MЁNYRA E ABDESIT

 
Motra ime e pambuluar, pse nuk mbulohesh? (II) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e martė. 08 korrik 2008

Po ta dije se sa vapë jep nxehtësia e 
zjarrit të Xhehenemit...








Arsyetimi i katërt:

”Nuk mund të mbaj mbulesë, sepse moti bën shumë nxehtë dhe kam vapë. Unë nuk i duroj 
dot rrobat që vesh, e lëre më të mbulohem.”

Motra ime!
Po ta dije se sa vapë jep nxehtësia e zjarrit të Xhehenemit, të betohem se, nxehtësia e rrezeve 
të diellit do të dukej e akullt!
Thuaju: "Zjarri i Xhehenemit ka vapën edhe më të fortë, nëse janë që kuptojnë!"
(Et-tevbe, 81)
 Mendoje moj motër këtë gjë: të përjetosh pak vapë e të jetosh në kënaqësinë e Allahut, 
tek i Cili është kthimi ynë, është veprim i mençur, apo të përjetosh freski e të fitosh hidhërimin 
e Zotit tënd?

Dije, motra ime, se djalli i mallkuar është duke u munduar që të fus në rrjetin e tij e të nxjerr 
nga nxehtësia e kësaj jete që ti të meritosh vapën njëmend të padurueshme të Xhehenemit!
Shpëtoje vetveten tënde prej kurtheve të shejtanit të mallkuar, e konsideroje nxehtësinë që 
sjellin rrezet e diellit dhunti e jo dënim, sepse vapa e kësaj bote  të bën të mendosh për vapën 
e fortë të zjarrit të Xhehenemit, e cila tejkalon çdo botëkuptim rreth nxehtësisë.
Kështu, ti motra ime, i kthehesh Zotit tënd duke sakrifikuar "një qetësi" të përkohshme për hir 
të Lumturisë së Përjetshme.

Kujdesu që e ardhmja jote të mos jetë një vend si ky:
“Aty kurrë nuk do të shijojnë freskim e as pije (që shuan etjen), përveç ujë të valë dhe 
kalbësirë.”
 (En-Nebe’, 24 dhe 25)

O motër!
Tejkaloji sprovat, sepse nuk janë veçse kalimtare, dhe dije se, hyrja në Xhenet prej kësaj 
jete është e thurur me plot gjëra të hidhura, ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me plot epshe 
e dëshira.

Arsyetimi i pestë:
”Kam drojë se nëse mbulohem, e heq prapë mbulesën, sepse shumë vajza kanë vepruar 
kështu.”

O motra ime, unë vërtet do të kisha drojë nëse gjithsecili do të mendonte në këtë mënyrë, 
sepse atëherë nuk do të mbetej asnjë musliman në tokë. E askush nuk do ta ruante moralin e 
vet nga frika se do të rikthehej në imoralitet pas moralit dhe askush nuk do të bënte namaz 
nga frika se do ta linte pastaj...

E sheh moj motër se si shejtani i mallkuar lëviz në mendimet tua dhe të mban peng në rrjetin 
e djallëzive të tij e nuk të len të kapesh për dritën e Allahut?

Nuk ka fuqi që mund të të shtyjë të largohesh nga rruga e Allahut veçse vetvetja. Vetvetja je 
ti, motra ime! Allahu të dha vullnet, falë drejtësisë së Tij, që ti me vullnetin tënd të jesh 
falënderuese dhe mirënjohëse ndaj dhuntive të Tij ndaj teje. Allahu nuk ushtron forcë në 
bindje dhe vepra, por sprova e rëndë prej Tij për një musliman është edukim e tërheqje e 
vërejtjes, pra është mëshirë.

Prandaj, pranoje atë që përcaktoi Zoti yt për ty, sepse asnjëherë nuk do të humbësh.Po 
pranove me vullnet e bindje urdhrin e Tij, dije se, do të ndihesh aq shumë e fuqishme, saqë 
edhe vet do të çuditesh.

Allahu është i butë, nuk të ngarkon përtej mundësive! Është i Urtë, nuk të urdhëron të 
shëmtuarën!

Motra ime!
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:

“Veprat më të dashura tek Allahu janë të vijueshmet, qofshin (ato vepra) edhe të 
pakta.”

Ke menduar ndonjëherë të pyesësh për shkaqet që i kanë shtyrë ato vajza për 
heqjen e mbulesës e të përpiqesh që t'i shmangesh atyre kurtheve të djallit?

