MЁNYRA E ABDESIT

 
Shqetėsimi qė pėrjeton njeriu i pafajshėm kur ballafaqohet me akuza tė rreme PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Merita Qehaja   
e enjte. 17 korrik 2008

Për këtë më akuzuat mua, ndërsa unë isha e pafajshme!  


 

 
Çdo njeri kur ballafaqohet me ndonjë akuzë të rreme ndjen në vete një shqetësim.

Shembull për këtë është rasti që ka ndodhur me nënën e besimtarëve, me Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur gjatë fushatës së Murasit, munafikët e akuzuan se gjoja ajo kishte bërë gjynah (imoralitet). Në atë kohë ajo ishte e sëmurë dhe kur i dëgjoi fjalët e shpifura, gjendja e saj u keqësua edhe më shumë. Për këtë arsye e kaploi edhe një shqetësim i thellë. Lidhur me këtë ngjarje ajo tregon:
”Unë thashë: Subhanallah! Njerëzit po flasin për këtë gjë!” Qava tërë natën deri në mëngjes dhe nuk fjeta fare. Lotët nuk m’u ndalën. Pastaj qava tërë ditën dhe nuk fjeta fare, lotët nuk më ndaleshin. Ditën e nesërme, pasi kisha qarë dy net e një ditë rresht dhe pa bërë aspak gjumë erdhën prindërit e mi dhe menduan se të qarët do të më mbyste. Teksa qëndronin ulur me mua dhe unë qaja, një grua prej ensarëve kërkoi leje për të më parë. I dhashë leje dhe ajo u ul pranë meje dhe filloi të qajë bashkë me mua. Duke qëndruar kështu, brenda hyri edhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na përshëndeti dhe u ul. Nuk më kishte vizituar që kur kishin filluar të përhapeshin shpifjet rreth meje dhe një muaj nuk pati shpallje lidhur me situatën time. Duke qëndruar me ne i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shqiptoi shehadetin e më pas tha: “O Ajshe, kam dëgjuar këtë e këtë për ty. Nëse je e pafajshme, Allahu do ta vërtetojë pafajësinë tënde dhe nëse ke bërë gjynah, atëherë lutu te Allahu që ta falë dhe pendohu tek Ai, sepse kur robi bën një gjynah dhe pastaj kthehet me pendim, Allahu do t’ia pranojë pendimin. Pasi i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, mbaroi me atë që kishte për të thënë lotët m’u ndalën plotësisht. Iu drejtova babait tim dhe i thashë: ‘Përgjigju asaj që tha i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.’ Ndërsa ai tha: ‘Pasha  Allahun, nuk di çfarë t’i them të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.’ I thashë edhe nënës sime: ‘Përgjigju asaj që tha i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ajo tha: ‘Pasha Allahun, nuk di çfarë t’i them të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të’. Pas gjithë kësaj unë thashë: ”Unë jam vajzë e re dhe nuk di shumë prej Kur’anit. Pasha Allahun, nuk kam asgjë për të thënë përveç fjalëve të babait të Jusufit:

  “... Halli im është: durim i mirë. Allahu është nga i Cili kërkohet ndihmë për këtë që përshkruani ju". (Jusuf: 18)

Më pas u largova dhe rashë në shtrat.
Pastaj, Allahu shpalli:

“S'ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju...” (En-Nur, 11. Lexo ajetet 11-20 të kësaj sureje)

Shumë më herët para kohës së Aishes, Merjemja e bija e Imranit, ka përjetuar shumë strese dhe shqetësime, sepse ngeli shtatzëne pa qenë e martuar. Shqetësimi i saj arriti deri në atë nivel saqë:

 Ajo tha: ”Ah sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!” (Merjem, 23)

 Ajo foli kështu ngaqë e dinte se njerëzit do ta akuzojnë dhe nuk do t’i besojnë kur ajo t’u shkonte me foshnje në krahët e saj, sepse ajo ka qenë një nga adhurueset e devotshme që ka jetuar afër xhamisë, vazhdimisht duke qenë e veçuar në adhurim dhe ka rrjedhur prej një familjeje shumë fetare, pasardhësish të pejgamberëve. Për shkak të gjithë kësaj ajo e kishte këtë ngarkesë që i shkaktonte brengë të madhe, prandaj më parë do të dëshironte të vdiste para se t’i ndodhte një gjë e tillë, ose “të isha harruar krejt”, me fjalë të tjera të mos isha krijuar fare.

Një shembull tjetër është edhe rasti i një gruaje, e cila qe akuzuar pa të drejtë. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) e rrëfen rastin e saj:

”Një grua e zezë, e cila u takonte disa arabëve u bë muslimane. Ajo kishte një dhomë të vogël në xhami. Vinte tek ne,  qëndronte dhe fliste me ne, kurse një ditë pasi mbaruam bisedën ajo shtoi:
”Ditën e Visha-së* e konsideronim si një nga çudirat e Zotit tonë. Vërtet, Allahu është Ai që më shpëtoi nga toka e kufrit (mosbesimit).”
Pasi e përsëriti këtë disa herë, Aishja e pyeti “çfarë ishte dita e visha-së? ”Ajo vazhdoi: ”Një vajzë e re nga njerëzit e mi kishte veshur një korse prej lëkure. Korseja i ra në  tokë, ndërsa një qift (lloj skifteri) duke menduar se është copë mishi erdhi dhe e rrëmbeu atë. Kurse ata më akuzuan sikur unë e kisha marrë korsenë, kështu filluan të më ndëshkojnë deri në atë masë saqë më kontrolluan edhe pjesët e turpshme të trupit. Kur të gjithë ishin përreth meje, e unë e thelluar në shqetësim,  papritmas qifti duke fluturuar mbi kokat tona u kthye përsëri dhe e hodhi korsenë në tokë. Ata e morën korsenë ndërsa unë u thashë: ”Për këtë më akuzuat mua, ndërsa unë isha e pafajshme!” (Transmeton Buhariu).





*Dita e vishasë - Dita e stolisjes me korse (brez llastiku) që e vinin gratë në kohën e injorancës.  Merita Qehaja
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.