihmën e Tij në çështjet e tua.
“... E kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që i mbështeten.” (Ali Imran, 159)
Padyshim se ata që pasojnë rrugën e Allahut dhe jetojnë me Islam nuk i frikësohen askujt përveç Tij dhe askush nuk mund t'u bëj gjë.
A e di moj motër, se çdo jetë, çdo fuqi, çdo gjë është nën Pushtetin e Tij?
Askush asgjë nuk mund të të bëj, mirë apo keq, vetëm se me caktimin e Allahut! Po sikur të mblidheshin të gjithë njerëzit të të bënin ndonjë gjë të keqe, pasha Allahun, nuk do të mundnin; po edhe sikur të gjithë njerëzit të bëheshin bashkë për të të bërë ndonjë të mirë, nuk do t'ia arrinin veçse atë që Allahu ka përcaktuar!
Po e përfundoj këtë letër me një përkujtim nga Allahu i Madhërishëm: “Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Kiametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.” (Ali Imran, 185)
Allahu na mjafton në të gjitha çështjet dhe Ai është ndihmëtari më i mirë!
|