 Po sikur, o motra ime, të mendoje për ato vajza që e kanë vënë mbulesën dhe kanë 
sfiduar çdo pengesë e janë bërë edhe më të fuqishme duke u kapur për dritën që nuk 
shuhet, udhëzimin e Allahut të Gjithëfuqishëm?

 T’i them disa shkaqe që ato motra të mbuluara i kanë bërë të fuqishme dhe të palëkundshme: 
ato bëjnë namaz rregullisht, i luten Allahut për qëndrueshmëri dhe i janë nënshtruar 
sinqerisht caktimit të Allahut, Të Urtit.  

A e njeh njeriun me moralin më të madh? Ai ishte i Dërguari i Allahut, Muhamedi, lavdërimi
dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. E di se si lutej ai?

Thoshte: “O Allah, o Ndryshues i zemrave! Ma përforco zemrën time në fenë Tënde.”

Ai ishte i Dërguar i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte i pastër nga 
mëkatet, i njohur për të mirën dhe të keqen.

 “Vërtet, ti (o Muhamed) je në një piedestal të lartë të moralit.” (El-Kalem, 4)

Megjithatë, lutej...
Lutu edhe ti Allahut, motra ime, që të mos ndjekësh shembullin e atyre vajzave që 
tradhtuan urdhrin e Allahut, mbulesën. Bë namaz, sepse namazi ta forcon lidhjen me Allahun. 
Ke durim, se Allahu është me durimtarët!

“Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe namaz, vërtet, ajo është e 
madhe (vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Allahun).”
 (El-Bekare, 45)

 Motra ime muslimane! Nëse me vëmendje dëgjon se çfarë të urdhëron Zoti yt, do ta 
kuptosh se Ai është i mëshirshëm ndaj teje dhe ndaj të gjithë atyre që e duan udhëzimin e 
Tij.

Nëse i bindesh Atij, do të jesh e palëkundshme. Një premtim hyjnor, fjalë që nuk thyhet 
është premtimi i Allahut, Zot i qiejve dhe i tokës e çka ka mes tyre!

“... E, sikur ata të zbatonin për çka këshilloheshin për të, do të ishte më mirë për ta 
dhe do t'i përforconte më shumë.”
 (En-nisa’, 66)

Motra ime, po shijove ëmbëlsinë e të qenit besimtare e devotshme, do të lidheshe shkaqeve 
që të bëjnë të qëndrueshme. Se, edhe sikur të ngrihej i tërë njerëzimi për të të larguar nga 
rruga e Allahut nuk do t'ia arrinin kurrë!

Arsyetimi i gjashtë:
”Më është thënë se, po vura mbulesë, nuk do të më martojë kush, kështu që, nuk do të 
mbulohem derisa të martohem.”
Motra ime!
Një burrë që të pëlqen të zbuluar, ai burrë nuk të meriton!
Si do të ndiheshe e sigurt me një bashkëshort, që nuk i ka frikë Allahut, e as nuk do të ishte 
xheloz ndaj teje, e as nuk do të ishte në krahun e atyre që fytyrat e tyre i kanë të drejtuara 
kah Xheneti!
Nuk ke frikë oj motra ime nga sprova me një burrë, për të cilin nderi dhe familja janë të 
parëndësishme? Nuk ke frikë se mund të sprovohesh me një burrë që do të ngritke një 
familje pa themele të shëndosha, me mëkatim ndaj Zotit të botëve, Allahut të Gjithëfuqishëm?

A e di se, një shtëpi e familje që ngrihet pa devotshmëri në Allahun, asaj shtëpie e familje i 
caktohet mundim e vuajtje, si për këtë jetë por edhe për jetën e amshueshme?

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë, ndërsa në 
ditën e Kiametit do ta ringjallim të verbër.”
 (Ta Ha, 124)

Të jesh e sigurt se, martesa e ndershme është dhunti që kujt të do Allahu ia mundëson. 
Sa e sa motra të mbuluara janë martuar dhe në martesën e tyre kanë gjetur rehati dhe ajo
i ka ruajtur nga dora e keqe e njerëzve të pandershëm!
A e di moj motër, se një djalë i devotshëm dhe i ruajtur më pak do të dëshironte të 
martohej me një vajzë të pambuluar?
Ji e sinqertë motra ime! Edhe sikur të thoshe se, qëllimi im është i pastër: të lidh kurorë 
më shpejt, dije se, në fenë tonë të pastër islame, nuk na lejohet të përdorim mjete të 
ndaluara për të arritur qëllime të mira.
Ta përkujtoj një gjë: nuk bekohet një martesë që arrihet me mosrespektim ndaj Allahut 
të Madhërishëm!

                                                                 (Vazhdon)


 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.